Burime brenda mazhorancës bëjnë të ditur se përpara se të shkojë në takimin “festiv”, Rama ka takuar disa diplomatë të rëndësishëm, nga ku ka dalë me ‘re të zeza’.
Aktrimi pas çdo fitoreje elektorale, kur shfaqet me kurriz të ulur e i prekur nga përgjegjësia e madhe, është bërë një spektakël i njohur për të katërtën herë radhazi.
Por fytyra e Edi Ramës, në fjalimin “festiv” në Pallatin e Brigadave, ishte krejt ndryshe nga herët e tjera. Krahasuar edhe me atë të “fjalimit falënderues” mbajtur në sheshin “Skënderbej”, ku shfaqej i eksituar, në takimin e Pallatit të Brigadave, Babloku i Imer Lalës, nxinte.
Nxinte, jo vetën në shprehjen e fytyrës, por edhe në gjuhën e trupit, ku tregonte hapur një inat sulltani, më shumë se një hatërmpetje apo lodhje nga “punët e mëdha”.
Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
Burime brenda mazhorancës bëjnë të ditur se përpara se të shkojë në takimin “festiv”, Rama ka takuar disa diplomatë të rëndësishëm, nga ku ka dalë me ‘re të zeza’.
Mësohet se bëhet fjalë për Britaninë, e cila duket nuk do t’ja falë “Jo”-në për qendrat e emigrantëve. Anglia, siç e ka përgjithësisht zakon, është një nga vendet mjeshtra që përdor dosjet e vjetra dhe të pasura, në negociatat me “republika bananesh” si puna e Shqipërisë së Edit.
Është bërë fjalë prej kohësh se ndërkombëtarët i kanë sugjeruar Ramës që të mos e kalojë cakun e mandatit të tretë, duke e paralajmëruar me publikim materialesh të forta, siç ja bënë Vuçiçit një vit më parë në gazetën e rëndësishme ‘The New York Times’.
Në këtë gjatësi vale, mungesa e urimit zyrtar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ngjan pikërisht me një kumtim që diçka do të ndodhë.
Një mandatë, që mund t’i djegë Ramës të katër mandatet nëse del një material i llojit të atij për Vuçiç në mediat amerikane.
Për ta ilustruar këtë atmosferë, mjafton vetëm shembulli i Hashim Thaçit, i cili përpara se të përfundonte aty ku ndodhet prej 5 vjetësh, ishte ‘The Guardian-i’ britanik që i nxori aferën e Dick Marty-t, përpara se të bëhet aktakuzë.
Megjithatë, Edi Rama, nuk se është njeri pa lidhje e lobime në mjedise ku përgatiten të tilla gjëra. Mësohet se ai ka premtuar se do të sjellë një qeverisje të re, që e shpalli edhe në festën e “Pallatit të Brigadave”.
Por çfarë do të bëjë me ata që i quajti “kampionë”, pra drejtuesit e qarqeve?
Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, e cila ka 2 mandate që pa lëvizur ndodhet në këtë detyrë, ishte më e nxirë në fytyrë se Edi Rama. Nga gjuha e trupit, u duk qartë se nuk priste një “promovim”, por një faze pensioni.
Gjë që duket e ka mërzitur, por Rama i ka treguar një dosje të madhe që ka në zyrën e tij, që flet për shumë marifete që ministrja nuk ja ka treguar shefit. Ka zëra që tek turizmi, Edi Rama të sjellë një emër të njohur, sot diplomate, që është e bija e një shkrimtari të madh, por deri tani janë vetëm zëra.
Ndërkaq, Taulant Balla ka kërkuar hapur që të rikthehet në postin e ministrit të Brendshëm me një postim, që e ka bërë në mënyrë të koduar disa ditë më parë. Për këtë post pretendon edhe Blendi Klosi, i cili fshihet pas brirëve të Gaz Demit, duke treguar suksesin në Dibër.
Rama, duket kërkon t’u shmanget telasheve me “çuna problematikë”, por injorimi mund të sjellë një situatë edhe më të rëndë. Të cilës i parapriu, kur në mënyrë tangente paralajmëroi një sherr brenda PS-së. Kur tha se “sa herë ka qenë keq Partia Socialiste, aq ka vuajtur vendi, sa herë ka qenë mirë PS, vendi ka qenë në situatë të shëndetshme”.
Në këtë sektor, pra në ministrinë e Brendshme, ka qarkulluar emri i një specialisti policie që punon me italianët, i cili mund të emërohet, për ta përdorur “motrën Giorgia” si një mbrojtëse nëse nxehet “daja Donald”.
Emri që gjasat e japim më të sigurtë për konfirmim është zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila tashmë është kthyer në kuptimin e plotë të fjalës në numrin 2 të PS-së. Madje ka arritur në qarkun Fier një rezultat më të thellë se Gramoz Ruçi, që konsiderohej numri dy, i pazëvendësueshëm i PS-së.
Balluku, në kabinetin aktual ka edhe një grup ministrash që janë të lobit të saj e ku janë konfirmuar si deputetë.
Që në mos të gjithë, ka mundësi të konfirmohen një pjesë e rëndësishme.
Mësohet gjithashtu që Rama i ka ofruar një portofol ministror edhe Pandeli Majkos, i cili nuk e ka pranuar, së paku hë për hë. Pikërisht për të e kishte Rama fjalën që do të angazhohen nëse duan dhe ndihen të përshtatshëm.
Megjithatë këto janë vetëm zërat e parë, që kanë sjellë një ankth të madh në grupin e deputetëve, e sidomos lobeve të rëndësishme që ndikojnë te Edi Rama. Të cilët janë lobet e të fortëve, të cilët edhe mund ta fundosin, por që nuk ka ç’i bën se është ngjitur shumë fort me ta./Pamfleti
Lini një Përgjigje