TAGS-AT E JAVËS

Editorial22 Tetor 2025, 09:41

Aeroporti i Vlorës, tymnaja e radhës e Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Aeroporti i Vlorës, tymnaja e radhës e Edi Ramës
Aeroporti i Vlorës /

Pas zhurmës së stisur mes Pacollit dhe ortakëve, qëndron frika e kryeministrit se auditët e BE dhe NATO-s do të zbulojnë origjinën e errët të fondeve që po ndërtojnë aeroportin strategjik të Vlorës...

 Ka nisur edhe kjo javë me zhurmën e radhës për atë që po quhet “sherri i aeroportit të Vlorës”; përplasja ndërmjet Behgjet Pacollit dhe partnerit të tij Valon Ademi lidhur me ndarjen e paketës aksionare.

Me kërkesën e njërës palë ka nisur edhe një hetim nga prokuroria për mashtrim, i cili pritet të zgjasë deri në formalizimin e plotë të aeroportit të ri.

Në pamje të parë, mund të duket si një konflikt tipik aksionerësh, por gjithçka ka më shumë aromë politike sesa tregtare. Një mosmarrëveshje e tillë mund të zgjidhej lehtësisht nga gjykata përmes dokumenteve zyrtare e kontraktuale, pa u kthyer në spektakël publik.

Kjo zhurmë, që po amplifikohet nga media të afërta me pushtetin, duket e qëllimshme. Ajo synon të tërheqë vëmendjen nga një skemë tjetër shumë më e madhe financiare dhe korruptive që lidhet me vetë projektin e aeroportit të Vlorës.

Sipas burimeve të brendshme, nuk kemi të bëjmë me një grindje mes biznesmenësh, por me një manovër të Edi Ramës për të mbajtur larg opinionin publik dhe institucionet ndërkombëtare nga burimet e financimit të aeroportit.

Në të gjitha projektet PPP, përfshirë këtë të aeroportit, konsorciumet fituese janë struktura të ndërlikuara financiare që nuk kanë lidhje direkte me kompanitë bazë të sipërmarrësve. Ato janë kompani “guaskë”, të krijuara qëllimisht për të mbajtur në errësirë origjinën e kapitalit dhe për të pasur hapësira ligjore për pastrimin e parave.

Kjo është një formulë që Rama e ka përdorur sistematikisht: investitori shfaqet si figurë publike, por pas tij qëndron një rrjet ndërkombëtar kompanish offshore që injektojnë kapital të dyshimtë, për të cilin më vonë shteti shqiptar garanton pagesa përmes buxhetit.

E njëjta gjë ka ndodhur me PPP-të e shëndetësisë, ku fituesi rezulton kompani detergjentësh, apo me kontratat e infrastrukturës, ku fondet qarkullojnë në mënyrë të paqartë dhe më pas kthehen  si para publike.

Aeroporti i Vlorës është vetëm varianti më i sofistikuar i kësaj skeme.

Konsorciumi që e ndërton dhe do ta menaxhojë më pas aeroportin, përbëhet nga kompani që kanë operuar në vende me risk të lartë si Bengazi, Kenia, Kazakistan, Rusia e Putinit, por kurrë në vende të Bashkimit Europian, ku kontrolli financiar është i rreptë dhe transparenca e detyrueshme.

Këta sipërmarrës, përfshirë Pacollin dhe partnerët e tij, kanë histori të gjatë investimesh në vende ku ligji nuk është pengesë, dhe ku “marrëveshjet nën tavolinë” janë normë. Pikërisht për këtë arsye, asnjë prej tyre nuk ka fituar ndonjëherë një garë publike në Perëndim.

Në këtë situatë, ndërhyrja e prokurorisë shqiptare duket më shumë si një lojë pasqyrash e Edi Ramës, për t’i paraprirë një hetimi të mundshëm të Bashkimit Europian apo NATO-s mbi burimet e financimit të aeroportit.

Me këtë lëvizje, Rama synon të krijojë përshtypjen se shteti shqiptar po heton vetë, për t’u treguar partnerëve se “çdo dyshim është zbardhur”.

