TAGS-AT E JAVËS

Editorial 1 Gusht 2025, 11:41

Giorgia, mamma mia, che affare!

Shkruar nga Gjergj Zefi
Giorgia, mamma mia, che affare!
Giorgia Meloni dhe Donald Trump /

Meloni e shet si fitore, por marrëveshja me Trump është një faturë miliardëshe për Italinë dhe një trofe për Amerikën. Europa hesht, Italia feston...

Pas gjashtë muajsh negociata me tensione, lëshime dhe shpresa të kota, “Marrëveshja e Turnberry-t” në Skoci vulosi një realitet të hidhur për qeverinë italiane dhe gjithë Evropën: marrëveshja me Donald Trump nuk ishte as fitore, as shpëtim, por një akt i pastër imponimi.

Italia e Giorgia Melonit, nën një diskurs festiv që përpiqet të maskojë realitetin, e ka pranuar një pakt që në thelb është poshtërues. Një paketë që përfshin:

·         750 miliardë dollarë për blerje nafte dhe gazi nga SHBA,

·         650 miliardë të tjera investime të detyruara në tokën amerikane nga industria italiane,

·         Dhe një taksë “miqësie” që shumë e quajnë të paimagjinueshme për t’u zbatuar realisht.

Për më tepër, Trump, ose siç e përqeshin kritikët, “Daddy” me petkun e Cezarit dhe Papës, deklaroi se vendet që nuk nënshkruan marrëveshje do të përballen me tarifa 15 deri në 20%. Me fjalë të tjera, Evropa negocioi për gjashtë muaj vetëm që të arrijë diçka që është po aq e keqe, në mos më keqe, sesa ajo që do t’u ofrohet vendeve që s’u ulën fare në tryezë.

Ndërsa Berlini (nën drejtimin e kancelarit Friedrich Merz) paralajmëron pasoja të rënda për ekonominë gjermane dhe Parisi e cilëson marrëveshjen si “të njëanshme”, Roma zyrtare zgjedh të vetëmashtrohet me gjuhë pompoze: “rreziku u shmang”, “kuota 15 është e përballueshme”, “uniteti perëndimor i ruajtur”. Por këto janë vetëm iluzione.

Në të vërtetë, kjo marrëveshje shënon fundin e partneritetit të privilegjuar transatlantik. Në sytë e Washingtonit të Trump, Evropa nuk është më aleate por një barrë, një konkurrente që duhet disiplinuar me masa tregtare dhe presion politik. Retorika e “MAGA”-s, që shumë në të djathtën evropiane e shihnin si folklor elektoral, është kthyer në doktrinë shtetërore.

Për Giorgia Melonin, e cila u rreshtua krah për krah me Trump në një narrativë të përbashkët për “ribërjen e Perëndimit të madh”, kjo marrëveshje është një goditje e rëndë diplomatike dhe një tronditje për sovranitetin ekonomik të Italisë. Sepse në këtë “pakt të madh”, fituesi i vetëm është Amerika.

Të gjithë të tjerët, përfshirë Italinë, do të paguajnë që të shpëtojnë nga tarifat amerikane, do të punojnë për të forcuar ekonominë e SHBA-së dhe do të luten për “mëshirën” e një lideri që nuk njeh miq, por vetëm para./Pamfleti

giorgia meloni mamma mia che affare

Lini një Përgjigje

Editorial