TAGS-AT E JAVËS

Editorial 9 Gusht 2025, 09:06

Rreziku i përmendjes së Kosovës nga Trump si “zonë lufte”

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
Rreziku i përmendjes së Kosovës nga Trump si “zonë
Presidentka e Kosovës dhe Presidenti Trump /

Kosova rrezikon të përdoret si pjese e një pazari të ri që po përgatitet ndërmjet fuqive të mëdha për të rindarë botën…

Në Prishtinë sidomos, por edhe në Tiranë, ka një entuziazëm të pashpjegueshëm ndaj deklaratave në erë që hedh Donald Trump për Kosovën.

Që nga Vjosa Osmani, por edhe analistë të ndryshëm, e kanë konsideruar këtë qasje si një vëmendje politike e fuqisë më të madhe të botës ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në veçanti.

Nga këto qarqe, nuk është shprehur ndonjë arsye mbi entuziazmin e shfaqur, gjithsesi logjika e tyre konsiston në një mendësi provinciale. Që do të thotë se nëse je në mendjen e Perandorisë, atëherë punët janë në rregull.

Në realitet, kjo mendësi është jo vetëm e gabuar, por edhe e dëmshme. Pasi siç dihet vendet e vogla përmenden nga Perandoritë vetëm për hire të interesave të tyre. E pikërisht në këtë aspekt, do të duhet të bëhet një kujdes i shtuar për të lexuar mesazhet që vijnë në të tilla raste.

Kur je në një situatë krize, lufte, apo kur shpirti të ka ardhur ‘në majë të hundës’, çdo përmendje ndërkombëtare, apo diskutim për këtë krizë mund të jetë një mundësi për ty. Gjë që nuk ndodh në një rast kur përmendesh për gjëra që nuk shqetësojnë vendin.

Nëse Kosova e pushtuar nga Serbia, e cila me një teknologji terrori dhe spastrimi kërkonte të ndryshonte raportet etnike në Kosovë, u bë pjesë e diskutimeve ndërkombëtare, kjo ishte pozitive, pasi do të duhej të dilej nga ai ngërç. Fati dhe aleatët, e sollën që në këtë diskutim të fitonin shqiptarët, të cilët u çliruan nga zgjedha serbe, madje fituan edhe një shtet të ri.

Ndërkaq, sot Kosova nuk ka krizë, përveç një procesi politik ndërkombëtar për njohjen nga vende të tjera apo për përfshirje në OKB dhe organizatat ndërkombëtare të lidhura me të.

Një proces që nuk zgjidhet më me shpatë si në 1999-n, por me një konjukturë ndërkombëtare që pajtohet me pavarësinë e Kosovës. Pasi siç dihet, sot Rusia dhe Kina, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e mbajnë peng avancimin e çështjes.

Ndërkaq, përmendja shpesh e më shpesh nga Trumpi, është pak të thuhet problematike. Jo vetëm që shefi aktual i Shtëpisë së Bardhë e përdor Kosovën si pjesë e qëndrimeve të tij të kriptuara virale, por edhe për kontekstin e këtij ligjërimi.

Trump thotë se ka shpëtuar një luftë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjë që nuk ka aspak gjasë që të jetë e tillë. Pasi nëse Serbia do të sulmojë Kosovën, i bie të sulmojë NATO-n, e cila ruan kufijtë e saj. Dhe në fakt, përveç Trump, administrate amerikane nuk e ka elaboruar këtë qëndrim.

Ç’ka tregon një gjë të rrezikshme dhe madje shumë. Gjë që e paralajmëroi para largimit nga Beogradi, ish-ambasadori Chris Hill, një nga diplomatët që e njeh më mirë Ballkanin e çështjen shqiptare.

Kosova rrezikon të përdoret si pjese e një pazari të ri që po përgatitet ndërmjet fuqive të mëdha për të rindarë botën.

Duket që Trump e përmend Kosovën për t’i treguar Putinit në distancë temat e diskutimit në këtë Pazar të ri. Ku siç duket ka sinjale të qarta nga Moska, e cila ka interesa strategjike në Ballkan. Kryesisht në Bosnjë, në republikën Srpska ku dhe ka investuar miliarda, natyrisht edhe në Serbi. Por përfshirja e Kosovës në këtë Pazar të ri, ndërkohë që është një shtet sovran i përfunduar dhe i njohur nga shumica e Perëndimit, është një kurth i tmerrshëm. Që nëse vjen si fakt i kryer pra, nëse Uashingtoni i ofron paktin e ri për ndarjen e Kosovës si “merre apo lere”, nuk ka më mundësi për ne. Sidomos në këtë situatë, ku prej 6 muajsh Kosova nuk arrin dot të instalojë institucionet e saj, të dala nga zgjedhjet e shkurtit.

Ndërkaq, prej muajsh tashmë, qarqe shumë serioze europiane që kanë qenë kundër Kosovës dhe në 1999, por i frikësoheshin SHBA, kanë dalë në dritë me forcë. Bëhet fjalë për qarqe europiane si në Francë apo në Itali, që kanë një peshë të rëndësishme në opinion.

Luca Caraciolo, një analist i njohur dhe drejtor i revistës gjeopolitike ‘Limes’ në Itali, pjesë e grupit FIAT, deklaroi një muaj më parë se “Kosova është një shtet i dështuar që drejtohet nga trafikantë droge”.

Ky personazh, apo këta tipa personazhesh, këto deklarata nuk i bënin dot më parë, e sot po, sepse kanë në dorë mjaft dokumente që i japin liri veprimi. E zhvillimet e brendshme në Kosovë, vetëm se po i ndihmojnë këta qarqe./Pamfleti

rreziku i përmendjes së kosovës donald trump kosova

Lini një Përgjigje

Editorial