TAGS-AT E JAVËS

Editorial 8 Gusht 2025, 11:56

Reliket politike dhe shirat e përjetshëm të Ballkanit

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net

Reliket politike dhe shirat e përjetshëm të Ballkanit

'Çadra e artë' e Ballkanit: Nga Milo e Vučić te Berisha e Rama, reliket që Europa ende nuk i ka vënë në muze...

Në Ballkan, pushteti nuk merret për ta lënë pas disa vitesh; merret si pronë private, si biznes familjar, dhe mbahet me dhëmbë derisa, ose të të përmbysë rruga, ose të të shpëtojë “çadra e artë” e Brukselit.

Në Mal të Zi, “zlatni kišobran”(Ombrella e artë) e shpëtoi Milo Đukanović-in nga një dush ligjor që do t’i kishte shkundur gjithë pasuritë e deklaruara e të fshehura.

Në Serbi, Aleksandar Vučić po ecën drejt të njëjtit destinacion, duke tundur flamurin e nacionalizmit dhe duke shtrydhur çdo burim natyror, politik e njerëzor që mund t’i garantojë mbijetesën.

Po Shqipëria?

A kemi ne relike të tilla?

Më shumë se një.
Kemi Sali Berishën, që me gjithë peshën e “non grata”-s amerikane, ende sillet si i vetmi pronar i të djathtës, ndërsa pretendon të jetë viktimë e një komploti global.

Nga ana tjetër, kemi Edi Ramën që e ka kthyer pushtetin në një teatër propagandistik me skenografi nga vetë ai, ndërsa për bizneset strategjike ua hap derën të huajve njësoj si kolegët e tij ballkanas.

Ngjashmëritë janë të frikshme:

·         Të gjithë kanë një fjalor të pasur për “armiqtë e kombit”, por dhe një portofol edhe më të pasur për tenderët klientelistë.

·         Të gjithë flasin për “reforma historike” ndërsa mbajnë të pandryshuar sistemin që u garanton mbijetesën.

·         Të gjithë i shohin protestuesit si pengesë, jo si zë të sovranit.

·         Dhe, më e rëndësishmja, të gjithë janë gati të bëjnë çdo marrëveshje me Perëndimin për sa kohë që kjo u garanton paprekshmëri – në politikë dhe në pasuri.

BE-ja e di këtë. Ndaj i mban në lojë derisa të mos i duhen më, pastaj u ofron “çadrën e artë” dhe u tregon derën nga pas, por me kujdes, që të mos shkaktojnë trazira që do t’i prishnin investimet, litiumin, portet dhe korridoret energjetike.

Në fund, qytetarët e Ballkanit mbeten në shi. Çadrat e arta nuk janë për ta, janë vetëm për ata që e kanë kthyer shtetin në kompani private. Ndërsa ne, të lagur deri në palcë nga korrupsioni e propaganda, vazhdojmë të shohim nga qielli, duke shpresuar se ndonjë pikë shiu do ta pastrojë llumin e viteve./Pamfleti

gjukanoviç vuçiç rama berisha çadra e artë reliket politike

Lini një Përgjigje

Editorial