TAGS-AT E JAVËS

Editorial19 Prill 2025, 14:01

Militantizmi i verbër, arsyeja pse liderët autoritarë kanë sukses

Shkruar nga Andrey Smolyakov
Militantizmi i verbër, arsyeja pse liderët autoritarë kanë
Foto ilustrim

Studimet arrijnë në përfundimin se për votuesit, premtimet dhe politikat e kandidatëve janë shumë rrallë të rëndësishme. I vetmi faktor relativisht objektiv që ndikon është ekonomia, por edhe kjo logjikë nuk funksionon vitet e fundit...

Në vitin 2024, Michael Graugnard, një këshilltar juridik i Departamentit të Bujqësisë të SHBA-së, votoi për Donald Trumpin. Ai ishte i bindur për aftësinë e këtij të fundit për t’i zgjidhur problemet ekonomike. Tre muaj më vonë, Graugnard dhe mijëra kolegë të tij në qeverinë federale u pushuan nga puna.

Siç mund të pritej, Graugnard është i pakënaqur me këtë gjë. Pozicioni që humbi ishte puna e tij e ëndrrave, për të cilën së fundmi ishte detyruar të ndërronte edhe shtëpi së bashku me gruan e tij shtatzënë dhe një fëmijë. Ndërsa e mbështet reformën për një qeveri më efektive, thotë se “nuk votoi që ajo të zbatohet ashtu siç po ndodh”.

Gjithsesi, Graugnard nuk është penduar për votën e tij: ”Unë mbështes ende të gjitha qëllimet e administratës Trump!”. Edhe Bradley Bartell nga Wisconsin, nuk pendohet që votoi për Trumpin,  edhe pse gruaja e tij, një shtetase peruane në procesin e marrjes së lejes për qëndrimin e përhershëm në SHBA, u arrestua në kufi sipas politikës së administratës së re, kur çifti Bartell po kthehej nga muaji i mjaltit.

Por Bartell refuzon që ta fajësojë Trumpin për ndonjë gjë: “Ai ka shansin ta përmirësojë sistemin, edhe nëse nuk e ka projektuar vetë atë”. Mjerisht, Grognard dhe Bartell nuk janë rastet e vetme.

Edhe në mesin e pushimeve masive nga puna, rritjes së ndikimit të korporatave në Shtëpinë e Bardhë, premtimeve të shkelura, një ekonomie në luhatje të fortë dhe konsolidimit të pushtetit në degën ekzekutive, 95 për qind e votuesve të Trump mbeten besnikë ndaj presidentit të tyre.

Në demokraci, një politikan që zbaton politika të dështuara apo që i degradon qëllimisht institucionet demokratike, duhet të pësojë humbje të mbështetjes publike. Megjithatë, vitet e fundit, votuesit kanë qëndruar gjithnjë e më shumë besnikë ndaj liderëve të tyre, pavarësisht sjelljes skandaloze dhe autoritare të këtyre liderëve.

Pse ndodh kjo? Një shpjegim e ofron “Ndiq udhëheqësin?”, libri i profesorit të Universitetit të Kalifornisë, Gabriel Lenz. Sipas tij, votuesit priren të injorojnë programet politike të kandidatëve, dhe edhe nëse e dinë saktësisht se çfarë ofrojnë kandidatët, vështirë se u intereson ndonjëherë.

Për shembull, gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA në vitin 1980, votuesit që mbështesnin një politikë të jashtme agresive, nuk kishin më shumë gjasa të votonin për Reganin, edhe pse ai pasqyronte pikëpamjet e tyre. Në vitin 1948, mbështetësit e sindikatave nuk kishin më shumë gjasa se kundërshtarët të ndryshonin mbështetjen e tyre ndaj Truman, kandidati pro të drejtave të punëtorëve.

Pas analizimit të shumë shembujve, Lenz arrin në përfundimin se për votuesit, premtimet dhe politikat e kandidatëve janë shumë rrallë të rëndësishme. Në përgjithësi ata priren të injorojnë programet politike të kandidatëve. I vetmi faktor relativisht objektiv që ndikon në sjelljen e votuesit mesatar është ekonomia, por edhe kjo logjikë nuk funksionon vitet e fundit.

Ekonomia amerikane u rrit me shpejtësi nën presidencën Biden, dhe u trondit pas kthimit të Trump. Por ky fakt pati shumë pak ndikim në zgjedhje. As opinionet e hapura të figurave publik, nga aktorët dhe muzikantët, tek fituesit e çmimeve Nobel dhe profesorët, nuk mund t’i largonin mbështetësit e Trump nga kampioni i tyre i preferuar.

