Objektivi i mazhorancs në reformën e Komisionit është mandati i gjykatësve të GJKKO...
Nuk duket se ka shumë mister në bashkëpunimin e njerëzve të Sali Berishës për komisionin e reformës që do të drejtojë Fatmir Xhafaj.
Deputetët e Rithemelimit janë të ndarë, pasi jo të gjithë i duhen mazhorancës për të miratuar ndryshimet e pritura.
Dhe kjo, pra votat, do të kërkohen më vonë. Beteja e madhe e Ramës tani është që të arrijë të hartojë një draft në komisionin e posaçëm nga anëtarët e saj, ku përveç PS-së do të jenë prezentë edhe deputetë të Foltores.
Siç mësohet, plani më i rëndësishëm i Edi Ramës, nuk është që të preket SPAK dhe prokurorët e tij, madje ka shumë mundësi që të miratohet zgjatja e mandatit të tyre edhe më një 9 vjeçar tjetër.
Ajo që është objektivi i mazhorancs në reformën e Komisionit është mandati i gjykatësve të GJKKO.
Ka disa variante për të ardhmen e Gjykatës Speciale.
Siç mësohet, një material analizë i Parlamentit pritet të arësyetojë pse do të duhet të jetë i domosdoshëm një mandat shtesë i Prokurorisë Spciale kundër Krimit dhe Korrupsionit, nuk mundet që këto krime që ndjek SPAK të gjykohen nga një Gjykatë Speciale. Plani është që ta fshijnë Gjykatën Speciale si institucion dhe ta lënë gjykimin në juridiksion të gjykatave të përgjithshme.
Justifikimi i këtij objektivi ka mbështetje në një raport të komisionit të Venecias që flet për një mundësinë logjike të ekzistencës së një prokurorie të specialiszuar si SPAK, por jo të një gjykate të posaçme. E cila mund të merret vetem me 2-3 nene të Kodit Penal.
Nëse arrihet kjo, atëherë kemi të bëjmë me një goditje direkt të asaj që po ndodh sot në luftën ndaj korrupsionit prej drejtësisë së re.
Plani fillestar është që ta heqin fare GJKKO duke e ngjizur në gjykatat normale, e më pas rastet e servisura nga SPAK t’i nënshktrohen “shortit” famëkeq që është një parodi 30 vjeçare.
Por gjasat janë, që ky ndryshim drastik të hasë në një reaksion të madh ndërkombëtar, ndaj mazhoranca ka menduar një zgjidhje “më të butë”. Që në realitet është e njëjta. Që trupa e gjykatësve kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të hyjnë në një seksion të veçantë brenda gjykatave të organizimit të përgjithshëm.
Edhe pse mund të ekzistojnë si një sektor i veçantë, ndarja e çështjeve do të varet nga bordi i gjykatës. Bie fjala do të përcaktohet se nëse kemi të bëjmë me një rast të shpërdorimit të detyrës, ajo do t’i jepet gjykatës normale. Ndërsa vetëm kur prokuroria sjell një akuzë për korrupsion apo strukturë e organizuar kriminale, i merr “sektori i veçantë”. Deri tani, të gjitha janë një draft, një ‘lojë’ që po luhet nën tavolinë.
Edi Rama synon që të nxjerrë nga opozita sa më shumë zëra kundër “gjykimit popullor” e “gjykimit special”. E shumë shpejt do të kemi nëpër ekrane një kryqëzatë të ashtuquajtur “anti-jakobine” për të ardhur më pas në një draft “të përbashkët”.
E plani diabolik është më i zgjeruar se kaq. Në rast se SHBA dhe BE, pra OBDAT e Euralius, do të bëhen ‘digë’ për të mbrojtur GJKKO si njësi ekzkluzive e gjykimeve të krimeve të SPAK, pritet të propozohet heqja e ONM si element kushtetues.
Siç mësohet, kryeministri, në realitet njerëzit e tij, ka kohë që flasin për një “robotizëm” të gjykatësve të GJKKO-së, gjë që e përsërit shpesh edhe Ilir Meta.
Por kjo nuk është e gjitha.
Pritet një shkalafitje e Kodit Penal, ku shpërdorimi i detyrës do të vijë në dy variante për ndryshim. Njëri që të hiqet si kompetencë e SPAK, e tjetri që është më radikal është heqja fare si vepër penale.
Rama, me një dinakëri diabolike po bën identikisht atë që Erdogan kreu në Turqi kur erdhi në pushtet. Kur në fillim i la gjykatat të trajtonin korrupsionin e kundërshtarëve të tij, e më pas kur ju afruan qeverisë, i shkarkoi e burgosi si puçistë. Këtu Babloku duket se ka edhe konsensusin e Sali Berishës dhe Ilir Metës./Pamfleti
Lini një Përgjigje