TAGS-AT E JAVËS

Editorial27 Maj 2025, 10:44

Frika e fshehur e udhëheqësve agresivë

Shkruar nga Alessandro Campi
Frika e fshehur e udhëheqësve agresivë
Putin, Trump dhe Netanyahu /

Putin, Netanyahu dhe Trump përshkruhen zakonisht si udhëheqës me vullnet të fortë, të vendosur dhe brutalë, të motivuar nga një vullnet i hekurt dhe një vetëbesim i fortë. Ata e dinë çfarë duan dhe janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të arritur. Kjo është arsyeja pse është kaq e vështirë të angazhohesh me njerëz të tillë përmes dialogut diplomatik.

Por mund të ketë ndoshta një shpjegim tjetër për qëndrimin e tyre haptazi agresiv dhe kërcënues, deri në kufirin ekstrem të luftës: I vërtetë, i dhunshëm dhe shkatërrues, në rastin e dy të parëve; figurativ dhe i evokuar si një instrument i luftës ekonomike në rastin e tretë.

Të tre janë udhëheqës të frikësuar, të pasigurt dhe emocionalisht të paqëndrueshëm, të fshehur pas pamjes në dukje të ftohtë, shumë të prirur ndaj paranojës. Aty u mungon një strategji e qartë politike, përveç shfaqjes së vazhdueshme të forcës, pas së cilës fshihet megjithatë një dobësi e dukshme.

Ata janë udhëheqës që përveç atyre personale, shprehin frikëra dhe ankthe kolektive. Për shembull, frikërat që reflektohen tek Putin, të cilat ai padyshim i ndan dhe që përbëjnë rrënjët e agresionit kundër Ukrainës, kanë rrënjë të njohura psikologjike dhe gjeopolitike. Disa prej tyre janë shumë të vjetra për Rusinë. Për shembull frika nga dështimi për të qenë mjaftueshëm të ngjashëm me Perëndimin, të cilin e admiron fshehurazi dhe e përçmon publikisht. Apo nga të qenit i rrethuar në kufijtë e saj nga fuqi që shihen vetëm si armiqësore.

Ose paranoja e shtyrjes, për shkak të natyrës së saj gjeografikisht dyfytyrëshe (pra me kokën e kthyer sa nga Lindja aq edhe nga Perëndimi), drejt boshllëkut të stepave aziatike, duke humbur kështu çdo lidhje të mundshme me Evropën, pjesë e së cilës do të donte të ishte.

Të tjerat janë frikëra të kohëve më të fundit. Si ajo e humbjes së lidhjes me traditën e vet, duke humbur në të njëjtën kohë edhe lidhjen me modernitetin, dhe ajo e detyrimit për të ruajtur me çdo kusht respektin për një të kaluar perandorake, që në realitet ka humbur njëherë e përgjithmonë.

Nëse e vëreni me kujdes, Putin pasqyron pasiguritë e një vendi, i cili pas rënies së komunizmit, nuk ka qenë në gjendje të transformohet në asgjë tjetër përveç një pseudo-demokracie plutokratike, të pasur me lëndë të para, por të paaftë për t’u modernizuar në përputhje me revolucionet teknologjiko-produktive që e kanë përfshirë botën 3 dekadat e fundit.

Ndërkohë, në rastin Rusisë shohim frikën e një udhëheqësi rus që pavarësisht se sa pushtet ka përqendruar në duart e tij, e di origjinën arbitrare dhe të paligjshme të tij, gjë që e bën atë ta përjetojë çdo kritikë ose formë kundërshtimi si një kërcënim personal të pa tolerueshëm, dhe që për këtë arsye duhet të shtypet me egërsi.

Musolini, një diktator me pretendime intelektuale, i lejoi vetes të paktën luksin të kishte si kundërshtar publik filozofin Benedetto Crocen. Putini, një diktator i fiksuar pas sekretit dhe gjithmonë i frikësuar edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij të drejtpërdrejtë, kërkon unanimitet rreth tij ose heshtjen e detyruar të disidentëve.

Nuk janë më të ndryshme rrënjët e sjelljes agresive dhe kokëfortësisë së Netanyahut. Frika e këtij të fundit, është sa teologjike-politike, ashtu edhe personale. Të parat pasqyrojnë gjendjen e një vendi, që në disa nga përbërësit e tij, në veçanti e djathta ekstreme mesianike, është tani bindur se siguria e tij përfshin shkatërrimin që në rrënjë të së keqes, pra të asgjësimit fizik dhe material të çdo burimi të mundshëm kërcënimi, qoftë real apo i perceptuar.

Lufta si rregull dhe gjendje normale, nuk është më një përjashtim. Ajo pasqyron atë pjesë të kombit, një pakicë por që tani është në pushtet, e cila e konsideron Izraelin tokën ekskluzive dhe të përzgjedhur të hebrenjve, brenda kufijve historiko-simbolikë të të cilit nuk është e mundur asnjë formë bashkëjetese me përbërës të tjerë etnikë dhe fetarë, duke filluar padyshim me palestinezët.
Netanyahu duket se ndan fiksimin se për të mos u mbingarkuar dhe asgjësuar, qoftë edhe vetëm për arsye demografike, demokracia izraelite duhet të rikonfigurohet gjithnjë e më shumë përgjatë vijave etnike-fisnore, duke marrë një formë të mbyllur dhe sektare, më pak laike-pluraliste dhe më shumë fetare-ortodokse, për të qenë e sigurt nga “ndotja” dhe rreziku i humbjes së identitetit të saj.