Lenz thotë se vitet e fundit, votuesit amerikanë janë bërë gjithnjë e më shumë të përkushtuar ndaj “kursit partiak”, dhe gjithnjë e më armiqësorë ndaj kundërshtarëve të tyre politikë. Votuesit në SHBA kanë demonstruar gatishmërinë e tyre për të falur një kandidat që organizoi një sulm të dhunshëm ndaj parlamentit, për disa dënime penale apo krijimin e një kriptomonedhe mashtruese, për sa kohë që shkelësi i rregullave është “njëri nga ne”, dhe për sa kohë që ai siguron humbjen e “palës tjetër”.

Rritja e besnikërisë ndaj liderëve dhe polarizimi në rritje, e shndërrojnë politikën në një lloj sporti, me synimin për të fituar me çdo kusht. Ndërsa antipatia ndaj kundërshtarëve politikë po rritet në të gjithë spektrin politik, mbështetësit e krahut të djathtë janë më të ndjeshëm.

Sondazhet tregojnë se votuesit konservatorë dhe të djathtë janë politikisht më agresivë dhe më kërkues se të tjerët në shoqëri. Për më tepër, analistët besojnë se ishte mospëlqimi dhe armiqësia ndaj rivalëve politikë, ato që i bënë bashkë mbështetësit e Donald Trump.

Dallimi shihet qartë në mediat sociale dhe kulturën popullore. Retorika e ashpër u bë më e përhapur pas fitores së Trump në vitin  2016. Karikaturisti i njohur i të djathtës John McNaughton e pranon se një nga qëllimet e punës së tij është “të ngacmojë të majtën”.

Edhe tubimet e Trump sillen shpesh rreth talljes së kundërshtarëve. Për shembull në vitin 2018, Trump u tall me miratimin e turmës me Christine Ford, gruan që akuzoi për përdhunim të zgjedhurin e tij si anëtar në Gjykatën e Lartë Brett Kavanaugh. Po ashtu shumëkush e kujton sesi ndihmësi i afërt i Trump, Corey Lewandowski, tallej me historinë e një vajze me Sindromën Down të ​​ndarë në kufi nga prindërit e saj.

Sot, kjo strategji është bërë de facto politika mediatike e Shtëpisë së Bardhë. Llogaria zyrtare e Trump në platformën X është e mbushur me tallje dhe meme. Besnikëria ndaj “miqve” është një anë tjetër e medaljes. Pjesërisht, kjo mund të jetë arsyeja pse Donald Trump refuzoi të pushonte anëtarët e administratës të përfshirë në skandalin që shpërtheu pasi Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Michael Waltz ftoi kryeredaktorin e The Atlantic në një bisede sekrete me pjesëtarë të tjerë të administratës.

Pra krahas shfaqjes së armiqësisë më të madhe ndaj “kundërshtarëve”, votuesit e krahut të djathtë tregojnë një gatishmëri më të madhe për t’i falur shkeljet “miqve” të tyre. Një studim i Fondacionit Friedrich Ebert tregon se mbështetësit e AfD-së në Gjermani, Demokratëve të Suedisë në Suedi dhe Fidesz në Hungari janë të gatshëm të mbyllin njërin sy ndaj prirjeve autoritare të liderëve të tyre, për sa kohë që nuk vijnë në pushtet “armiqtë”.

Një studim mbi psikologjinë politike, i fokusuar në SHBA, arriti në një përfundim të ngjashëm. Mbështetësit e Partisë Demokratike reagojnë më negativisht ndaj sjelljeve të pahijshme ose veprimeve imorale të politikanëve demokratë sesa mbështetësit republikanë kur akuzohen figura të krahut të tyre, dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për akte neglizhence.

Në 36 për qind të rasteve, përkatësia në një krah politik, ishte një arsye e mjaftueshme për të injoruar çdo sjellje të keqe. Një besnikëri e tillë është e natyrshme për një grup të caktuar votuesish. Politologët Sofia Vasilopoulou dhe Daphne Halikiopoulou, përshkruajnë dy lloje votuesish të së djathtës ekstreme: mbështetësit ideologjikë “kryesore” dhe ata “periferikë”, të përbërë nga ata që votojnë për shkak të zhgënjimit me sistemin.

Më shpesh, këta të fundit kërkojnë një mënyrë për të ndëshkuar qeverinë dhe zgjedhur populistët si një formë proteste, ndërsa të parët vërtet udhëhiqen nga parimet, dhe më e rëndësishmja, nga ato që dallojnë “miqtë” nga “armiqtë”.

