TAGS-AT E JAVËS

Editorial27 Prill 2025, 15:42

Këpucët, trashëgimia më e madhe e Papa Françeskut

Shkruar nga Ferruccio De Bortoli

 Këpucët, trashëgimia më e madhe e Papa Françeskut

Simbolet, gjestet dhe imazhet: Lamtumira e fundit për Papën që sfidoi traditat dhe preku zemrat e miliona njerëzve...

Në fund, edhe kësaj here, era deshi të shfletojë vetë faqet e Ungjillit mbi arkivolin e Papës. Njësoj si para njëzet vitesh, në funeralin e Gjon Palit II. Edhe sot, sidomos në mjediset laike, kërkohet të kapet në funeralin e Papës një shenjë profetike, sikur të gjithë ne të dëshironim që Françesku të vazhdonte të jetonte jo vetëm në fjalët, veprat dhe gjestet e tij, por në diçka më shumë, më të papritur, në një trashëgimi të zgjeruar, që tejkalon besimin dhe traditën.

Kjo ndjenjë e bën më pak të dhimbshme ndarjen nga një baba shpirtëror, aq i dashur sa që u bë pjesë e çdo familjeje, edhe të atyre jo domosdoshmërisht besimtare. Është një refleks pothuajse instinktiv: Çfarë mesazhi kishte ai episod, ajo rrethanë, ai simbol brenda një liturgjie mijëravjeçare që vetë ai e reformoi? Fundja, Françesku na kishte mësuar me ndryshime të vazhdueshme e madje provokuese të traditës. Ndaj nuk është aspak fantazi nëse mendojmë se pas gjithë kësaj mund të qëndrojë një regji e tij e heshtur edhe tani që nuk është më.

Imazhi i Donald Trump dhe Volodymir Zelenskyt që flasin së bashku, ulur ballë për ballë në mes të Bazilikës, mbante vetëm një firmë: atë të Françeskut. Ishte një tablo krejt ndryshe nga ajo e dhunshme verbale që pamë në takimin e fundit mes tyre në Shtëpinë e Bardhë. Për një moment dukej sikur njëri po rrëfehej tek tjetri. Do të donim të gjithë ta mendonim atë moment si një mrekulli të vogël harmonie; një hap drejt paqes aq të dëshiruar dhe aq të kërkuar nga Papa Françesku. Një paqe që nuk është dorëzim për popullin e martirizuar të Ukrainës, të cilin Papa e kujtonte çdo të diel, edhe kur të tjerët e kishin harruar. Sikurse tha edhe Giorgia Meloni, kjo ditë ishte historike, edhe për atë takim.

Njëzet vjet më parë, në lamtumirën e Papa Vojtilës, presidenti izraelit Moshe Katsav dhe ai iranian Mohammed Khatami shtrënguan duart, edhe pse më vonë e minimizuan ose mohuan krejtësisht ngjarjen. U iluzionuam se mesazhi i Gjon Palit II kishte afruar shumë zemra, por nuk ndodhi kështu. Ishte edhe presidenti sirian Bashar Al Assad, i cili nuk u prek nga mëshira në rrugën e kthimit për Damask. Tre presidentë amerikanë, George W. Bush me të atin dhe Bill Clinton, u ulën krah njëri-tjetrit, ndërsa dje Trump dhe Biden pothuajse nuk u panë në sy. Atëherë ishim në kulmin e globalizimit, të favorizuar nga shembja e Murit të Berlinit dhe fundi i komunizmit, edhe falë Papës polak. Françesku ishte një kritik i fortë i dëmeve të globalizimit. Funerali i tij përkoi edhe me një tentativë diplomatike për të mos e përçarë më shumë botën perëndimore, të ndarë për shkak të konflikteve gjeopolitike dhe ekonomike.

Megjithatë, do të ishte e padrejtë të mendojmë se në funeral ishin vetëm të fuqishmit e botës, ndërsa njerëzit e thjeshtë ishin vetëm korniza. Aty ishte një popull i jashtëzakonshëm, i përbërë sidomos nga të rinjtë e ardhur për Jubileun e adoleshentëve, vajza dhe djem që preferuan emocionin real në vend të joshjes së rehatisë digjitale. Ishte një popull që e përqafoi Françeskun për herë të fundit, ndërsa vetë Papa kishte vendosur të prehej në dheun e thjeshtë, në Santa Maria Maggiore, ku e pritën me trëndafila të bardhë pikërisht ata “më të fundit”, njerëzit që ai i deshi dhe i ndihmoi gjatë gjithë jetës. Ata ishin gjithashtu pjesë e familjes së tij, ndërkohë që “të parët” ishin të zënë në biseda të rëndësishme për fatet e botës.

Ata trëndafila të bardhë, që dëshmojnë për aq shumë vuajtje dhe brishtësi njerëzore, janë ndër simbolet më të fortë dhe më domethënës të trashëgimisë së një Pape që kërkoi të varrosej me këpucët e tij të zeza e të konsumuara, ato që përdori në shumë rrugë të vështira. Këpucët e fundit, ishin trashëgimia më e madhe që la Papa Françesku./Në shqip: Pamfleti

këpucët e papa françeskut

Lini një Përgjigje