Në të vërtetë, ai po kërkon të mbyllë aferën me dokumente të prodhuara në zyrat e prokurorisë, për t’i dorëzuar më pas si “provë” legjitime përballë institucioneve ndërkombëtare që po e ndjekin këtë çështje me vëmendje.

Duhet theksuar se një aeroport nuk është një projekt i zakonshëm ndërtimi, por një strukturë strategjike kombëtare, që në rast emergjencash përdoret edhe për qëllime ushtarake. Prandaj, çdo burim financiar që hyn në këtë projekt monitorohet nga agjencitë e sigurisë të vendeve të NATO-s.

Ato tashmë kanë bërë verifikimet e tyre, ndërsa kompanitë serioze si Aeroporti i Mynihut apo grupet ndërkombëtare të menaxhimit të aeroporteve, janë tërhequr qëllimisht për të mos u njollosur me këtë aferë.

Në këtë kontekst, “sherri” mes Pacollit dhe Ademit është thjesht një tymues i vogël mbi një aferë shumë më të madhe që lidhet me mënyrën se si fondet e pista qarkullojnë përmes projekteve strategjike të qeverisë shqiptare.

Dhe si gjithmonë, pas çdo zhurme publike, qëndron e njëjta frikë e vjetër e Edi Ramës: frika se auditët e Bashkimit Europian dhe NATO-s do të kërkojnë letrat origjinale të fondeve, dhe se do të zbulojnë se shumë prej tyre vijnë të ndotura./Pamfleti

aeroporti i vlorës tymnaja e radhës edi rama

5 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Unë mendoj se gjithçka lidhet me aksionerin Turk që futet në 'valle' dhe mandej del nga 'vallja', duke marë '5 mexhite'. Por në valle hidhet pare dhe si rregull 'paret' i shkojnë çiftit. 'Kush është çifti përfituesi fundor i Aeroportit të Vlorës? Ndoshta BKT. Me çfarë kapitali u krijua BKT? Kush janë aksionerët nga pala shqiptare?

    1. T
      Tironci fallco

      Prokuroria eshte hi syve. Aksioneret po te kishin problem kuotash duhej medoemos ne fillim ta diskutonin dhe ta zgjidhnin me Autoritetin Kontraktor pra me institucionet administrative pergjegjese per realizimin e kontrates. Prokuroria eshte gjethe fiku.

      1. F
        Fantomasi

        Kto jane kostot qe do paguaje populli shqiptar per bablokun e rradhes Keni pare ndonje Minister te tij ne intervista apo studio opinionesh?Pse sdel Bellamerda te sqaroje aq sa di per parate tona te investuara keq ne aeroport?

        1. I
          Ideal

          Me paratë e qytetarëve (taksa) Vlorë Bypass-i nuk është per qytetaret Aeroporti nuk është për qytetarët Lungomare nuk është për qytetarët Tuneli nuk është për qytetarët Vija e bregdetit Vlorë - Orikum, nuk mbrohet më E gjitha për: Zonat ku milionerët e afërt kanë investuar Atyre iu duhet aeroporti, tuneli, Sazani, bregdeti i virgjër dhe turistët që nuk mund të rrinë në plazhet e dëmtuara. Plan i bukur

          1. A
            AVOKATI I DJALLIT

            Koncesion: një privilegj i dhënë nga shteti një "investitori/operatori të kualifikuar me përvojë të provuar globale në të njëjtën fushë". Një automjet me qëllim të veçantë - SPV - formohet nga një kompani e tillë kryesore për të investuar dhe operuar. Statusi i tij NUK MUND të ndryshohet pa miratimin paraprak të Autoritetit. Nëse Asnjë kompani e kualifikuar = asnjë koncesion! E thjeshtë. Kush ishte ajo kompani kryesore e kualifikuar? YDA. Ku është ajo në SPV sot? Ankara. Por nderuar Pacolli aty? Zero. Valoni? Zero. Pra; "VIA x 0=0". LIGJËRISHT, kompania e Aeroportit të Vlorës (SPV) NUK MUND të ekzistojë.

            Lini një Përgjigje

            Editorial