
Historia shpërblen guximin, jo egon...
Donald Trump e kishte përgatitur terrenin prej javësh. Në çdo miting, në çdo dalje televizive, ai e përsëriste si një refren: “Nëse do të isha unë në pushtet, nuk do të kishte luftë në Ukrainë, as në Gaza. Duhet të kisha marrë Çmimin Nobel për Paqe.”
Fjalët e tij, të mbushura me vetëbesim teatral dhe kalkulim elektoral, i paraprinë vendimit që do t’i shkatërronte ëndrrën e vjetër, sepse në Oslo, Komiteti Nobel i dha çmimin jo një milioneri që ndërton paqe me fjalë, por një gruaje që e ka mbrojtur atë me jetën e saj: María Corina Machado, opozitarja e Venezuelës që sfidoi regjimin e Nicolás Maduro-s nën kërcënimin e arrestimit dhe vdekjes.
Në kontrast me egon e një ish-presidenti që kërkon nderime ndërkombëtare për marrëveshje të përkohshme, Machado është mishërimi i qëndrueshmërisë morale, një grua që nuk ka as armë, as pushtet, por një ideal që nuk e blen dot asnjë pasuri. Ajo është simbol i asaj që bota shpesh harron: se paqja nuk është produkt negociatash midis të fortëve, por fryt i qëndresës së atyre që refuzojnë të nënshtrohen.
Komiteti Nobel, me këtë zgjedhje, dërgoi një mesazh të pastër në kohë cinizmi global: paqja nuk është podium për liderët, por barrë për njerëzit që guxojnë të mos heshtin.
Trump, në mënyrën e vet karakteristike, do të përpiqet ta kthejë këtë humbje në spektakël politik. Ai do të thotë se sistemi është kundër tij, se Nobel-i është “politik”, se bota e urren sepse ai është “i suksesshëm”. Por në thelb, ajo që Ai nuk e kupton, është se ky çmim nuk është për ata që duan t’i rikthejnë konfliktet në fushata elektorale, por për ata që luftojnë për t’i ndalur ato, pa kërkuar shpërblim.
Machado nuk ka luksin e tribunave apo mikrofonave; ajo ka një regjim përballë, një popull që shpreson, dhe një botë që më në fund e dëgjoi.
Në fund, ky Nobel nuk është thjesht një nderim për Venezuelën, por një shuplakë morale për çdo lider që e trajton paqen si marketing personal. Machado fitoi sepse ajo nuk e kërkoi çmimin, ajo e jetoi atë. Dhe ndoshta, pikërisht kjo është arsyeja pse Trump kurrë nuk do ta marrë: sepse paqja nuk është diçka që e shpall në fushatë; është diçka që e provon me sakrificë.
Në një botë ku populizmi kërkon dekorata dhe viktimat kërkojnë drejtësi, Oslo zgjodhi të shpërblejë guximin, jo arrogancën. Dhe në këtë zgjedhje, historia gjeti përsëri anën e duhur./Pamfleti
Ku jeton sot opozitarja Machado? Kush e di të ma thotë? Komisioni i Nobelit është ndikuar nga 'plotfuqishmëria'e atyre që shfrytëzojnë padobishmërinë e zbulimit të Nobelit- Dinamitin. Dronët ,Raketat dhe armët e shkatërrimit në masë janë armë lufte. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve në botë, siç predikon dhe dikton Donald Tramp shton shanset për paqe, dhe domosdo rrënon industrinë e luftës. Koncepti dhe filozofia politike e Z.Tramp rrënon edhe industrinë e prodhimit të "Dinamitit" ku Suedia ka ekskluzivitetin e prodhimit në botë. Kur s'ka luftë më pak 'Dinamit' do prodhohet, por dobishmëria do jetë e madhe për njerëzimin. Më shumë rrugë, më shumë tunele , më shumë begati dhe mirëmbajtje për Planetin.