TAGS-AT E JAVËS

Editorial 4 Gusht 2025, 13:07

Tipologjia që bashkon Edi Ramën me Aleksandar Vuçiç

Shkruar nga Gjergj Zefi
Tipologjia që bashkon Edi Ramën me Aleksandar Vuçiç
Rama dhe Vuçiç /

Në Serbi shpërthen kriza institucionale me përplasje frontale mes Vuçiçit dhe drejtësisë, ndërsa në Shqipëri Rama kultivon të njëjtën klimë mosndëshkueshmërie përmes kapjes graduale të institucioneve…

Përballja e Aleksandar Vuçiçit me Prokurorinë e Krimit të Organizuar në Serbi ka hedhur në dritë një krizë më të thellë se çdo rotacion politik: atë të shtetit të kapur. Kur presidenti i një vendi e akuzon publikisht drejtësinë për “infiltrim të huaj” dhe paralajmëron ndjekje penale kundër vetë kryeprokurorit, kemi të bëjmë me një akt të rrallë të vetëdemaskimit autokratik. Kjo skenë groteske në Beograd, me liderin që sulmon drejtësinë ndërkohë që protestat qytetare kërkojnë fundin e korrupsionit dhe hetime për aferën e tragjedisë së Novi Sadit, përkon me një moment kritik për vetë Ballkanin Perëndimor, ku demokracia rrezikon të mbetet vetëm retorikë në fjalimet ndërkombëtare.

Por Vuçiç nuk është një përjashtim ballkanik. Ai është pasqyra më brutale e një modeli qeverisës që ka marrë jetë edhe në Tiranë, me Edi Ramën si versionin më të sofistikuar të të njëjtit sistem: qeverisje e personalizuar, dobësim i opozitës reale, gjunjëzim të pushtetit vendor dhe drejtësi e instrumentalizuar.

Nëse në Serbi, drejtësia po sfidon autoritetin e Vuçiçit, në Shqipëri ndodh e kundërta: drejtësia është kthyer në armën e heshtjes politike, ku të gjithë dosjet e mëdha të korrupsionit të qeverisë mbahen në sirtar, ndërsa ekspozohen publikisht vetëm rastet e vogla për të mbajtur fasadën e “reformës”, apo rastet kur Kryeministri kërkon vetë t’i linçojë. Njësoj si në Beograd, edhe në Tiranë, retorika e jashtme është e përkryer: integrim, reformë në drejtësi, standarde, por realiteti institucional është diktuar nga qendra e pushtetit politik.

Paralelja është frikshëm e qartë. Në Serbi, një numër i konsiderueshëm i ish-zyrtarëve të qeverisë u arrestuan kohët e fundit, por Vuçiç nuk i pa si sukses i drejtësisë, përkundrazi, ai i sulmoi prokurorët si vegla të perëndimit. Në Shqipëri, nuk ka ndodhur asnjë arrestim simbolik për çështje si inceneratorët, sterilizimi, portet e shitura, koncesionet, apo vjedhja me tendera emergjentë. Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk është përballur asnjëherë me akuza të Ramës, sepse s’ka pse, e ka në kontroll. Heshtja është shenja e kapjes. Në Serbi ndodh përplasja e hapur; në Shqipëri, simbioza tinëzare.

Në të dy rastet, protesta është shenja më e dukshme e ndjeshmërisë popullore. Në Serbi, pas tragjedisë së Novi Sadit, u ndezën protestat më të mëdha antikorrupsion në dy dekada. Në Shqipëri, protestat kanë qenë më të rralla dhe më të dobëta, të mbytura nga një opozitë e fragmentuar dhe një propagandë agresive mediatike. Kjo nuk do të thotë që pakënaqësia nuk ekziston, por tregon se kontrolli social në Shqipëri është më i sofistikuar, ndërsa në Serbi është më brutal.

Por përfundimi është i njëjtë: shteti ligjor nuk ekziston kur lideri është mbi ligjin, dhe kjo është tipologjia që bashkon Vuçiçin dhe Ramën. Të dy kanë ndërtuar sistemin e “dorës së hekurt me buzëqeshje”: njëri duke demonizuar perëndimin për çdo hetim, tjetri duke e përqafuar atë për të bllokuar çdo kritikë të brendshëm. Por rezultati është i njëjtë: mosndëshkueshmëri, drejtësi e frikësuar dhe pushtet pa kontrolle.

Ndërkohë që protestat në Serbi e vendosin Vuçiçin në një pozitë të vështirë, është legjitime të pyesim: kur do të vijë radha e Tiranës? Apo shqiptarët do të mbeten spektatorë të një demokracie të përmbysur me stil, ku çdo skandal i qeverisë fshihet pas ndonjë pikture, videoje propagandistike apo samiti të radhës me liderët evropianë?

Në fund, një gjë është e qartë: autokracitë moderne nuk kanë më nevojë për diktatorë brutalë. Mjafton një lider që flet bukur, kontrollon mediat, dhe fut drejtësinë në xhep. Dhe kjo është arsyeja pse sot, Vuçiç është nën presion të madh, ndërsa Rama ende jo. Por siç ndodh në histori, ky avantazh është gjithmonë i përkohshëm./ Pamfleti

tipologjia rama vuçiç

Lini një Përgjigje