Pastaj në rastin e Netanyahut, ekzistojnë ankthe dhe shqetësime personale. Kokëfortësia me të cilën ai po zhvillon një luftë, të cilën edhe shumë figura ushtarake izraelite në nivelet më të larta, po e konsiderojnë tani të pakuptimtë dhe joproduktive, dhe si një burim urrejtjeje të pashtershme anti-hebraike dhe izolimit ndërkombëtar në rritje të vendit, lind nga vetëdija se sapo të mbarojë kjo luftë, atij do t’i duhet të përgjigjet publikisht për shumë akuza: atë të korrupsionit, të mos-parandalimit të sulmeve të 7 tetorit, të transformimit të një sulmi të ligjshëm ushtarak kundër Hamasit, në një masakër të përditshme të civilëve palestinezë të pafajshëm.

Dhe vijmë së fundi tek pasiguritë e Trump. Ai ishte i famshëm edhe para se të hynte në politike, sepse ishte e njohur për lidhjen e tij me biznesin dhe televizionin. Trump hyri në kulturën publike amerikane përmes rubrikave të thashethemeve, dhe një programi argëtues që pati një sukses të jashtëzakonshëm për sa i përket audiencës.

Shqetësimi i tij, edhe tani që është president i SHBA-së për herë të dytë, është të mos humbasë në asnjë mënyrë kontaktin me publikun, të cilit ia detyron ngritjen e tij të jashtëzakonshme. Prandaj, duhet të qëndrojë gjithmonë në qendër të vëmendjes, për të ngritur gjithmonë tonin, në mënyrë që si admiruesit por edhe kritikët e tij (tek e fundit për të nuk ka ndryshim), të mos zgjedhin të ndryshojnë kanal.

Ndërkaq, Trump vuan nga sindroma tipike e të ‘përjashtimit’ të suksesshëm: frikën se mos nuk pranohet dhe vlerësohet shoqërisht nga elita, pjesë e së cilës supozohet se është. Dhe kundër të cilës që kur është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, ka përdorur çdo formë të mundshme hakmarrjeje.

Në emër të popullit sovran, por në realitet për arsye kryesisht personale. Hakmarrje për refuzimet dhe poshtërimet që ka përjetuar në të kaluarën, dhe të cilat sot arrin t’i shmangë vetëm për shkak të postit që mban. Respekti nuk mund të blihet, por pushteti i shoqëruar nga kërcënimi për ta përdorur atë sipas dëshirës, mjafton për të fituar përshtypjen e respektit dhe vlerësimit.

Trump e di mirë se nuk ka miq në kuptimin politik, por klientë të bindur që janë të gatshëm ta braktisin me shenjën më të vogël të katastrofës. Dhe kjo vetëdije e bën atë edhe më agresiv. Edhe në rastin e Trumpit, mund të thuhet se ai është pika e bashkimit të shumë frikërave që qarkullojnë në Amerikë.

Për shembull, ajo e të bardhëve që po margjinalizohen gjithnjë e më shumë nga multietniciteti, që është thelbi i një kombi të formuar nga lëvizjet migratore në shkallë të gjerë; e një klase punëtore të lënë prapa nga dinamikat e një globalizimi që e kishte SHBA-në forcën e tij shtytëse ideologjike; atë të një kombi që konsumon qartësisht më shumë sesa prodhon, dhe që për këtë arsye pyet veten me ankth se si ta ruajë dhe në kurriz të kujt, stilin e tij të shtrenjtë të jetesës.

Apo atë të një Amerike fetare dhe besimtare, e cila nuk është në gjendje të kundërshtojë shekullarizmin gjithnjë e në zgjerim, me koston e bllokimit në një ortodoksi të ngurtë vlerash dhe të shpërthimit të “luftërave kulturore” anakronike dhe banale.

Pastaj, le të shtojmë edhe paranojën, një tipar historikisht i veçantë i kulturës popullore amerikane, gjithmonë e prirur drejt teorive të konspiracionit dhe gjuetisë së shtrigave, por që Donald Trump po e çon në ekstrem. Një tipar i dyshimtë, që në rastin e tij u forcua në mënyrë dramatike pas përpjekjes për ta vrarë gjatë fushatës presidenciale.

Që nga ajo kohë, duket se në temperamentin e tij ka dominuar një përzierje e mosbesimit të përgjithësuar ndaj gjithçkaje dhe të gjithëve, që është ndoshta në origjinën e mënyrës së tij të lëkundur, të paqëndrueshme dhe të ftohtë të të bërit të gjërave, të zhveshur nga çdo lloj ndjenje logjike.

Midis udhëheqësve të mëdhenj, janë 3 aktorë historikë në këtë fazë vendimtare, forca lëvizëse e të cilëve nuk është vetëbesimi i tyre përballë historisë, por përkundrazi një përzierje e zhgënjimit, frikës dhe ngurrimit të maskuar si arrogancë. Pikërisht ajo që i shndërron në një burim problemesh për kombet e tyre dhe për botën, i bën gjithashtu të vështira për t’u përballur me ta me mjetet e arsyes, realizmit dhe logjikës së shëndoshë./Pamfleti nga “Il Messagero”

frika e fshehur e udhëheqësve agresivë

Lini një Përgjigje