TAGS-AT E JAVËS

Editorial14 Maj 2025, 10:22

Fitorja që nuk e dëgjoi askush

Shkruar nga Gjergj Zefi
Fitorja që nuk e dëgjoi askush
Edi Rama /

 
Heshtja ndërkombëtare si votë mosbesimi për Edi Ramën...

Edi Rama i fitoi zgjedhjet e 11 majit, por jo duartrokitjet. Nuk pati telegram urimesh nga Uashingtoni, as fraza protokollare nga Berlini, madje as batuta miqësore nga Ankaraja. “Fitorja e madhe” e Sulltanit të Rilindjes u shoqërua nga një heshtje edhe më e madhe, një heshtje që flet më shumë se çdo deklaratë.

Në vitin 2021, për zgjedhjet e fundit parlamentare, ambasadorja Yuri Kim ishte ndër të parat që certifikoi me një “tweet” fitoren e PS-së. Më pas, Departamenti Amerikan i Shtetit doli me deklaratë zyrtare. Rama ndjehej si i bekuar nga perëndimi.
Këtë herë? Asgjë! Asnjë fjalë! As nga ambasadori, as nga Sekretari i Shtetit, as nga ndonjë zyrtar i dorës së tretë në Byronë për Ballkanin. Presidenti Donald Trump ishte në Rijad, duke firmosur kontrata miliardëshe me princin saudit. Shqipëria? Jashtë radarit!

Heshtje nga Berlini, Parisit i ka ikur entuziazmi, Erdogan i ngrirë!

Gjermania që tradicionalisht ka qenë monitori më i qartë i qëndrimeve ndaj Ballkanit, heshti totalisht. Asnjë fjalë nga kancelari i ri Friedrich Merz. Asnjë rresht nga Olaf Scholz, që edhe pse në largim, ka qenë figura më e rëndësishme e socialdemokracisë gjermane.
Një heshtje që nuk vjen nga harresa, por nga qëndrim i ftohtë ndaj një lideri që në Berlin shihet gjithnjë e më shumë si problem dhe jo si partner.

Franca e Macronit, që dikur ia varte medaljen në gjoks Edi Ramës dhe i dhuronte atlete për stilin “rebel të një socialisti ballkanik”, nuk ka thënë asnjë fjalë. Nuk ka as mesazh protokollar, as komunikatë, asgjë.
Micotaqis nga Greqia, tjetër aleat strategjik i BE-së, jo vetëm që nuk e ka uruar, por pritet të dalë publikisht për shkeljet në Himarë, aty ku vota është dhunuar përmes emigracionit, frikës dhe moslejimit të kandidaturave të pavarura.

Dhe mbi të gjitha, heshtja që vret më shumë është ajo që vjen nga Ankaraja. Presidenti Erdogan, që në 2021 i dhuroi Ramës një spital në Fier për fushatë, sot është i heshtur, i ngrirë, i mënjanuar. Qarqe pranë tij në Ankara tashmë flasin për ftohje serioze me Edi Ramën, që përflitet se është rreshtuar më afër lobit izraelit dhe interesave që nuk përputhen më me qasjen neo-otomane të Turqisë.

Faqja zyrtare e ambasadës turke në Tiranë,  që dikur numëronte çdo takim me Ramën i ka pushuar postimet që prej 30 prillit. Shenja e një “ngricë diplomatike” që vetëm sa ka nisur.

Kush e përshëndeti Ramën? Meloni, Zelensky dhe një ‘britanik në hall’

Nga e gjithë harta e botës, Edi Rama publikoi me krenari vetëm tre urime: Giorgia Meloni, tashmë mikja e kampit të Gjadrit; Volodimir Zelensky; dhe britaniku Keir Starmer, i cili më shumë ka nevojë për aleatë të huaj sesa për t’u shprehur për vlerësimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ah se desh harrova, edhe Viktor Orban!

Është një listë sa ironike, aq edhe e çalë. Meloni i përket skajit tjetër ideologjik dhe përfaqëson atë “rëndësi gjeopolitike që vjen me çmim refugjatësh”. Zelensky është në luftë. Starmer është në tranzicion. Asnjëri nuk është certifikues i një demokracie funksionale. Asnjëri nuk e përfaqëson standardin që Rama do të donte për veten.

Një fjalë nuk u tha, sepse gjithçka është thënë

Heshtja është refuzim me klas. As SHBA, as BE, as fuqitë rajonale nuk thanë asgjë, sepse nuk donin të gënjenin më. Në vend të përshëndetjes për “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ata zgjodhën të mos e përmendin Shqipërinë fare.

Dhe kjo është më e rëndë se çdo kritikë. Sepse në diplomaci, kur nuk të thonë gjë, do të thotë se ke rënë nga lista e interesit të vërtetë politik. Të tolerojnë, por nuk të konsiderojnë më.

Nëse Edi Rama donte të dëgjonte ndonjë duartrokitje për “fitoret historike”, ajo nuk do të vijë nga Perëndimi. Ajo do të vijë nga zërat që e përdorin, e lënë të fitojë në territor, por e kanë ndarë mendjen se nuk do ta çojnë më askund përtej Shqipërisë.

Sepse nuk ka më fitore kur nuk ka më besim. Dhe heshtja e perëndimit është vota e parë e mosbesimit ndaj njeriut që flet me botën në emër të një republike që nuk e përfaqëson më askush./Pamfleti

fitorja që nuk e dëgjoi askush gjergj zefi

Lini një Përgjigje