Koshient se kërcënimi i vetëm i tij janë fuqitë e mëdha, SHBA e vendet e fuqishme të BE-së: Gjermania, Britania apo edhe Italia, Rama po kërcënon me kartën nacionaliste, gjoja kontrollon komunitetet shqiptare në Europë...
Tashmë edhe zyrtarisht Edi Rama është armiku politik i së majtës italiane në zgjedhjet europiane të 6 qershorit. Partia Demokratike e Elly Schlein ka shpërndarë një poster elektoral, ku kryeministri shqiptar konsiderohet si ‘gogoli’ politik i italianëve.
Në posterin e partisë demokratike italiane, në fakt, merret për bazë një nga ‘mufkat’ e Bablokut që ka thënë në një intervistë në mediat italiane, ku me qëllimin që të përkrahë Melonin, i ka prishur gjërat edhe më shumë. Rama u shpreh se marrëveshja për kampin e Gjadrit është realisht e pazbatueshme.
Ndaj opozita italiane shfrytëzoi momentin dhe e goditi fort, duke hapur betejë në Parlament.
“Pas fjalëve të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i kërkojmë qeverisë të raportojë urgjentisht në parlament për ecurinë e investimeve të parashikuara nga marrëveshja Itali-Shqipëri. Delegacioni i deputetëve të së majtës italiane që ndodheshin në Shqipëri së fundmi për të dokumentuar gjendjen reale të ecurisë së investimeve në ish-bazën ushtarake të Gjadrit, ku sipas axhendës së qeverisë duhet të kishte funksionuar tashmë si një qendër pritjeje emigrantësh.
Rama konfirmon kompleksitetin e marrëveshjes, duke hedhur një hije të gjatë mbi mundësinë e menaxhimit të saktë të procedurave të zbarkimit, identifikimit dhe azilit në Shqipëri. Por mbi të gjitha konfirmon atë që kemi parë me sytë tanë: për momentin strukturat nuk janë aty dhe investimet po ecin me vonesa të mëdha, pavarësisht rritjes së ndjeshme të kostove të gjithë operacionit që do të shkaktojë një dëm me mbi 800 milionë euro për qerverinë italiane. E cila duhet të ndalojë dhe t'i përdorë ato fonde për mirëqënien dhe kujdesin shëndetësor, siç e kërkon ligji ‘Schlein’”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike Italiane.
Në fakt, mufka që ka hedhur Rama në Itali, që më pas e përsëriti edhe për Financial Times, duket se nuk është gjë tjetër veçse një mekanizëm presioni ndaj krerëve europianë.
Mekanizëm presioni, që krejt hapur po e bën në takimet me diasporën në Athinë, Milano, e më pas siç duket do ta rithotë edhe në Gjermani e Britaninë e Madhe.
Rama po luan me kartën e stabilitetit, për të treguar se ai është garancia e vetme e një gjendje të qetë në Shqipëri.
Koshient se kërcënimi i vetëm i tij janë fuqitë e mëdha, SHBA e vendet e fuqishme të BE-së: Gjermania, Britania apo edhe Italia, Rama po kërcënon me kartën nacionaliste, gjoja kontrollon komunitetet shqiptare në Europë.
Fjalimet e Ramës, po synojnë të japin mbështetje të hapur ndaj qeverive në fuqi: Micotaqisit në Greqi e Giorgia Melonit në Itali. Për të cilët tha hapur se kanë qenë partnerët e tij më të ngushtë.
Komuniteti shqiptar në veri të Italisë, për numrin e madh të tij, mund të ndikojë realisht në diferencën e ngushtë që kanë në sondazhe Partia Demokratike dhe Fratelli D’Italia. Kryesisht kjo në Lombardi, Piemonte dhe në Veneto, ku e djathta italiane ka fuqi më shumë. Por edhe në Bologna, apo Toscana, ku e majta italiane ka bastionet e saj, e djathta e Melonit kërkon të rrisë kuotat për në Parlamentin Italian, pavarësisht se ndodhet në minorancë.
Ky është një operacion i qartë marketingu, ngaqë Rama e ka të qartë, se në Shqipëri nuk ka asnjë pengesë nga opozita për të vazhduar. Madje me dëshirë i ka dhënë pa asnjë hezitim kurbanët e tij brenda Partisë Socialiste. Që edhe pse kanë qenë në sythet e karrierës, apo në pjekurinë politike, as nuk e ka vrarë mendjen. Mjafton që të ecë ai përpara. Që sot ka arritur në kuotat e autokratëve europianë si Orbani apo Erdogani në jetëgjatësinë e pushtetit.
Ndaj po kryen këtë operacion presioni, me shpresën se mund jo të intimidojë por, të lobojë në qendrat e pushtetit europian, duke shfrytëzuar edhe lidhjet sorrosiane, siç bëri me Financial Times./Pamfleti
Lini një Përgjigje