TAGS-AT E JAVËS

Editorial21 Prill 2025, 15:37

Edi Rama, i destinuar të përfundojë në një kryeministër ahistorik!

Shkruar nga Spartak Ngjela
Edi Rama, i destinuar të përfundojë në një
Edi Rama

Ne shqiptarët nuk duhet të lejojmë të na krijohet në Shqipëri sërish një kryeministër absolut. Ne e patëm rastin historik dhe e provuam në dyzet vite rresht pushtetin absolut patologjik...

Ka çaste kohore historike në një vend të caktuar kur, një kryeministër që ka marrë pushtetin me votë absolute, e kthen pushtetin e tij në absolutizëm.

Ky lloj absolutizimi gjithmonë e ka frenuar zhvillimin kombëtar. Sepse një shteti i drejtuar prej një kryeministri të tillë, si zhvillim, është i destinuar të qëndrojë në vend numëro.

Kështu po rezulton të jetë sot edhe Shqipëria.

I.

Kryeministri aktual Edi Rama nuk po paraqet dot asnjë ide të re për zhvillimin kombëtar. Ai ka rënë në pasivitetin që po ia indukton pushteti absolut që ka arritur, me numrin e madh të votuesve që kanë votuar për Partinë Socialiste.

Sigurisht numri i lartë i votuesve të një kryeministri është arsye absolute për qeverisjen e tij, por kjo qeverisje ligjore, ka lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimin kombëtar, sepse, realisht, ky zhvillim krijon vlerën e re kombëtare dhe ndërkombëtare të shtetit Shqiptar, por njëherësh edhe vlerën që qëndron brenda kësaj pyetjeje:

Sa e ka rritur qeveria Rama mirëqenien kombëtare të popullit shqiptar në një dekadë të qeverisjes së saj?

II.

Por, a jemi ne në gjendje ta analizojmë sak: nga po vjen pasiviteti qeveritar i Shqipërisë së sotme?

Po, dhe sipas nesh...

Ky pasivitet ka disa arsye që po ndodh, por kryesorja është fakti që kryeministri Rama dhe elita e Partisë Socialiste, është e sigurt me garancinë elektorale që ka fituar, sepse tani është e vërtetuar që Partia Demokratike, me Sali Berishën në krye, e ka krejt të pamundur të fitojë edhe në zgjedhjet e pritshme.

Dhe Rama kuptohet qartë kur flet se ai, jo vetëm që është i sigurt në zgjedhjet që po vijnë, por kuptohet gjithashtu që brenda tij, Rama, në nëntekstin e atyre që po shpreh në fjalimet e tij politike, shpreh siguri.

Sepse tani po kuptohet qartë që, siguria e pushtetit, i ka dhënë Ramës qetësinë shpirtërore në konkurrimin e sigurt politik, dhe prandaj ai po tallet me kundërshtarin.

Por kjo, në fakt, kuptohet që deri tani ka një karakter artistik, prandaj nuk mjafton për të krijuar qëndrueshmërinë e karakterit politik. Qëndrueshmëria e karakterit politik, nuk është afekt artistik, por arsye politiko-juridike që krijohet në parlament.

Prandaj, pikërisht për këtë, na duhet të theksojmë këtu se, karakteri politik i një kryeministri që është në pushtet, nuk i takon artit, por historisë.

Vlera artistike e një fjalimi politik ka karakter thjesht populist si pëlqyeshmëri e çastit në funksion të votës, por ardhja në pushtet si qeverisje ka lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimin kombëtar.

III.

Prandaj, për të gjitha ato që shprehëm më lart na duhet të theksojmë se kryeministri Rama po e ndërmerr sarkazmën e tij brenda një afekti të një arsyeje artistike, por koha e zhvillimit kombëtar kërkon dijen e konsoliduar programore me pyetjen: Zoti kryeministër! Çfarë do të bësh ti me pushtetin tënd absolut në lidhje me zhvillimin kombëtar?

Asgjë.

Deri tani kryeministri Rama po i gëzohet faktit që është absolut, por nuk arrin ta kuptojë se kështu mund të kthehet në një kryeministër ahistorik.

Sepse, historia e Shqipërisë në zhvillimin e saj, nuk ka lidhje me absolutizmin e kryeministrit, por me forcën e tij krijuese brenda pyetjes: Çfarë do të bësh ti si kryeministër me pushtetin tënd absolut, jo për veten tënde, por për Shqipërinë?

Por na duhet ndërkaq të theksojmë që historia na e ka shprehur qartë se, në politikë, absolutizmi i një kryeministri ndaj pushtetit nuk e krijon dot evolucionin organik të zhvillimit kombëtar, në rast se ky evolucion kombëtar organik pengohet nga dëshira patologjike e kryeministrit për një pushtet absolut.

E pra, pikërisht kjo është arsyeja pse e theksuam këtë në një tiradë të shkurtër si kjo, që ne shqiptarët të mos lejojmë më të na krijohet në Shqipëri sërish një kryeministër absolut; sepse ne e patëm rastin historik dhe e provuam në dyzet vite rresht pushtetin absolut patoligjik të një kryeministri që e zhyti Shqipërinë në një periudhë historike kriminale që zgjati 40 vite rresht. 

Lini një Përgjigje

Editorial