TAGS-AT E JAVËS

Editorial31 Maj 2024, 10:35

Pse sot nuk fitohen më luftërat?

Shkruar nga Gabriel Elefteriu
Pse sot nuk fitohen më luftërat?
E vetmja mënyrë për të fituar një luftë është të shkatërrosh gjithçka /

 Duhet të binden udhëheqësit në të gjitha kampet, që të kthehen gradualisht drejt negociatave, si një mënyrë rrugëdalje nga rrëmuja ku gjendemi...  

“Lufta është Ferr!”- tha William Tecumseh Sherman në vitin 1879, duke kujtuar pjesëmarrjen e tij në betejat kundër Konfederatës gjatë Luftës Civile të SHBA-së. Ashtu si gjeneralët më famëkeq të Unionit, Sherman e dinte se në epokën industriale të gjysmës së dytë të shekullit XIX duhej shumë brutalitet dhe përpjekje për të nënshtruar një armik të ngjashëm në përmasa.

“Marshimi drejt detit” i udhëhequr prej tij në vitin 1864, i famshëm për stilin e “tokës së djegur”, të kujton fushatat brutale mesjetare. Ai i dha një goditje të madhe (disa thonë fatale) ekonomisë, logjistikës dhe potencialit luftarak të Konfederatës.

Forcat e Sherman e shkatërruan të gjithë infrastrukturën (civile dhe ushtarake) që ndeshën rrugës, rrjetet e transportit, objektet industriale dhe pothuajse çdo gjë tjetër me vlerë ekonomike që ishte e mundur të digjej ose të hidhej në erë. Historianët shohin tek “Marshimi drejt detit”, një pararendës të asaj që në shekullin që pasoi u quajt Lufta Totale, dhe që kulmoi me aktin më të madh e të vetëm të shkatërrimit të kryer ndonjëherë nga njeriu: bombardimin bërthamor të Hiroshimës dhe Nagasakit në gushtin e vitit 1945.

Pra, shkatërrimi fizik dhe gjithëpërfshirës i territorit të kundërshtarit, si ai që po tentohet tani nga Rusia në Ukrainë, nuk është diçka e re, dhe siç e tregojnë të dhënat funksionon. Përveç sigurimit të kushteve ushtarake për ta realizuar diçka të tillë - pra bërjen e armikut të pafuqishëm për të mbrojtur tokat dhe qytetet e tij - problemi kryesor është të kesh kapacitete materiale për të kryer shkatërrimin në masën dhe në afatin e kërkuar.

Nevojiten sasi shumë të mëdha eksplozivi, dhe nëse kryhet nga distanca (p.sh përmes bombardimeve ajrore, detare ose tokësore), trupat xheniere për të niveluar të gjitha infrastrukturat e ndërtuara. Për shembull, Gjatë Luftës së Krimesë inxhinierët britanikë shpenzuan muaj të tërë për të hedhur në erë bazën detare ruse dhe kompleksin e kantierit pas rënies së Sevastopolit në duart e forcave anglo-franceze në vitin 1855.

Dhe vetë rusët shpenzuan disa muaj duke e rrafshuar Groznin në Luftën e Dytë Çeçene në fundin shekullit XX-të, deri në pikën që OKB-ja e shpalli atë “qytetin më të shkatërruar në botë”. Pra, përveç se është Ferr, lufta është një sipërmarrje e vështirë. Dhe lufta moderne është edhe më e vështirë, për arsye materiale dhe “strategjike”.

Problemi themelor është shkalla, pra sasia e burimeve materiale të të gjitha llojeve - në shtëpi dhe në front - të nevojshme për të kryer operacione të mëdha ushtarake, numri i njerëzve të përfshirë, madhësia e madhe gjeografike dhe kompleksiteti i hapësirës së betejës në fushatat në shkallë të gjerë.

Që të gjitha këto funksionojnë në një shkallë, e cila është aq jashtë përvojës normale njerëzore dhe shoqërore, saqë ato janë jashtëzakonisht të vështira për t’u kuptuar. Në këtë mënyrë lindin gabime të rëndësishme gjykimi në të gjitha nivelet, por sidomos në atë të strategjisë, madje edhe midis ekspertëve të fushës.

