TAGS-AT E JAVËS

Editorial 3 Qershor 2024, 16:38

Rai 3, shqiptarëve ‘u shkon shtatë’!

Shkruar nga Mariela Stefanllari

 

Rai 3, shqiptarëve ‘u shkon shtatë’!
Edi Rama me gazetarin e Rai3 /

Të mendosh që kryeministri ynë pret dhe përcjell në zyrën e shtetit shqiptar njerëz financiarisht potentë, maniatë të krijuar dhe konsoliduar nga ekonomia e zezë, nga paratë e pista, kjo ta bën edhe më të frikshme të përditshmen...

Mbrëmë ‘u shkuan shtatë’ shqiptarëve. U llahtarisën të shkretë, teksa dëgjuan nga një televizion prestigjioz italian, nga një emision investigativ që faktet i ka kokëforta, sesa i lidhur, i rrjetëzuar dhe mafioz është kryeministri i tyre.

Kush do të guxojë më tani në Shqipëri të ngrejë krye ndaj kreut të klaneve dhe qarqeve të ekonomisë kriminale, trafiqeve dhe kondrabandave me rreze globale veprimi? Askush!

Të mendosh që Rama pret dhe përcjell në zyrën e shtetit shqiptar njerëz financiarisht potentë, maniatë të krijuar dhe konsoliduar nga ekonomia e zezë, nga paratë e pista, kjo ta bën edhe më të frikshme të përditshmen, jetën dhe të pamundur opsionin për të reaguar kundër qeverisë, që me falangat e saj të zhduk në moment, me një grusht çeliku.

Si për ironi të fatit, nga Rai 3, shqiptarëve ‘u shkuan shtatë’ sërish, kur ato që kishte investiguar gazetari, i përforcoi ish krahu i djathtë i kryeministrit kapobandë, i kryetarit të PS-së, socialistit progresist monedhofog, i arratisuri Ahmetaj, si për të na thënë se gjithçka që thuhet është e vërtetë, se gjithçka që ndodh në Shqipëri nuk varet prej askujt, se çfarëdo që bëhet në këtë vend është përtej vullnetit të shqiptarëve dhe se tashmë ju shqiptarë i keni parë dhe dëgjuar të gjitha.

E vetmja gjë që nuk keni parë akoma, prej vitit 2013, është opozita.

Opozita endet mes së padukshmes dhe inekzistentes, mes blusë së shpëlarë të vulës dhe egos së mekur të Berishës. Opozitës, penduli i lëviz në kontratemp mes Flamur Nokës së marrë peng dhe nevojës së shqiptarëve për të hequr vargonjtë. Opozita është shndërruar në tetraplegjike, për pasojë mos prisni trofe maratone.

Kjo është një opozitë prej së cilës, nuk keni parë asgjë akoma.

Fqinjët mbrëmë, por dhe më parë, ata në Perëndim dhe të tjerët në Lindje, shpesh, na ndihmojnë pamasë, na japin shtysa, fakte dhe incentiva për veprim, për reagim, por më kot, sepse ky vend, ky popull nuk ka opozitë, nuk ka strukturë politike opozitare që mund të zhbëjë situata dhe të rivendosë balanca.

Rama trafikon mallra, fonde dhe narkotikë, Basha ka 12 vite që trafikon PD-në.

Të dy kryejnë akte të tradhtisë kombëtare, por shqiptarëve u ‘kanë shkuar shtatë’ dhe nuk po gjejnë vrimë të futen..., e jo më të gjejnë fajtorin.

Quo vadis Shqipëri!/Pamfleti

rai3 shqiptarëve u shkon shtatë

Lini një Përgjigje