TAGS-AT E JAVËS

Editorial12 Tetor 2025, 13:48

Lista Serbe ose diplomacia e “gjethes së fikut”

Shkruar nga Gjergj Zefi

 Lista Serbe ose diplomacia e “gjethes së fikut”

Si po e mbron diplomacia euro-atlantike një strukturë politike të lidhur me dhunën, klientelizmin dhe Serbinë, në emër të stabilitetit në Kosovë...

Nëse Lista Serbe nuk do të ekzistonte, Perëndimi do të duhej ta shpikte...

Në emër të "stabilitetit", "integrimit të pakicave" dhe "dialogut të ndjeshëm", strukturat euro-atlantike kanë përqafuar një organizatë politike që funksionon si zgjatim i politikës së Aleksandar Vuçiç në zemër të një shteti që zyrtarisht e njohin si të pavarur.

Lista Serbe nuk është thjesht një parti; është një platformë e kontrolluar drejtpërdrejt nga Beogradi, që angazhon qytetarë serbë në Kosovë si mjete presioni politik. Kur i duhet Vuçiçit, ata bojkotojnë. Kur kërkohet një teatër "demokracie", dalin në zgjedhje si kor ushtarak. E gjithë kjo ndodh nën hundën e BE-së dhe SHBA-së, që deklarojnë se “respektojnë integritetin e Kosovës”, por pastaj kërkojnë nga Prishtina të negociojë me një parti që i bindet urdhrave të shefit të Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Kjo është ajo që quhet diplomacia e “gjethes së fikut”. Perëndimi e di që Lista Serbe nuk është as demokratike, as përfaqësuese legjitime e serbëve të Kosovës. Por i duhet si alibi, për të mbuluar dështimet e politikës së vet të jashtme dhe për të ruajtur një iluzion stabiliteti që ndërkohë gërryhet nga brenda.

Prishtina, për ironi, akuzohet si “problem” sa herë që përpiqet të aplikojë ligjin dhe sovranitetin e vet. Kur Albin Kurti dërgon policinë për të mbrojtur zgjedhjet, është “provokator”. Kur Lista Serbe bojkoton, bllokon apo kërcënon, është “përfaqësuese legjitime e komunitetit serb”. Ky dystandard ka vetëm një përkufizim: cinizëm diplomatik.

Shqipëria, në vend që të përsërisë frazat standarde për "mbështetjen e dialogut", duhet të thotë hapur se Perëndimi ka një problem serioz: e ka përkëdhelur një instrument të Beogradit dhe tani nuk di si të ndahet prej tij pa u dukur i paaftë. Dhe ndërkohë, është Kosova që paguan çmimin; me tension, destabilitet dhe legjitimitet të cunguar.

Në Ballkan, shpesh paqja është e barabartë me heshtjen për të keqen. Lista Serbe është simboli më i qartë i kësaj hipokrizie diplomatike. Dhe për sa kohë që mbulohet me gjethe fiku, kjo “paqë” do të mbajë erë./Pamfleti

lista serbe diplomacia e gjethes së fikut gjergj zefi

2 Komente

  1. B
    BARDHA

    Nuk mund te pershkruhej me qarte dhe me bukur. Fiks sic sillen gjithnje me shqiptaret dhe Shqiperine. E dhimshe qe veprojne keshtu.

    1. T
      Thana

      Ju lumte z. Gjergj Zefi, e keni vene gishtin tek plaga e diplomacise perendimore ndaj ceshtjes se Kosoves. Turp te kene pushtetaret e BE qe sillen me Kosoven si dikur me 1913 u sollen me ceshtjen shqiptare, kur iu nenshtruan presioneve te Rusise Carise dhe i dhane me shume se gjysmen e territoreve te banuara nga shqiptarert Serbise, Greqise e Malit te Zi.

      Lini një Përgjigje

      Editorial