Fshirja e Trump nga muzeu është simbol i një kohe kur liderët nuk mjaftohen më me kontrollin e mediave, tani duan të kontrollojnë edhe historinë. Nëse nuk reagojmë, do të jetojmë në një botë ku historia do të jetë një produkt i pushtetit, jo i fakteve...
Nga SHBA te Rusia, nga Hungaria te Kina: liderët e fuqishëm po kontrollojnë të shkuarën për të sunduar të ardhmen. Rasti i Trump në Smithsonian është vetëm maja e ajsbergut të një tendence globale që po shkatërron demokracitë.
Në një akt që mund të dukej banal në pamje të pare, heqja e një paneli që përmendte dy impeachment e Donald Trumpit, fshihet një fenomen shumë më i rrezikshëm: përpjekja e një lideri për të kontrolluar narrativën historike përmes pushtetit ekzekutiv.
Në mars 2025, Trump firmosi një urdhër ku denonconte “përpjekjet për të rishkruar historinë e Amerikës”, duke kërkuar “pastrimin e ideologjive të papërshtatshme” nga institucionet kulturore. Retorikë e njohur për çdo historian që ka studiuar fashizmin apo komunizmin. E njëjta frazologji përdorej nga regjimet totalitare për të justifikuar censurën dhe manipulimin e kujtesës kolektive.
Paralelizmat janë të frikshëm. Në Rusi, Vladimir Putin ka kriminalizuar publikisht çdo përmendje kritike ndaj Luftës së Dytë Botërore që nuk përputhet me narrativën shtetërore.
Në Hungari, Viktor Orban ka ndërtuar një sistem edukimi dhe muzeal që glorifikon të kaluarën “kombëtare” duke minimizuar apo fshehur rolin e Hungarisë në krimet naziste.
Në Kinë, Partia Komuniste fshin sistematikisht çdo kujtim të masakrës së Tienanmenit dhe kontrollon narrativën e çdo epoke historike.
SHBA, me gjithë institucionet e saj të fuqishme dhe pluralizmin mediatik, nuk është imune. Veprimi ndaj Smithsonian është dëshmi se edhe në demokracinë më të madhe të botës, kujtesa historike është nën sulm.
Autoritarizmi nuk kontrollon vetëm të tashmen, por edhe të kaluarën
George Orwell, në romanin 1984, shkruante:
“Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon të tashmen, kontrollon të kaluarën.”
Pikërisht këtë po bëjnë liderët autoritarë sot: ata nuk synojnë vetëm kontrollin mbi institucionet politike, por edhe mbi narrativën kombëtare, për të legjitimuar sundimin e tyre.
Në këtë kontekst, SHBA-ja e Trump-it nuk është përjashtim, por pjesë e një valë më të gjerë ku demokracitë po zbehen, institucionet po nënshtrohen dhe historia po shndërrohet në një mjet propagande.
Kur SHBA, simboli i demokracisë dhe lirisë nis të censurojë të kaluarën përmes urdhrave presidencialë, mesazhi që u dërgohet autokratëve të tjerë është i qartë: edhe Amerika po ndjek rrugën tuaj.
Për aleatët perëndimorë, kjo është alarmante. Humbja e standardeve demokratike në SHBA do të dobësonte fuqinë morale të Perëndimit në përballjen me regjime si ai i Rusisë apo Kinës. Për Ballkanin, ku demokracia është ende e brishtë dhe e sulmuar nga ndikimet lindore, ky shembull është edhe më i rrezikshëm.
Kur historia manipulohet nga pushteti, rreziku nuk është vetëm për të kaluarën, por për vetë të ardhmen. Ajo që ndodhi në Smithsonian është një sinjal i qartë: autoritarizmi nuk njeh kufij. Dhe nëse Perëndimi nuk e mbron të vërtetën, atëherë do të humbasë edhe të drejtën për ta udhëhequr botën./Pamfleti
Lini një Përgjigje