Nga krimi në Manzë te dhuna në çdo qytet, armët, bandat dhe politika kanë zëvendësuar ligjin, dhe shteti e trajton barbarinë si normalitet...
Ka një defekt simptomatik në opinionin mediatik shqiptar, kur vjen në pyetje reagimi pas zhvillimeve apo ngjarjeve sensibilizuese. Siç ishte krimi horror në Manzë, ku dy të rinj u vranë me njëri- tjetrit, duke nxjerrë pistoletat e brezit e shkrehur plumbat në seri, sikur shkrepnin çakmakët për të ndezur cigaret.
Një krim i dyfishtë është gjithmonë një tragjedi; jo vetëm për viktimat dhe familjet e tyre, por për gjithë komunitetin dhe vetë shtetin. Nuk ka motiv “të lehtë” që e bën një vrasje më pak të rëndë.
Ky relativizim, që në fakt është një dështim moral dhe profesional i mediave, vetëm i shërben errësimit të shkaqeve reale: degradimit social, dështimit të shtetit dhe përhapjes së frikshme të kulturës së dhunës.
Motivi i “kafes” është një alibi. Shumë herë, motivet që shpërndahen nga policia janë thjesht mashtrime për të mbuluar lidhje më të thella mes autorëve, drogës, borxheve apo strukturave kriminale. Por më shumë se motivet, problemi është terreni që i ushqen këto krime; një vend ku armët janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, dhe ku kriminelët ndihen të paprekshëm.
Në çdo qytet, nga Shkodra në Durrës, Elbasan, Vlorë e Sarandë, dhuna është bërë rutinë. Banda dhe “të fortët” lëvizin të armatosur deri në dhëmbë, me makina të blinduara e xhama të zinj, nën hundën e policisë. Madje shpesh policët kërkojnë ndjesë kur i ndalojnë “gabimisht”. Sepse këta njerëz nuk janë thjesht kriminelë, janë patronazhistët e pushtetit.
Këto banda janë pjesë organike e sistemit të Edi Ramës, një hallkë e rëndësishme për mbajtjen e pushtetit, për blerjen e votave, për shantazhin ndaj mediave dhe kundërshtarëve politikë. Edhe pse kryeministri bën sikur i mallkon në publik, në praktikë ata janë “çunat e tij të punës”.
SPAK është i vetmi institucion që ka ndërmarrë goditje reale ndaj grupeve kriminale, shpesh në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Policia shqiptare nuk ka dorëzuar asnjë rast serioz, dhe siç e pranoi vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, asnjëherë nuk ka marrë sinjal nga uniformat blu për ndonjë dosje të krimit të organizuar. Arsyeja është e thjeshtë: dikush lart i ka ndaluar.
Në një vend ku pushteti përdor bandat për pushtet dhe opozita i përdor për pazare, çdo qytetar është potencialisht viktimë e një regjimi që sundon me frikë, armë dhe pandëshkueshmëri. Kjo është arsyeja pse në Shqipëri vrasjet nuk ndodhin më për hakmarrje, por për sport./Pamfleti
Mendoj se përkufizimi që përdoret nga policia apo edhe media si “vrasje për motive të dobëta” duhet njëherë e mirë të zhduket nga njoftimet për publikun. Vrasja është vrasje, këto janë lojëra që përdoren pastaj nga gjykata për masën e dënimit. Këto për “motive të dobëta” ndëshkohen më pak, unë vlerësoj se këto duhen ndëshkuar më shumë, sepse me këto motivet e dobëta po vriten edhe njerëz të pafajshëm. Ndryshe, le të futet në komunikatat e policisë dhe vendimet e gjykatave edhe “vrasje për motive të forta/justifikuara”.