Madje ajo i paraprin hartimit të strategjive, pasi keqkuptimi i shkallës në zhvillimin e një lufte, dhe pasojat e saj afatshkurtra dhe afatgjata, krijohen drejtpërdrejt bazuar tek pritshmëritë dhe supozimet e hershme rreth faktorëve që janë në lojë.

Prandaj shumica e luftërave të epokës industriale, u kthyen shumë shpejt në diçka shumë të ndryshme nga ajo që mendohej fillimisht: ”gjërat” (municionet, njerëzit dhe veçanërisht koha), mbarojnë shumë më shpejt nga sa ishte planifikuar. Në kontekstin modern, një pasojë e gjithë kësaj është se shkatërrimi sistematik i aftësisë së armikut për të luftuar, është shumë i vështirë për t’u arritur nga një këndvështrim praktik dhe material.

Nëse “goditja fatale” dhe ”fitorja e shpejtë” që presin gjithmonë strategët, nuk arrihen që në fazat e hershme të një konflikti modern konvencional nëpërmjet luftës manovruese, natyra shumë e industrializuar e botës sonë të globalizuar, vetëm sa garanton që lufta të shndërrohet në një makth të tmerrshëm.

Lufta e Ukrainës duket se e ka zgjidhur dilemën për të ardhmen e parashikueshme: fusha e betejës është shumë “transparente” për mbikëqyrjen në distancë, dhe objektivat janë shumë të prekshme ndaj sulmeve të menjëhershme me rreze të gjatë. Por vështirë se mund të ketë ndonjë përparim më të thellë.

Kapitullimi i armikut, ka të ngjarë të ndodhë vetëm si rezultat i prishjes dhe shkatërrimit pjesë-pjesë të kapacitetit të tij luftarak, dhe jo si rezultat i një manovre të caktuar. Ana tjetër e medaljes e luftës me intensitet të lartë, është mënyra se si i zhvillojmë fushatat kundër kundërshtarëve jo-shtetërorë në epokën moderne, ose më saktë post-moderne.

Ndërsa në luftërat konvencionale tentohet shkatërrimi, që është i vështirë për arsye praktike, në luftën jo-konvencionale kundër kryengritësve apo terroristëve, shkatërrimi do të ishte relativisht i lehtë në praktikë (armiku nuk mund të mbrohet një për një, pra në mënyrë simetrike), por kjo nuk provohet siç duhet.

Arsyetimi modern në Perëndim mbi dështimin për të shkaktuar shkatërrimin maksimal ndaj forcave jo-shtetërore apo kryengritëse, bazohet tek nevoja për të respektuar ligjin ndërkombëtar dhe të ashtuquajturat “të drejtat e njeriut”.

Ky është faktori i vetëm më i rëndësishëm që përbën vargun e dështimeve perëndimore në vende si Iraku dhe Afganistani, ku taktikat COIN (lufta kundër kryengritjes) preferoheshin në vend të mënyrës së nderuar të kohës për t’i mposhtur kundërshtarë të tillë, pra përmes dhunës ekstreme.

Dhe kjo vetëm sa pohon një fakt. Përgjatë gjithë historisë, që nga koha e Aleksandrit të Madh dhe deri në ditët e sotme të Putinit, metoda fituese për t’u përballur me kryengritjet dhe guerilet ka qenë e njëjta: shkatërrimi dhe hakmarrja të përgjakshme, në një shkallë sa më të madhe, për t’i tmerruar terroristët dhe mbështetësit e tyre në popull.

Në dallim nga vendet perëndimore, rusët e ruajnë ende këtë qasje dhe mendësi, sepse ajo funksionon. Ata e dëshmuan këtë në Çeçeni, një vend me luftëtarë unikë dhe tejet të egër, të cilët megjithatë Putin i nënshtroi pikërisht duke përdorur taktika të shkatërrimit në shkallë të gjerë. Çeçenia jo vetëm që u nënshtrua në një kohë rekord, por sot çeçenët po luftojnë dhe po vdesin për ish-armiqtë e tyre rusë, në Ukrainë. Një shembull edhe më i fundit është Siria, ku Assad - me  ndihmën e Rusisë - ndoqi gjithashtu një strategji të paepur të shkatërrimit kundër zonave të kontrolluara nga rebelët (përfshirë në qytete si Alepo), gjë që ishte moralisht e neveritshme, por e suksesshme në aspektin ushtarak.

