TAGS-AT E JAVËS

Editorial12 Maj 2025, 06:21

Kur Goliathin nuk ka kush ta sfidojë

Shkruar nga Gjergj Zefi
Kur Goliathin nuk ka kush ta sfidojë
Edi Rama /

Në një garë të paralajmëruar pa fitues të rinj, Shqipëria zgjohet me një Goliath të paprekshëm dhe pa asnjë David që guxon të dalë në duel…

Votimet e 2021-shit sollën një lloj gjallërimi: opozita, sado e përçarë, sado e drejtuar nga liderë që nuk besonin më as vetë në atë që thoshin, arriti të gjeneronte një lëvizje. Kundër Edi Ramës u ngrit një energji që vinte më shumë nga urrejtja se sa nga besimi. Dhe gjithsesi, u krijua një iluzion gare.

Në votimet e sotme, ky iluzion ka vdekur.

Panorama është dramatike, jo për rezultatin; sepse ai mund të matet në numra, por për pasojën psikologjike që prodhon: vdekjen e shpresës. Dhe shpresa, thonë neuroshkencëtarët, është kimia më e rëndësishme e trurit për të parë dritë në fund të tunelit.

Por këto nuk janë zgjedhje. Janë një garë e deformuar, ku përballë nuk kemi të vjetrën dhe të renë, por dinosaurë politikë që nuk pranojnë të largohen dhe një brez të ri të ndrojtur, të pavendosur, pa këllqe, që ende nuk ka dalë në duel.

Shqipërisë i mungon Davidi. Në legjendën e vjetër, ai ishte i vogël, i dobët në dukje, por me guxim dhe mendje për të sfiduar Goliathin. Tek ne, Goliathi është i plotfuqishëm: ka shtetin, ka paratë, ka patronazhin, ka propagandën, ka gjithçka. Madje ka edhe banditët e dikurshëm të Saliut, që sot i shërbejnë Edit më me shumë zell.

Nuk është vetëm çështje vitesh në pushtet. Edi Rama ka ndërtuar një strukturë të thellë, të pamëshirshme, ku politika është përzier me krimin dhe pastrimin e parave në mënyrë të padallueshme.

Ka në krah patronazhistë, oligarkë dhe militantë të lindur nga dhuna, si rastet në Vorë apo Shkodër, që deri dje i shërbenin Berishës, dhe sot i janë nënshtruar Ramës.

Ndërkohë, kundërshtarët e tij, sado që i dëshirojnë humbjen, janë të pafuqishëm për ta realizuar. Berisha është simboli i të shkuarës së errët, Meta është pa dhëmbë dhe pa ndikim, Basha është pa bosht, dhe të rinjtë që duhej të ishin ndryshe, janë ose të përlyer, ose të pashpresë.

E vetmja gjë që na mbetet, është të presim përfundimin e numërimit. Do dëgjojmë të njëjtën këngë qyqesh, të njëjtat akuza, të njëjtat viktimizime. Por ajo që nuk ndryshon është fakti i hidhur: populli nuk ka mjet për të rrëzuar Goliathin, sepse nuk ka ende një David përballë. Dhe Goliathi i sotëm, është më i rrezikshëm se i djeshmi: është më i sofistikuar, më i kamufluar dhe më i djallëzuar.

Për këtë arsye, këto votime nuk janë zgjedhje; janë një tjetër akt në dramën politike shqiptare ku gara është pa sfidantë dhe shpresa është pa adresë./Pamfleti

goliathi edi rama

Lini një Përgjigje