TAGS-AT E JAVËS

Editorial29 Prill 2025, 15:44

100 ditët e para të Trump: Frikë, kaos dhe abuzim me pushtetin

Shkruar nga Miguel Jiménez

 

100 ditët e para të Trump: Frikë, kaos dhe abuzim me pushtetin
Donald Trump /

Fushata e tij kundër migracionit, hakmarrja ndaj kundërshtarëve, rrugëtimi drejt autoritarizmit, dobësimi i lidhjeve me aleatët dhe luftë tregtare, e kanë dominuar fillimin e mandatit të dytë të presidentit republikan...

“Ne të gjithë kemi frikë. Unë jam shumë në ankth dhe ngurroj të ngre zërit tim, sepse hakmarrja është e vërtetë”- deklaroi javën e kaluar senatorja republikane e Alaskës Liza Murkowski në një aktivitet publik në Anchorage.

Pra politikanët republikanë, kanë frikë të shprehin kundërshtimin e tyre. Punonjësit federalë kanë frikë se mos pushohen nga puna. Emigrantët - sidomos nëse janë venezuelianë dhe kanë tatuazhe në trup - kanë frikë se mos dëbohen pa ndonjë proces të rregullt drejt vendeve të tyre (ose më keq akoma, të mbyllen në një burg të sigurisë maksimale në El Salvador).

Universitetet kanë frikë nga pezullimi i fondeve të tyre. Studentët e huaj kanë frikë se mos i humbasin vizat. Studiot ligjore kanë frikë nga ndëshkimi nëse nuk i binden vullnetit të presidentit aktual. Ndërkohë, bizneset kanë frikë të ruajnë diversitetin, barazinë dhe politikat e tyre të përfshirjes.

Përfituesit e ndihmës sociale, kanë frikë se mos e humbin atë. Mediat kanë frikë nga hakmarrja. Senatori demokrati Cory Booker, përmend një citim nga njërit prej etërve themelues të Amerikës, Thomas Jefferson, presidenti i tretë i vendit: ”Kur njerëzit kanë frikë nga qeveria, ka tirani. Kur qeveria ka frikë nga njerëzit, ka liri!”.

Donald Trump ka mbushur 100 ditët e para të mandatit të tij të dytë si president i SHBA-së. Republikani u rikthye në Shtëpinë e Bardhë me një axhendë radikale dhe një listë të gjatë armiqsh. Ai fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit 2024 përballë demokrates Kamala Harris, me një diferencë prej më pak se 1.5 për qind në votë popullore, por me një epërsi të madhe në Kolegjin Zgjedhor.

Partia e tij fitoi shumicën si në Kongres ashtu edhe Senat. Edhe Gjykata e Lartë ka një shumicë të konservatore. Me përvojën e mandatit të tij të parë, dhe 4 vite duke përgatitur hakmarrjen e tij, sapo u kthye në pushtet, Trump u rrethua me besnikë dhe filloi të qeverisë përmes urdhrave ekzekutivë.

Fushata e tij kundër migracionit, nevoja për hakmarrje, rrugëtimi i tij drejt autoritarizmit, dobësimi i lidhjeve me aleatët dhe një luftë tregtare, e kanë shenjuar fillimin e mandatit të tij të dytë. Gjatë fushatës ai tha se “do të ishte diktator në ditën e parë në detyrë”.

Në 100 ditë e para ai ka firmosur shumë pak ligje të miratuara nga Kongresi, ndërsa  ka nënshkruar rreth 140 urdhra ekzekutivë, shumë prej tyre të dyshimta nga pikëpamja kushtetuese. Përmes tyre, ai ka shkelur kufijtë e autoritetit presidencial dhe ka vënë në provë rezistencën e sistemit demokratik të vendit.

Lëvizja e tij autoritare, e ka sjellë vendin në pragun e një krize kushtetuese. Politika e tij tregtare kaotike, e ka gjymtuar ekonominë dhe ka shkaktuar një krizë të përmasave globale. Ambiciet e tij imperialiste dhe lëvizjet e tij të çuditshme në arenën ndërkombëtare, e kanë dobësuar besimin e aleatëve të tij tek SHBA-ja.

Sipas një sondazhi të publikuar të premten nga The New York Times, mbiemrat që përcaktojnë më së miri 100 ditët e para të Trump për votuesit janë kaotike (66 për qind), të frikshme (59 për qind) dhe emocionuese (42 për qind).

Sipas Gallup, popullariteti i tij aktual prej vetëm 45 për qind, është më i ulëti i 3-mujorit të parë të çdo presidenti që nga Lufta e Dytë Botërore...me përjashtim të mandatit të tij të parë.

100 ditët e para, u bënë një masë standarde për të gjykuar fillimin e një presidence që nga koha e Franklin D. Roosevelt, që miratoi një axhendë legjislative ambicioze, e cila ishte pjesë e Marrëveshjes së Re për të përballuar Depresionin e Madh.

Që atëherë, kjo periudhë kohore është një lloj ekzaminimi i parë i administratës së presidentit. Trump i fitoi zgjedhjet e vitit të kaluar, duke përfituar nga pakënaqësia e klasës punëtore me emigracionin e paligjshëm dhe inflacionin.

Sa i përket rezultateve, rënia e fluksit të emigrantëve pa dokumente është suksesi më i madh i 100 ditëve të tij të para, megjithëse mbërritjet në kufi kishin rënë ndjeshëm që në periudhën e fundit të mandatit të Joe Biden.