Me gjithë zymtësinë e saj, çështja e shkatërrimit është thelbësore për të fituar luftërat. Në epokën moderne, vështirë se ka ndonjë rrugëdalje tjetër, pasi fitoret e tipit Blitzkrieg (sulmet e rrufeshme) nuk janë më të mundura. Luftërat shndërrohet në një kaos afatgjatë, i cili në një botë të globalizuar bëhet gjithnjë e më kompleks përmes ndërhyrjeve të huaja me kalimin e kohës. Dhe kjo është në thelb, arsyeja pse askush nuk “fiton” më me vendosmëri, pra përmes dorëzimit të qartë të palës tjetër. Rusia po lufton në Ukrainë dhe mund të mos e përmbysë kurrë kundërshtarin e saj. Izraeli ndoshta nuk është as në gjysmë të rrugës së fushatës së tij në Gaza, edhe pas gati 8 muaj luftime të ashpra në një rrip të vogël toke.

Fushata kundër ISIS-it zgjati gjysmë dekade, derisa u vra lideri i tij Abu Bakr al-Baghdadi dhe u zhdukën bazat e fundit të terroristëve në Siri. Megjithatë lëvizja barbare ekziston ende. Mund të kthehemi edhe më pas në kohë, tek Lufta Iran-Irak në vitet 1980 apo e Vietnamit në vitet 1970. Edhe Lufta e Koresë është vetëm teknikisht një armëpushim. Përjashtimet, si fitorja e Izraelit në 1967 janë të pakta, ndërsa fushatat si Lufta e Gjirit e vitit 1991, ajo e Libisë në vitin 2011 apo edhe e Yom Kipurit, nuk u shtynë kurrë drejt fundit të tyre logjik ushtarak. Dështuan në të njëjtën mënyrë si të tjerat.

Njohja e rolit kryesor që ka shkatërrimit në një luftë, nuk është një këshillë dëshpëruese në raport me situatën tonë aktuale. Në një luftë si ajo në Ukrainë, imperativi i shkatërrimit do të thotë që edhe pse janë të gatshëm të shkatërrojnë gjithçka që munden, rusët përballen me kufizime fizike dhe praktike të kapacitetit të tyre për ta bërë këtë.

Ndërsa çimentohet ky realitet, dhe vështirësia për të shkatërruar qytetet dhe territoret e mëdha nëpër vende të tjera bëhet akoma më e qartë, ajo mund të kontribuojë në rritjen e parandalimit kundër agresionit të mëtejshëm rus përtej Ukrainës.

Këtu duhet pasur parasysh edhe sjellja e Kinës: dërgimi i një force pushtuese amfibe në Ngushticën e Tajvanit, do të ishte  një ambicie e madhe me shumë pak, në mos aspak, shanse për një fitore të shpejtë. Prandaj, mund të thuhet se lufta brutale në Ukrainë, po na mëson sërish leksionet e vjetra të dinamikës së shkatërrimit, dhe po na rikujton se vështirësia strukturore për të fituar një konflikt modern, po dëshmohet sërish në një proces të ngadaltë dhe të përgjakshëm.

Dhe ky fakt duhet t’i bindë udhëheqësit nga të gjitha kampet, që të kthehen gradualisht drejt negociatave, si një mënyrë rrugëdalje nga rrëmuja ku gjendemi. Alternativa e vetme, është shumë më tepër shkatërrim, i cili kërkon armë bërthamore. Dhe këtë të fundit nuk e dëshiron askush.

Shënim: Gabriel Elefteriu, zëvendësdrejtor në Këshillin për Gjeostrategjinë në Londër dhe bashkëpunëtor në Institutin Jorktaun, Uashington.

pse sot nuk fitohen më luftërat gabriel elefteriu

Lini një Përgjigje