TAGS-AT E JAVËS

Editorial13 Maj 2025, 16:14

Shqipëria, Republika që po tretet nën një emër

Shkruar nga Gjergj Zefi

 

Shqipëria, Republika që po tretet nën një emër
Edi Rama /

Paralele nga Tirana në Romë; kur demokracitë gjunjëzohen para një emri...

Po ndodh një orkestrim i heshtur në Evropë. Në Itali e nisi Meloni. Në Shqipëri e ka përfunduar Edi Rama. Të dy po ndërtojnë skema që nuk prodhojnë më as qeveri, as opozitë; por një lider të vetëm, me pushtet absolut dhe me popull në gjunjë. Demokraci në letër, demokraturë me firmë.

Në Itali, Giorgia Meloni po kërkon ta shesë një model “efikasiteti institucional” përmes një ligji zgjedhor me bonus pushteti. E gjitha për të ndërtuar një qeveri që nuk pyet më askënd: as parlamentin, as opozitën, as presidentin.
Në Shqipëri, Edi Rama e ka kaluar këtë fazë. Ai s’ka më nevojë për bonus. Ka kapur gjithçka: parlamentin, drejtësinë, territorin, dhe së fundmi edhe shumicën cilësuese.

Por kjo nuk i mjafton. Jo, ai ka nevojë për tjetër lartësi, tjetër fron. E ka vendosur: do të bëhet President i Republikës. Por jo si ceremonialët që luajnë shah në Presidencë. Jo! Ai kërkon Presidencën që kontrollon gjithçka, një super-president me kompetenca të rishkruara, me ‘sovranin’ vulë dhe parlamentin dekor.

Kjo është skema. Kjo është rruga që po shtrohet sot, fjalë pas fjale, nen pas neni, tender pas tenderi, për ta kthyer Shqipërinë në një republikë me një kokë të vetme dhe shumë duar që vetëm duartrokasin.

Rama nuk kërkon pushtet – ai kërkon përjetësi

Ky nuk është thjesht transformim institucional. Ky është projekt personal, një plan biologjik. Sepse Rama nuk po mendon më si politikan, po mendon si përjetësi e nevojshme, si “ati themelues” i një shteti që nuk duhet të funksionojë kurrë pa të.

Ai nuk po ndërton institucione, por po gdhend përmendore për veten. Ndaj nuk ka rëndësi nëse qeveria funksionon. Mjafton që ta përjetësojë veten në një format të ri, ku përballë nuk ka më opozitë, por përdorim politik të saj si një alibi pluralizmi.

Dhe opozita, më e përlyer se kurrë, i ka vënë vetes vetëm një mision: të mbajë Ramën në pushtet përmes paaftësisë së saj. Të jetë gërmadhë funksionale që i shërben propagandës së tij për të thënë: “Shihni çfarë kam përballë, si të mos më doni mua?”.

Nga Meloni te Rama: E njëjta skemë, e njëjta ambicie, por jo e njëjta shpejtësi

Meloni do të ketë përballë Mattarellën, Gjykatën Kushtetuese, opozitën, median. Rama nuk ka përballë më asgjë, veç një mur të dërrmuar heshtjeje. Dhe ai e di. Ndaj po nxiton. Nëse nuk vjen ndonjë sinjal nga SHBA, nga ndonjë dosje e hapur e McGonigal, askush brenda nuk ka më fuqi të thotë: ndal!

Ai do të hyjë në histori si kryeministri që u bë president, presidenti që sundoi pa limit, sundimtari që nuk la më asnjë mundësi për rrotacion, vetëm për pasues të zgjedhur prej tij.

Shqiptarët, nga ana tjetër, ndodhen përballë një zgjedhjeje të heshtur: të rrinë me duar në xhepa duke parë si humbin republikën, apo të kuptojnë më në fund se as “e keqja më e vogël” nuk është më zgjidhje. Sepse ata që ndërtojnë shtetin mbi vetveten, janë gjithmonë të përkohshëm, por rrënojat që lënë pas, janë shumë të rënda./Pamfleti

edi rama republika tretet nën një emër

Lini një Përgjigje