
Europa fillon të shohë përtej retorikës: autokracitë e reja ballkanike nën rishikim...
Aleksandar Vuçiç është sot një nga figurat më të kritikuara në Parlamentin Evropian, i denoncuar për dhunë institucionale, shkelje të lirive civile dhe aleanca me forca anti-evropiane.
Me votën dërrmuese të eurodeputetëve javën e kaluar, Serbia zyrtare u përball me një dënim të qartë moral dhe politik nga Brukseli. Por, në hijen e kësaj kritike ndaj Beogradit, Tirana duhet të vështrojë me vëmendje pasqyrën që po shfaqet për të. Sepse ndërsa në diskurs dhe diplomaci Edi Rama vijon të shfaqet si një “kampion i integrimit evropian”, në praktikë Shqipëria po përjeton një përqendrim alarmant të pushtetit, kontroll mbi mediat, dhe një sistem drejtësie ende të kapur nga klasa politike.
Diferenca mes Ramës dhe Vuçiçit nuk është në mënyrën si sundojnë, por në mënyrën si shiten jashtë vendit.
Rama është mjeshtër i PR-it ndërkombëtar. Ai di të flasë gjuhën e Brukselit, të buzëqeshë në Samite dhe të prezantohet si një njeri i stabilitetit. Por kjo nuk mund të fshijë realitetin e brendshëm që është bërë gjithnjë e më i dhunshëm politikisht: pushteti vendor, legjislativi dhe një pjesë e mirë e sistemit të drejtësisë janë sot të përqendruara në duart e mazhorancës absolute të një njeriu.
Skandalet e korrupsionit; nga inceneratorët, te koncesionet e dyshimta dhe PPP-të klienteliste, kanë kaluar çdo prag tolerues për një demokraci funksionale. Ndërkohë, presioni mbi mediat kritike është real, i dokumentuar nga organizata ndërkombëtare, por i heshtur nga aleatët ndërkombëtarë për arsye gjeopolitike.
Ajo që ndodh sot me Vuçiçin duhet të jetë paralajmërim për Edi Ramën. Në fillim, edhe presidenti serb ishte i mirëpritur në tavolinat perëndimore, shihej si garant i paqes dhe si faktor stabiliteti në rajon. Por me kalimin e kohës, gjuha e tij me dy kuptime, lidhjet me Moskën dhe Pekinin, dhe mbi të gjitha abuzimi i brendshëm me institucionet, e nxorën zbuluar para syve të Evropës. Paralelizmi është i rrezikshëm, por edhe i nevojshëm: Rama rrezikon të ndjekë të njëjtën rrugë, nëse nuk vendos të ndalë këtë model autoritar të qeverisjes. Një kryeministër nuk mund të mbajë gjithë pushtetet dhe në të njëjtën kohë të predikojë demokraci nga podiumet ndërkombëtare.
Për Bashkimin Evropian, ky është momenti për të bërë ndarjen mes fasadës dhe thelbit. Nëse Serbia po denoncohet për shkelje të parimeve demokratike, Shqipëria nuk mund të lavdërohet për retorikë, kur realiteti është shpesh më i ngjashëm sesa ndryshe. Tolerimi ndaj devijimeve demokratike në emër të “stabilitetit rajonal” është një strategji që prodhon më shumë autokratë sesa liderë të përgjegjshëm.
Rama mund të mos jetë Vuçiç në stil, por është shumë pranë në strukturë. Dhe nëse BE po zbulon me vonesë realitetin serb, ka ende kohë të shohë Shqipërinë për atë që është, një vend që meriton integrimin, por vetëm nëse udhëhiqet nga parimet, jo nga propaganda./Pamfleti
I thjeshtë fare komenti jetojmë në diktaturë nga të dy partitë që e kanë ndarë tortën