TAGS-AT E JAVËS

Editorial20 Tetor 2025, 11:19

Nga shpata e Nevzatit te dosja e Gjergj Cekës

Shkruar nga Arben Llangozi
Nga shpata e Nevzatit te dosja e Gjergj Cekës
Gjergj Ceka dhe Nevzat Haznedari /

Nga tortura fizike e 1947-s te tortura institucionale e 2025-s; vetëm format ndryshojnë, por viktimat mbeten qytetarët pa mbrojtje...

Rasti i Uljan Barjamit është pasqyra më e qartë e drejtësisë së keqpërdorur nga dhuna fizike e diktaturës te dhuna institucionale e sotme.

Në vitet 1945–1956, Nevzat Haznedari, prokuror dhe më pas gjeneral i Sigurimit, ishte simboli i frikës. Ai nuk bënte dallim midis fajtorëve dhe të pafajshmëve; shpata e tij binte mizorisht mbi qytetarët e pambrojtur.

Në ato vite, drejtësia ishte instrument hakmarrjeje. Ali Selenica, avokati që guxoi të mbronte një njeri të pafajshëm, u dënua me burgim të përjetshëm dhe familja e tij u shkatërrua nga presioni dhe terrori shtetëror.

Sot, në vitin 2025, forma ka ndryshuar, por përmbajtja është e njëjtë. Prokurori Gjergj Ceka dhe gjyqtarja Megi Strakosha nuk kanë nevojë për kamxhik apo torturë fizike; ata përdorin sistemin si mjet ndëshkimi. Dhoma e këshillimit, që duhet të ishte tempulli i drejtësisë, është kthyer në skenë ku planifikohet hakmarrja dhe padrejtësia mbulohet me gjuhën e ligjit.

Në të dy kohët, viktima është i njëjti: qytetari i pafajshëm.

Dikur përballë torturës dhe hetuesve të shtetit-parti, sot përballë arrogancës, korrupsionit dhe pazareve të sistemit. Në të kaluarën, viktima rrihej e poshtërohej; sot përplaset me murin e një drejtësie që mban vulën e pushtetit politik dhe të interesave të fshehta.

Ashtu si Ali Selenica që u burgos për guximin e tij, sot Uljan Barjami përjeton torturën e heshtur të institucioneve; ndëshkimin pa faj, humbjen e dinjitetit, dhe frikën se çdo rezistencë do të kthehet në hakmarrje.

Në të dy rastet, familjet bartin plagët: dikur me dhimbjen e humbjes fizike, sot me dhimbjen e poshtërimit dhe padrejtësisë.

Ky paralelizëm i hidhur tregon se drejtësia shqiptare ka ndryshuar formën, por jo shpirtin. Në 1947, shpata binte mbi trupin e njeriut. Në 2025, dera e dhomës së këshillimit bie mbi dinjitetin e tij.

Dikur xhelatët ishin të veshur me uniformë, sot me kostum e togë. Por efekti është i njëjtë: frikë, nënshtrim dhe asgjësim i shpresës.

Sepse kur drejtësia përdoret si armë, viktimat mbeten gjithmonë të njëjtët: të pafajshmit./Pamfleti

shpata e nevzatit gjergj ceka arben llangozi

1 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Dhoma Kombëtare e Avokatisë, le të bëjë Kallzim Penal në SPAK, ndaj Prokurorit dhe Gjyqtares. Se abandononi ju për disa ditë proçeset kujt po i rruhet? DH.K. Avokatisë, le të paraqesë nisma për ndryshime ligjore në Kodin e Proçedurës Penale, Civile dhe Administrative nëse Prokuror, Gjyqtar, përfitojnë në hetimin apo gjykimin e çështjeve nga lëmshet proçeduriale. Nëse qëllimisht shkelin proçedurat i kallzoni. Nëse nuk ua mban rrini heshtëni. Në perceptimin popullor avokatët shikohen jo si palë në hetimin apo gjykimin e çështjeve për të cilën paguen ,por si ortak me Prokurorë dhe Gjyqtarë. Ka avokatë të rinj kryesisht me integritet moral dhe profesional të cilët po identifikohen nga qytetarët. Pastaj,djemtë, gocat, dhëndërrat, krushkat, mikeshat , e politikanëve, deputetëve, gjyqtarëve, e prokurorëve, të lidhur si 'fishekët në gjerdan' ashtu do veprojnë. Por përgjegjësia është individuale dhe historike. "Mos shiko çfarë bënë Amerika për Ty, por shiko çfarë bënë Ti për Amerikën" i drejtohej Presidenti Amerikan shtetasve të tij. Sot mund të themi: mos shiko se çfarë kanë bërë e po bëjnë sot të tjerët për rrënimin e sistemit të drejtësisë, por shiko ruaj by...ën tënde'.

    Lini një Përgjigje

    Editorial