Votuesit kryesorë janë të bindur se grupi i tyre - qoftë ai i bazuar në etni, ideologji apo ndonjë gjë tjetër - “meriton” më shumë se të tjerët demokracinë dhe të mirat publike. Ata i shohin kundërshtarët e tyre politikë si konkurrentë për burimet e kufizuara. Në rrethana të tilla, qëndrimi i ekstremit të djathtë kundër migracionit, rrjedh logjikisht nga perceptimi i të ardhurve si një kërcënim.

Për shumë mbështetës të krahut të djathtë, identiteti etnik është parametri kryesor që dikton zgjedhjet e tyre. Një studim nga Universiteti Radboud në Holandë, shpjegon se ky nuk është një rast i identitetit pozitiv, por e kundërta. Thënë thjesht, e djathta ekstreme nuk votohet për shkak të krenarisë për kombin, arritjet e tij apo veten e tyre, por për një ndjenjë kërcënimi, qoftë nga emigrantët, disidentët apo dikush tjetër.

Në SHBA, 82 për qind e votuesve thonë se demokracia është një gjë e mirë, por ata janë të gatshëm të rishikojnë idealet e tyre demokratike nëse është e nevojshme. Më shumë se 50 për qind e republikanëve gjatë mandatit të parë të Trump mbështetën ligjet e tij të njëanshme.

Sot, 76 për qind e tyre e mbështesin Trump në kundërshtimin e tij ndaj vendimeve të gjykatës. Nëse një lider vepron sipas interesave të tij, ata nuk e kritikojnë për sjelljen e tij jodemokratike, përkundrazi e justifikojnë. Shumica e votuesve të Trumpit nuk ndihen në siklet për sjelljen e tij jodemokratike, për sa kohë që ai vepron në interesin e tyre më të mirë. Paradoksalisht, ata e quajnë veten pro-demokracisë, edhe pse mbështesin politikat autoritare. Pse? Sepse besojnë se nëse demokracia mbron “armiqtë’, ajo në mënyrë të pashmangshme i dëmton ata. Prandaj, sipas tyre është normale që nganjëherë të injorohen parimet e saj. Për pasojë, ndërsa 92 për qind e republikanëve ishin të bindur në vitin 2022 për nevojën e mbikëqyrjes nga Kongresit të administratës së Joe Biden, në vitin 2019 vetëm 65 për qind mendonin të njëjtën gjë për presidentin Trump.

Po ashtu, ndërsa përpara zgjedhjeve të vitit 2020, 81 për qind e republikanëve mendonin se humbësi duhet të pranonte humbjen, 62 për qind e tyre refuzuan të njihnin Joe Biden si presidentin legjitim pas daljes të rezultateve. Sipas studimeve psikologjike , liderët e krahut të djathtë dhe populistë i ripërcaktojnë me sukses idealet morale.

Për shembull, ata i japin përparësi besnikërisë, autoritetit dhe solidaritetit brenda grupit. Trump e konfirmon në mënyrë eksplicite këtë: “Unë e vlerësoj mbi të gjitha besnikërinë, madje edhe mbi inteligjencën, forcën dhe energjinë…”.

Instituti Cato, shkruan se mbështetësit e Trump kishin 3 herë më shumë gjasa sesa votuesit e Hillary Clinton që të vlerësonin 3 gjëra: rendin, besnikërinë dhe traditën. Standarde të tilla morale, i lejojnë votuesit të pajtohen me kontradiktat e brendshme. Të njëjtat veprime që në rrethana të tjera mund të etiketoheshin jo demokratike, ri-imagjinohen si të nevojshme për mbrojtjen e rendit, mbijetesën e grupit dhe “idealet e shenjta”.

Ksenofobia dhe radikalizimi nuk vijnë nga hiçi. Mbështetësit e liderëve populistë dhe ncionalistë besojnë se armiqtë e jashtëm - si globalizimi apo “multikulturalizmi” - përbëjnë një kërcënim serioz jo vetëm për trashëgiminë kulturore por edhe mirëqenien ekonomike.

Politikanët populistë, e përdorin shpesh frikën ekonomike për t’i kthyer njerëzit kundër “të huajve”. Emigrantët dhe pakicat portretizohen si konkurrentë për vendet e punës dhe përfitime sociale. “Të huajt” nuk shërbejnë vetëm si një “kërcënim i jashtëm” i përshtatshëm për politikanët populistë, por edhesi  konkurrentë në luftën për bukën e përditshme./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The Insider”

militantizmi i verbër liderët autoritarë kanë sukses

Lini një Përgjigje

Editorial