TAGS-AT E JAVËS

Editorial21 Maj 2025, 09:36

100 ditët e vetmisë: si e sakrifikoi Sulltani krijesën e tij politike

Shkruar nga Pamfleti

 100 ditët e vetmisë: si e sakrifikoi Sulltani krijesën e tij

Erion Veliaj nuk u rrëzua nga drejtësia, por nga Edi Rama. Ishte një “Mustafa” modern që u bë shumë popullor dhe duhej asgjësuar. Sot, ai ka vetëm një zgjidhje: të rikthehet jo si viktimë, por si kundërshtar...

Erion Veliaj ka shpërndarë dje një mesazh të kujdesshëm pas 100 ditësh në izolim. E morën nga zyra e kryebashkiakut, në një ditë shkurti, përmes një agjenti të BKH-së. Ai nuk bën viktimën, por është i qartë: do të ndjekë rrugët ligjore dhe do të kundërshtojë akuzat. E derisa të provohet fajësia a pafajësia e tij, e ka të drejtën të flasë si i tillë.

Por ajo që është përtej dosjes, është realiteti politik. Sepse në këtë histori, nuk është SPAK që e goditi Veliajn, por Edi Rama. Në historinë e Sulltanëve, vjen një moment kur djali i madh, më popullor, më i pëlqyer nga “jeniçerët”, duhet vrarë. Sepse për Sulltanin, froni është më i rëndësishëm se gjaku.

Siç e bëri Sulltan Sulejmani me Mustafain. Siç e bëri Erdogani me Davutoglun. Ashtu e bëri edhe Edi Rama me Erion Veliajn. Sepse krijesa guxoi të bëhej figurë politike. Dhe kjo nuk falet.

Veliaj nuk është Berisha, nuk është Meta. Nuk është as pesha e një krahu të vjetër të sistemit. Ai është produkt i drejtpërdrejtë i Edi Ramës, i rritur me dorën e tij, i mbështetur në çdo hallkë, i përdorur për të rrëzuar Fatos Nanon, për të thyer Ilir Metën, për të qetësuar ndërkombëtarët.
Por në momentin që shfaqet si profil i mëvetësishëm, si njeri me mbështetje në Tiranë, me vota reale dhe me ambicie për më shumë, Rama bën atë që bën çdo autokrat: e asgjëson.

Sot, të gjithë njerëzit e Veliajt janë të djegur. Kandidatët e lidhur me të nuk kaluan. Administrata e bashkisë është pastruar nga të tijtë. Ai nuk është më kryetar i Bashkisë së Tiranës, as de facto, as de jure. Politika e tij është zhbërë. Rrjeti është shpërbërë.
Vetëm një emër, Fatmir Xhafaj, ka mbijetuar. Dhe ai është aty jo si trashëgimi e Veliajt, por si negociator i Ramës për reformën në Drejtësi.

Blendi Gonxhe mori më shumë vota se çfarë i duhej, duke thyer rregullin që Rama vetë vendosi: që kandidatët të bëjnë fushatë vetëm në zonën e tyre. Kjo ishte nxehja e motorëve për bashkinë. Dhe sinjali që gara për Tiranën është hapur, por Veliaj është jashtë saj.

A e ka kuptuar këtë Veliaj gjatë 100 ditëve në qeli?

A e kupton se nuk ka më kthim në PS, në administratë, në strukturë?

Që nuk ka më listë për të?

Që ka mbetur vetëm me diplomën e tij të Londrës, me anglishten e mirë dhe me përvojën në OJF?

Se nëse kthehet si drejtues i një NGO-je, do të jetë qesharak. Ai nuk është më një këshilltar i dikujt, por një ish-kandidat për fron. Dhe i vetmi vend ku mund të rikthehet është të sulmojë atë që e tradhtoi.

Po, Rama i dha gjithçka. Por edhe Sulejmani e bëri Mustafain trashëgimtar. Derisa i preu fytin. Nëse Veliaj nuk e kupton këtë, atëherë nuk ka më vend në politikë.

Nëse e kupton, ka vetëm një rrugë: të kthehet në skenë jo si peng, por si kundërshtar.

Sepse kur babai të bën kurban, nuk të mbetet gjë tjetër veçse ta vrasësh politikisht. Sepse ka edhe ‘gjak për të marrë’./Pamfleti

100 ditët e vetmisë sulltani erion veliaj

Lini një Përgjigje