TAGS-AT E JAVËS

Editorial 3 Maj 2025, 16:04

Si po e privatizon partinë e socialistëve “beu” i sardeleve

Shkruar nga Pamfleti
Si po e privatizon partinë e socialistëve “beu” i
Gjergj Luca /

Roli i ekzagjeruar politik i biznesmenit, loja e favoritëve dhe si po shndërrohet partia në ndërmarrje klienteliste...

Gjergj Luca është kthyer në një figurë mediatike që dominon rrjetet sociale, duke u shfaqur si një patronazhist real dhe klient i rëndësishëm i Partisë Socialiste.

Në daljet publike, Luca, i njohur për retorikën e tij të ekzagjeruar dhe për lidhjet me "të fortët" në Shqipëri, pretendon se i ka siguruar PS-së fitore elektorale në Lezhë në vitin 2013, më vonë në Elbasan, dhe së fundmi në Shkodër, ku prezantoi nipin e tij si kandidat për deputet.

Luca pretendon publikisht se ka qenë ai faktori kyç i fitores së socialistëve në Lezhë, duke e paraqitur këtë sukses si një hakmarrje ndaj Partisë Demokratike, që sipas tij e kishte çuar në falimentim.

Realiteti historik tregon ndryshe: Lezha ka qenë bastion socialist që në vitin 1992, kur PS fitoi bashkinë me Agron Dibrën. Në Mirditë, socialistët historikisht kanë marrë mbi 50% të votave, ndërsa në Kurbin kanë nxjerrë deputetë edhe në vitin 1997, gjatë krizës së rëndë.

Në Elbasan, ku Luca mori fabrikat thuajse falas nga qeveria Rama, ai nuk bëri asnjë zbulim të veçantë. Zona e Labinotit dhe Elbasanit historikisht ka qenë një qendër e fuqishme e mbështetjes socialiste që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore.

Madje edhe në Dukagjin, ku mësuesi i ndjerë Lekë Çukaj fitoi kundër një figure të lartë të PD-së si Ali Spahia, sukseset socialiste janë rezultat i një tradite të gjatë politike dhe jo i "magjisë" së Lucës.

Megjithatë, protagonizmi i Lucës nuk është aspak i rastësishëm. Ai e ekzagjeron rëndësinë e vet politike sepse kjo i tolerohet nga Edi Rama. Kryeministri mund ta "squllë" entuziazmin e tij të tepruar me një telefonatë të vetme, por nuk e bën këtë sepse protagonizmi i Lucës shërben si simbol i modelit të ri klientelist që po ndërton PS-ja.

Në thelb, Gjergj Luca është fytyra e një sistemi ku Partia Socialiste po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një ndërmarrje klienteliste, ku "Babloku" delegon fuqitë dhe benefitet tek klientët dhe "bejlerët" që lëvizin sipas interesave momentale.

Në këtë sistem, Luca nuk është asgjë tjetër veçse një version modern i LSI-së, që megjithëse operon pa retorikën politike të Ilir Metës, ka të njëjtën logjikë të shfrytëzimit të pushtetit për interesa personale./Pamfleti

beu i saedeleve gjergj luca partia socialiste

Lini një Përgjigje