
Drejtësia speciale po hesht para pazareve të Ramës dhe Berishës për Parlamentin e ri. Prokurorët e SPAK-ut, që duhej të ishin në krye të detyrës, kanë ngritur flamurin e bardhë, duke u dorëzuar përpara presionit politik. Shqiptarët duhet të votojnë me sy hapur, pasi më 11 maj mund të vulosin një tjetër Parlament plot hajdutë, ndërsa drejtësia do vazhdojë të heshtë.
SPAK-u është kthyer në flamurin e bardhë të kapitullimit, në dorëzimin e turpshëm përballë dyshes Edi Rama e Sali Berisha. Nuk është hera e parë që drejtësia speciale kapitullon, por kësaj radhe dorëzimi është fatal, pasi bëhet fjalë për të ardhmen e një vendi që më 11 maj rrezikon të prodhojë sërish një Parlament hajdutësh e kriminelësh.
Edi Rama dhe Sali Berisha nuk i duan fort ushtarët që dorëzohen, qoftë edhe për të shpëtuar jetën e tyre. Ata preferojnë ushtarë që vjedhin vota dhe bëjnë pazare në terren, duke shitur e blerë mandatin e deputetit. Dhe ky pazar nuk bëhet në fshehtësi, por haptazi, derë më derë, fshat më fshat, duke përdorur sekserë me thasë të fryrë parash.
Kudo që të pyesësh nëpër Shqipëri, në çdo fshat e lagje, njerëzit e dinë mirë çmimin e votës. E vetmja strukturë që ende nuk e ka mësuar këtë çmim janë prokurorët e SPAK-ut, të cilët kanë marrë rrugët e 12 qarqeve dhe 61 bashkive jo për të hetuar krimin elektoral, por për të bërë sikur nuk shohin.
Pse hesht SPAK-u, kjo strukturë që paguhet pikërisht për të zbuluar dhe ndëshkuar blerjen e votës? Përgjigja është e qartë: prokurorët kanë zgjedhur të mbrojnë kokën e tyre, me shpresën se më 11 maj nuk do të ketë ndryshime të mëdha, dhe ata do të vazhdojnë të marrin pagën e majme, pa bërë punën për të cilën janë betuar.
Rama e Berisha nuk shqetësohen aspak nga fakti që SPAK-u nuk arreston hajdutët e votave. Përkundrazi, ata monitorojnë me kujdes se sa punojnë prokurorët që hajdutët e tyre të preferuar të bëhen deputetë.
Ju që do të votoni më 11 maj, hapini sytë mirë dhe bëjini këmbët gju, sepse kjo është mundësia e fundit për të mos u ankuar më pas. Nëse e shisni votën sot, nesër mos prisni drejtësi nga SPAK-u që tashmë ka ngritur flamurin e bardhë dhe ka kapitulluar përballë dyshes Rama-Berisha.
Këtë herë nuk ka më justifikime, pasi të gjithë e dimë çfarë na pret./Pamfleti
Lini një Përgjigje