Deklarata për dorëheqje është mashtrim; ndalimi i rivalëve dhe ndryshimet kushtetuese zbulojnë planin e vërtetë të ‘Sulltanit’ të Ankarasë
Kur një lider autoritar deklaron se “nuk ka ndërmend të rikandidojë”, bota duhet të bëhet dy herë më vigjilente. Recep Tayyip Erdogan, autokrati më jetëgjatë i Turqisë moderne, tha më 23 maj se nuk do të kërkojë një tjetër mandat presidencial. Por historia na mëson se kur autokratët flasin për dorëheqje, zakonisht po planifikojnë qëndrimin.
Pas 22 vitesh në pushtet, me një Kushtetutë që ai e ka përthyer sipas nevojës dhe një sistem gjyqësor të frikësuar, Erdogan është më pranë një sundimtari të përjetshëm sesa një presidenti demokratik. Nga ndryshimet kushtetuese të kaluara, te arrestimet e opozitës, ai ka ndërtuar një sistem që e ka larguar Turqinë nga ideali i një republike sekulare dhe e ka futur në hije të një neo-osmanizmi autoritar.
Deklarata e tij për “mungesë interesi” për një tjetër mandat përkon çuditërisht me përpjekjet për një Kushtetutë të re, të cilën ai e quan “civile”, por që synon të zhbëjë kufizimet për qëndrimin në pushtet. Fjalët e bukura për “reforma” fshehin etjen për përjetësi.
Arrestimi i Ekrem Imamoglu, kryetarit të Bashkisë së Stambollit dhe rivalit më serioz të Erdoganit, është prova më e qartë se ai nuk ka ndërmend të largohet me votë. Përballë këtij skenari, bota demokratike hesht ose mban qëndrime të buta, duke i lënë shteg të lirë një lideri që nuk i bindet më as ligjit, as opinionit publik.
Nëse historia e fundit e Lindjes së Mesme ka një leksion, ai është ky: autokratët nuk largohen me deklarata. Ata largohen vetëm kur popujt nuk u besojnë më asnjë fjalë./Pamfleti
Lini një Përgjigje