Fundi i pashmangshëm i atyre që s’besojnë në fund...
Ka personazhe që hyjnë në politikë si të ishin të dërguar nga qielli, por që vijnë nga bodrumet e historisë. Janë ata që e konsiderojnë kollaren si kostum të shpëtimtarit, që flasin për flamurin ndërsa firmosin kontrata për shkatërrimin, që recitojnë për kombin por që duan pushtetin, përjetësisht, pa i dhënë llogari askujt.
Milorad Dodik nuk është as i pari, as i fundit.
Është një prej shumë ndyrësive politike që e kanë keqkuptuar profesionin duke e konsideruar veten, hyjni. Ai mendoi se mund të tallë ligjin, ndërkombëtarët, bashkëqytetarët dhe arsyen. Por ligji nuk është gjithmonë i shurdhët. Ndonjëherë, edhe në Ballkan, përmendet. Edhe pse vonë. Edhe për një Dodik.
Tani pa mandat, por ende plot fjalë boshe, Dodiku qan në rrjetet sociale për drejtësi të trukuar. Si çdo autokrat i ekspozuar, sillet si viktimë, flet për popullin, për sulm nga jashtë, për një komplot që nuk ekziston. Në të vërtetë, gjithçka që po ndodh është një pasojë logjike. Nuk është ndëshkim, është pastrim. Historia ka një mënyrë të çuditshme për ta bërë dezinfektim. Dhe fillon gjithmonë nga ata që duken më të paprekshëm.
E njëjta formulë kudo. Janë gjithmonë të njëjtët: të fortë në fjalë, të ulët në moral, të pasur në luks, të varfër në ndërgjegje. E njëjta skemë. Pushtet me propagandë, kontroll mbi drejtësinë, manipulim me flamur, me religjion, me nostalgji. Një rrjet parazitësh që thonë se janë shërbëtorë të kombit por i trajtojnë qytetarët si dele dhe vetveten si perandorë. Një kastë që kur bie, nuk bie me turp, por me të njëjtën arrogancë që e mbajti në pushtet.
As Dodiku nuk është unik. Ka plot si ai që sillen si kalorës të drejtësisë ndërsa zvarriten nëpër korridore pushteti për të mbrojtur veten nga burgu. Të tillët kanë gjithmonë një justifikim, një armik për të sajuar, një gazetar për të blerë dhe një njeri të drejtë për ta baltosur. Por fundi vjen. Nganjëherë vjen me aktgjykim. Herë me dosje. Herë me thirrje nga ambasada. Herë nga rruga. Herë nga votat.
Pushteti nuk është i përjetshëm. As imuniteti nuk është mburojë përjetësie. Dhe kur të pushtetshmit bien, bien keq. Të shkatërruar, të vetëm, të pështirë. Asnjë prej tyre nuk largohet si burrë. Të gjithë kërcejnë nga dritaret politike si minj që ikin të parët nga anija që po mbytet. Dhe për ironi, fajësojnë anijen. Jo veten që e çuan në fund.
Në fund mbetet veç njolla. Jo nderi. Jo trashëgimia. Jo lavdia. Vetëm një kujtim i keq që brezi tjetër e rrëfen me përbuzje. Nëse ka një mësim nga Dodikët, është ky: historia të duron gjatë, por kur të vjen radha, të shqyen pa mëshirë./Pamfleti
Lini një Përgjigje