Republikani është mbështetur tek bashkëpunimi i qeverisë meksikane, por mbi të gjitha, ai ka luajtur qëllimisht m kartën e frikës. Numri i njerëzve që ka dëbuar deri më sot nuk është shumë i ndryshëm nga ai në fillim të mandatit të Biden.

Por imazhet dramatike të bastisjeve dhe dëbimeve të kësaj administrate, ligjërimi ksenofob i presidentit dhe arbitrariteti dhe mungesa e garancive të cilave u nënshtrohen të dëbuarit, kanë pasur efekt frenues në ardhjen e emigrantëve të rinj.

Transferimi i mbi 200 emigrantëve, kryesisht venezuelianë, në një burg të sigurisë maksimale në El Salvador në një zbatim të shtrembëruar të Aktit të Armiqve të huaj të vitit 1798, është shembulli më i mirë i kësaj. Emigrantët janë dëbuar dhe burgosur pa prova dhe pa një proces të rregullt gjyqësor Salvadorani Kilmar Abrego García, i dëbuar përmes një akti që vetë administrata Trump e ka pranuar se ishte një “gabim administrativ”, pasi burri kishte një urdhër gjyqësor që ndalonte dëbimin e tij, por që mbetet ende i burgosur në El Salvador, është bërë një simbol i këtij arbitrariteti.

Gjithsesi Trump ka preferuar ta demonizojë sesa të korrigjojë gabimin e tij. Një gjykatës federal, ka deklaruar se administrata Trump po angazhohet në “mospërfillje të qëllimshme” të urdhrave të gjykatës për të lehtësuar dëbimin e Abrego García-s.

“Kjo çështje s’ka të bëjë vetëm me një njeri. Shkelja e të drejtave të tij kushtetuese nga administrata, përbën një kërcënim për të drejtat e të gjithëve”- tha senatori demokrat nga Maryland, Chris Van Hollen , i cili e vizitoi në El Salvador.

Të premten e kaluar, FBI arrestoi një gjyqtare të akuzuar nga Departamenti i Drejtësisë për pengimin e arrestimit të një emigranti në sallën e saj të gjyqit, duke e lënë atë të dilte nga një derë e pasme. Që ai ishte një arrestim i motivuar politikisht, kjo u bë e qartë nga Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi, e cila i kërcënoi gjyqtarët që mbrojnë emigrantët: “Ne do t’ju ndjekim penalisht!”.

“Ky është fashizmi!”- deklaroi senatori Van Hollen. Trump ka zgjeruar në mënyrë të dyshimtë kufijtë e pushtetit ekzekutiv edhe me luftën e tij tregtare. Akti Ndërkombëtar i Kompetencave Ekonomike Emergjente, i jep presidentit autoritetin për të rregulluar tregtinë përballë një “kërcënimi të pazakontë e të jashtëzakonshëm” nga jashtë.

Por mënyra se si Trump e ka përdorur atë pushtet është e paprecedentë. Mbi 12 shtete të drejtuara nga demokratët, pretenduan në një proces gjyqësor se ai ka tejkaluar dhe shkelur Kushtetutën dhe ligjin me tarifat e tij. “Tani politika e tregtisë kombëtare, po varet nga tekat e presidentit dhe jo nga ushtrimi i arsyeshëm i autoritetit të tij të ligjshëm”- thanë ata.

Trump ka ndryshuar tarifat dite pas dite, duke i miratuar, pezulluar, rritur dhe ulur ato, nganjëherë thjesht përmes një mesazhi në rrjetet sociale. Dhe e bën këtë, pa kuptuar kompleksitetin e zinxhirëve të furnizimit të sotëm apo pasojat e masave të tij.

Kaosi dhe pasiguria e shkaktuar nga veprimet e tij të çrregullta, po frenojnë jo vetëm ekonominë amerikane, por edhe atë botërore. Lufta tregtare, e ka vënë përballë Uashingtonin ndaj Pekinit. Por ajo ka tensionuar edhe marrëdhëniet e SHBA-së me fqinjët dhe aleatët e saj.

Në Kanada dhe Evropë, po përhapet mosbesimi ndaj Uashingtonit. Nga ana tjetër, Trump ka shfaqur pretendime imperialiste, duke thënë se do të marrë kontrollin e Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë, dhe duke luajtur me idenë e aneksimit të Kanadasë.
Ai ka vënë në pikëpyetje angazhimin e tij ndaj NATO-s, dhe është afruar shumë me presidentin rus Putin në përpjekje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, me një marrëveshje të favorshme për Moskën. Ndërkohë, ka dështuar të ndalë luftën në Gaza.

Edhe pse Partia Demokratike është ende në gjendje shoku nga humbja, janë shfaqur tashmë xhepat e rezistencës kundër abuzimeve dhe arbitraritetit të Trump. Dy prej tyre dallohen mbi të tjerët: gjyqtarët, veçanërisht për emigracionin dhe tregjet financiare, të cilat i kanë dhënë fund marrëzive të tij ekonomike, duke e detyruar presidentin të tërhiqet pjesërisht nga tarifat dhe të heqë dorë nga dëshirat e tij për të shkarkuar kreun e Rezervës Federale, Jerome Powell.

Mandati i tij i dytë ka ende 1363 ditë, por presidenti ka fantazuar disa herë për të kandiduar për një mandat të tretë, gjë që është e ndaluar me Kushtetutë. Dyqani i tij në internet shet për 50 dollarë kapelet me logon “Trump 2028”, por kërkon durim për dërgesat “për shkak të kërkesës së lartë”./Pamfleti nga “El Pais”

frikë kaos 100 ditët e para

Lini një Përgjigje