Pse Vladimir Putin ka frikë nga Vatikani: Diplomacia ruse shndërrohet në farsë fetare për të shmangur paqen dhe për të vazhduar luftën...
Kur mendon se ke dëgjuar gjithçka nga diplomacia ruse, Sergej Lavrov të kujton se në Rusi absurditeti nuk ka fund. Këtë herë, arsyeja zyrtare për refuzimin e negociatave për paqe në Vatikan nuk ishte ndonjë akuzë ndaj NATO-s, as ndonjë “provokim perëndimor”, por… feja. Po, sipas Lavrovit, “nuk është elegante që ortodoksët të negociojnë në tokë katolike”.
Me këtë logjikë, nëse Ukraina dhe Rusia do të ishin budistë, ndoshta bisedimet do të duheshin zhvilluar në Tibet. Apo ndoshta në ndonjë planet tjetër, ku Lavrovi nuk do ndjehej “i fyer shpirtërisht”.
Në të vërtetë, kjo nuk është gjë tjetër veçse një alibi primitive për të sabotuar çdo mundësi të sinqertë për paqe. Nuk është hera e parë që Kremlini përdor kartën fetare si maskë për agresionin, një taktikë e vjetër, që edhe Stalini do ta kishte zili.
Lavrov, një veteran i gënjeshtrave diplomatike, e di mirë se nuk ka asgjë "jo elegante" në dialog, përveç refuzimit të tij. Problemi nuk është Vatikani, as Papa, as riti katolik, problemi është se aty nuk ka ushtarë rusë, nuk ka propagandë dhe nuk ka kush të përkrahë narrativën e Kremlinit.
Në thelb, Lavrov nuk e pranon Vatikanin si vend bisedimesh sepse aty s’mund të shantazhojë askënd me gaz dhe raketa. Në një tryezë të ndershme, Rusia do të duhej të përgjigjej për agresionin, për masakrat, për deportimet. Dhe kjo është ajo që Putini e urren më shumë: përgjegjësinë.
Pas kësaj deklarate, mund të presim që nesër Lavrov të kërkojë që bisedimet të bëhen në Kishën Ortodokse Ruse, me Patriarkun Kirill si ndërmjetës, ai që bekon raketat e pushtimit si “mision të shenjtë”.
Kjo nuk është diplomaci. Kjo është blasfemi politike, e maskuar me fjalë të shenjta për të mbuluar krimet më tokësore që mund të ekzistojnë.
Përfundimi?
Mos u habitni nëse nesër Rusia shpall se paqja është “heretike” dhe lufta është “sakrificë shpirtërore”. Ndërkohë, Ukraina derdh gjak dhe Europa sheh nga dritarja, duke pritur që ortodoksët të gjejnë një tokë “më të përshtatshme” për të mos u marrë vesh kurrë./Pamfleti
Lini një Përgjigje