TAGS-AT E JAVËS

Editorial 7 Gusht 2025, 10:49

Taksa e 'dashurisë së humbur'

Shkruar nga Gjergj Zefi

 Taksa e 'dashurisë së humbur'

Kush e do Amerikën paguan më pak, e kush s’e do paguan më shumë…Tarifat deri në 50% janë më shumë sesa ekonomi, janë ndëshkim për ata që i kthejnë krahët Amerikës së Trumpit. Shqipëria... thjesht paguan, pa thënë asnjë fjalë...

Me hyrjen në fuqi të tarifave të reja amerikane, Presidenti Donald Trump e ka shpallur de facto fillimin e një faze të re të proteksionizmit global, të udhëhequr nga Uashingtoni.

Data 7 gusht 2025 shënon jo vetëm rivendosjen e "doktrinës reciproke" që Trump e promovoi që në mandatin e parë, por edhe radikalizimin e saj, me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik, diplomatik dhe strategjik.

66 shtete do të preken nga rritja dramatike e tarifave mbi eksportet drejt SHBA-s, me norma që variojnë nga 10% deri në 50%.

BE, Japonia dhe Koreja e Jugut arritën tarifa kompromisi prej rreth 15%, por vende si India do përballen me tarifa 50% si "ndëshkim diplomatik" për bashkëpunimin me Rusinë.

Për Shqipërinë, tarifat e reja për importet drejt SHBA kapin nivelin e 40%, duke vendosur një barrë që mund të frenojë eksportet e pakta që ekzistojnë.

Qartësisht, kjo nuk është thjesht politikë ekonomike. Çdo tarifë është një levë e qartë diplomatike. India u godit jo vetëm si rival ekonomik, por si shtet që refuzoi të ndalë importin e naftës ruse. Vietnamit, Kilit apo Brazilit iu dhanë tarifa më të ulëta ose përjashtime të pjesshme, me kushtin e rritjes së investimeve në tokën amerikane.

Qasja e Trump nuk është naive, por e mirëllogaritur: duke ngritur pengesa doganore, ai forcon rolin e SHBA-s si "magnet ekonomik" që detyron kompanitë e huaja të zhvendosin prodhimin brenda kufijve të saj.

Kjo doktrinë nuk e fsheh asnjë nuancë moraliste: çdo vend i ndëshkuar në listë ka ose mospajtime strategjike me SHBA-në, ose dështon të plotësojë kushtet e "respektit tregtar", siç e quan Trump.

Nga ana diplomatike, kjo lëvizje mund të shkaktojë efekt domino: BE po sinjalizon masa kundërpërgjigjëse; Kina po studion rrugë alternative tregtare; dhe India, megjithë ndërlidhjen e fortë me SHBA-në, ka lënë të hapur opsionin e rinegocimit të aleancave ekonomike në Azi.

Rreziku për Shqipërinë dhe Ballkanin

Ndonëse Shqipërinë nuk e përmed askush në negociata tarifore, përshkallëzimi i klimës proteksioniste mund ta godasë rajonin në disa plane:

·         Rritja e kostove të eksporteve drejt SHBA në sektorë si fasoneria apo bujqësia

·         Ngadalësimi i investimeve amerikane, nëse klima ndërkombëtare mbetet e turbullt

·         Forcimi i presionit ndaj vendeve të vogla për të zgjedhur anën e tyre në "luftën tregtare"

Shqipërisë i nevojitet urgjentisht një strategji ekonomiko-diplomatike e koordinuar me BE-në dhe SHBA-në, për të shmangur pozicionin e viktimës së heshtur në ristrukturimin e tregtise globale.

Kjo valë tarifash nuk është e fundit. Ajo është pjesa e parë e një cikli të ri ku fuqitë e mëdha po e shohin tregtinë jo si bashkëpunim, por si instrument presioni. Të vegjlit që nuk përgatiten, do paguajnë faturën./Pamfleti

taksa e dashurisë së humbur

Lini një Përgjigje

Editorial