TAGS-AT E JAVËS

Editorial29 Maj 2024, 10:58

Kharkivi, simboli i kapitullimit të Perëndimit në Ukrainë?

Shkruar nga Pierre Haski

 

Kharkivi, simboli i kapitullimit të Perëndimit në Ukrainë?
Kharkiv /

Viktimat e javëve të fundit në Kharkiv, janë simbolet tragjike të një sjelljeje kontradiktore të Perëndimit...

Imagjinoni për një moment sikur ashtu si miliona njerëz në mbarë botën, pasdites e të shtunës ndodheni në qendrën tregtare të qytetin tuaj. Papritur, 2 bomba rrëshqitëse nga 500 kilogramë secila, bien nga qielli dhe shkatërrojnë gjithçka.

Kështu ndodhi më 25 maj në orën 16:00 me banorët e Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë. Bilanci:16 të vdekur, dhjetëra të plagosur, në një zonë pa më të voglin objektiv ushtarak, që mund të justifikonte bombardimin.

Dy ditë më herët, shtypshkronja “Vivat” në qytetin verilindor të Ukrainës u godit nga raketat ruse, duke vrarë 7 njerëz dhe duke shkatërruar rreth 50.000 libra. Sërish nuk ishte një objektiv ushtarak. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, postoi një video me rrënojat e shtypshkronjës, të bëra publike virale në rrjetet sociale fundjavës që shkoi, teksa shpalosej edhe tragjedia në qendrën tregtare.

Këto dy ngjarje shumë të rënda, ilustrojnë një veçori të këtij konflikti:jeta vazhdon, ukrainasit bëjnë pazar, shtypin libra edhe duke luftuar. Problemi është se për të luftuar, atyre u duhen armë dhe municione, të cilat mbërrijnë vetëm në sasi të kufizuara dhe në mënyrë sporadike. Diçka për të cilën Zelensky e ka shprehur zhgënjimin e tij në video-mesazhet e tij të përditshme pas vizitës së tij në Kharkiv.

Asgjë e re

Ne kemi dëgjuar Zelenskyn të ankohet herë pas here, se furnizimet e aleatëve perëndimore nuk po mbërrijnë mjaftueshëm shpejt dhe në sasi të pamjaftueshme. Problemi është se aktualisht Ukraina po vihet në provë, teksa ushtria ruse është hedhur sërish në sulm në të paktën dy fronte, duke përdorur avantazhin e saj në trupa dhe mjete.

Rusët mbërritën në hyrje të Kharkivit në fillim të pushtimit në shkallë të gjerë dy vjet më parë, me shpresën se popullsia ruse-folëse e këtij qyteti prej 1.5 milionë banorësh do të rreshtohej në krah të tyre. Por kjo gjë nuk ndodhi. Më pas, Ukraina arriti të çlironte një pjesë të rajonit Kharkiv.

Por gjatë javëve të fundit, ushtria ruse i është afruar rrezikshëm qytetit, duke detyruar evakuimin e civilëve nga disa fshatra dhe qytete të vogla përreth tij. Po ashtu, ajo po bombardon pothuajse çdo ditë qytetin, për t’i detyruar banorët e tij të largohen, dhe Kievin që të ulet në tryezën e negociatave në kushte të pafavorshme. Ky është kurthi që dëshiron të shmangë Zelensky, dhe arsyeja kryesore e retorikës së tij këmbëngulëse përballë ngurrimit që vazhdon të shfaq Perëndimit në raport me ndihmat ushtarake.

Kontradiktat e Perëndimit

Në mesazhin e tij të fundit drejtuar bashkëqytetarëve të tij, Zelensky bëri dy kërkesa specifike. E para është se avionët e NATO-s duhet të jenë në gjendje të rrëzojnë raketat dhe dronët rusë nga hapësira ajrore e vendeve të Aleancës si Polonia dhe Rumania.

Kjo do të ndihmonte në mbrojtjen e Ukrainës Perëndimore dhe në çlirimin e aftësive mbrojtëse, të cilat duhet të shkojnë të përdoren në frontin e betejës në lindje të vendit.

Por kjo nuk është ende në rendin e ditës të kancelarive perëndimore.

Kërkesa e dytë ka qenë prej kohësh në tryezë:lejimi i Ukrainës që t’i përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi që i dërgon Perëndimi, për të goditur objektiva në territorin rus. Presidenti ukrainas ka raportuar tashmë mbi një grumbullim të ri të trupave ruse përtej kufirit, teksa duket se Moska po synon të hapë një front të ri.

Por ai nuk është në gjendje që t’i godasë ato në territorin rus, edhe pse raketat amerikane, britanike dhe franceze, janë të afta që ta bëjnë këtë. Për të mos përmendur raketën gjermane “Taurus”, të cilin Berlini refuzon që t’ia dorëzojë Ukrainës.

Zelensky po nxjerr sërish në pah kontradiktën e dukshme në Perëndim, midis deklaratës se Rusia nuk duhet ta fitojë këtë luftë, dhe të mos bërit gjithçka për të siguruar fitoren e Ukrainës. Kjo kontradiktë, buron jo vetëm për shkak të rritjes së ngadaltë të industrive të mbrojtjes, sidomos në Evropë, por edhe të një vullneti të dobët për të vepruar. Dhe viktimat e javëve të fundit në Kharkiv, janë simbolet tragjike të kësaj sjelljeje kontradiktore./Përshtati Pamfleti nga “Worldcrunch”

kharkivi simboli i kapitullimit perëndimi ukraina

Lini një Përgjigje