TAGS-AT E JAVËS

Editorial17 Tetor 2025, 12:34

Streha e fundit e Edi Ramës!

Shkruar nga Gjergj Zefi
Streha e fundit e Edi Ramës!
Edi Rama /

Protesta për UÇK-në në Tiranë është thjesht skenari i tij për të goditur Albin Kurtin dhe për t’u shfaqur si “stabilizatori” i Ballkanit, një version shqiptar i Aleksandar Vuçiç…

Lëvizja Vetëvendosje ka rënë pa nevojë në kurthin që i ngriti Edi Rama. Marrja përsipër e një roli prej “lideri kombëtar”, nën pretekstin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është një lojë e menduar me kujdes nga kryeministri i Shqipërisë, për të ndërtuar një llogore nacionaliste në ditët e fundit të pushtetit të tij.

Siç thuhet, “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”, dhe në këtë rast, Rama e ka gjetur perfekt strehën. Ai po vesh petkun e patriotit të zhurmshëm, për të maskuar frikën nga fundi politik dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga korrupsioni, skandalet dhe izolimi ndërkombëtar që e kanë kapluar.

Në praktikë, qëllimi është politik: të sulmojë Albin Kurtin dhe të ndikojë në zgjedhjet e Kosovës. Duke rritur presionin ndaj Vetëvendosjes, Rama po përpiqet të pengojë fitoren e saj në Prishtinë dhe Mitrovicë, për të krijuar jostabilitet në Kosovë e për të shfaqur veten si “stabilizatori” i Ballkanit në sytë e Perëndimit.

Në këtë strategji, përfshirja e Ali Ahmetit në protestën e Tiranës nuk është rastësi, por pjesë e planit që Rama po shpalos ndaj qendrave perëndimore të vendimmarrjes: një sinjal që vetëm ai mund të ruajë ekuilibrin në rajon, njësoj si homologu dhe miku i tij i vjetër, Aleksandar Vuçiç.

Si Vuçiç, edhe Rama po përdor të njëjtin manual pushteti: frikën nga kaosi dhe nacionalizmin për të mbajtur karrigen. Ai po përgatit terrenin që të thotë: “Nëse bie unë, digjet gjithçka rreth e rrotull.”

Protesta për UÇK-në në Tiranë nuk ka asnjë funksion politik e as moral. Përkundrazi, ajo dëmton vetë ish-krerët e UÇK-së, sepse perceptohet si presion politik mbi një gjykatë ndërkombëtare. Por për Edi Ramën, kjo është e parëndësishme: rëndësi ka që të ndezë zjarrin, për t’u shfaqur më pas si “i vetmi që mund ta shuajë”.

Dobësimi i Albin Kurtit është thelbi i gjithë planit. Me Kurtin jashtë loje, Edi Rama do të mbetet i vetmi “zë shqiptar” që mund të flasë me Berlinin e Brukselin; një Vuçiç me fjalor më të butë, por me instinkte të njëjta pushteti.

Vetëvendosje ka vetëm një përgjigje të mençur në këtë situatë: të mos bjerë në grackë. Të mos replikojë, të mos reagojë. Sepse sa më shumë e përmend Ramën, aq më shumë e forcon rolin e tij si “aktor rajonal”. Heshtja është arma më e fortë ndaj një lideri që kërkon zhurmë për të fshehur frikën./Pamfleti

streha e fundit e edi ramës uçk gjergj zefi

8 Komente

  1. P
    P.Marku

    UÇK e vetmja forcë qe luftojë direkt per çlirimin nga Serbia.Gjygji i Hages eshte ngritur jashte kornizave ligjore demokratike(nen akuzat e sherbimeve sekrete serbe).Rama e ka ngritur zerin dhe ka kerkuar per lirimin udheheqjes te uçk.A.KURTI PER ÇELLIME PERSONALE POLITIKE DHE ME NDIKIM JASHTË KOSOVES PO NDIKON NE MBAJTJEN NE BURG TE UDHEHEQJES TE UÇK.

    1. F
      Feti Dema

      Kur s'ka zjarr nuk del tym. Kur fut duart në një zjarr të shuar, digjesh se poshtë hirit, flenë kongjijtë. Edi Rama ka kujtime, nga koha kur ndiznim zjarre në kujtim të 'zjarreve partizane'. Tashti nuk po kupton, nga vjenë tymi dhe kur do dalë flaka . Ngreuni ju thanë "dembelëve të stambollit" se ka rënë zjarri e do digjeni, ikën të gjithë dhe vetëm njëri refuzojë të delte , "Nuk përtoni që flisni, ju tha atyre që e këshilluan të dilte" .Vetëm këtij ju lejua nga Sulltani të trajtohej si dembel, me status. Të tjerët i dërgoi në punë. Rama do dali nga Kryeministrija, kur shokët të shkojnë në 'punë'. Aty ku nuk paguet qera.

      1. e
        eno

        Ju lutem mos e merrni seriozisht piktorin e deshtuar. Shijoheni si show rradhes.

        1. b
          besa

          UCK eshte nje hidtori per te cilen cdo Shqiptar do ishte krenar. Por ky imazh zvenitet shuhet kur promovohet nga Edi Rama. Personi me i dyshimt kur flitet per ceshtjen kombetare.

          1. s
            sadi

            Cne i ka dhene leje vucic ketij??

            1. b
              besa

              Mospjesemarrja kryeministrit shqiptar, per tu pershendetur. Nuk i shkon ketij formati.

              1. L
                Liri

                Po as ishin kto lidere qe donin te ndanin kosoven ne dysh?ku ishin kto kur vucici hynte ne veri kur ti donte palla?komanndantet e vertete te uck kan vdek kto te tjt qe ju quani clirimtar jan genjeshtra

                1. P
                  Pal

                  Shumë i lodhshëm arsyetimi për strehën e Ramës… Rama e Kurti janë në pikë të hallit të dy

                  Lini një Përgjigje

                  Editorial