TAGS-AT E JAVËS

Editorial 1 Qershor 2024, 19:30

Ultimatumi i SHBA dhe BE për pazarin Rama-Berisha!

Shkruar nga Pamfleti
Ultimatumi i SHBA dhe BE për pazarin Rama-Berisha!
Pazari Rama-Berisha

Me një fjalë, SHBA i thotë Edi Ramës që i ke 'hyrë detit në këmbë', e nuk del dot pa pasur një proces të gjatë dhe të vështirë, siç ka ndodhur me reformën në drejtësi në herën e parë...

Deklarata e përbashkët e SHBA dhe BE për komisionin e reformës së dytë në Drejtësi, nuk ishte gjë tjetër, veçse një grusht i fortë në surratin e Edi Ramës. Duke ja rrëzuar që në fillim, planin diabolik për të cunguar reformën perëndimore në Drejtësi.

Ambasada amerikane thekson se “Besojmë se procesi i propozuar kërkon një diskutim të bashkërenduar, gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët, çka është kyç për suksesin e punës se komisionit të posaçëm, kyç dhe për mbështetjen tonë për të”.

Pra me fjalë të thjeshta, SHBA thekson se do të mbështesë një reformë të dytë në drejtësi, vetëm nëse në proces do të përfshihen të gjithë aktorët. E me aktorë, SHBA nuk mendon Sali Berishën dhe Ilir Metën. Por të gjithë aktorët tashmë kushtetues të konsoliduar me reformën në drejtësi.

Që janë ONM, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, SPAK, KLGJ, KLP, të gjithë gjyqtarët që kanë kaluar vettingun si dhe dy trupat e vettingut. Këtu hyn edhe shkolla e Magjistraturës që menaxhohet totalisht nga ndërkombëtarët.

Me një fjalë, SHBA i thotë Edi Ramës që i ke 'hyrë detit në këmbë', e nuk del dot pa pasur një proces të gjatë dhe të vështirë, siç ka ndodhur me reformën në drejtësi në herën e parë. Ku mazhoranca ka fituar politikisht prej saj, por sot që ka gjithë kupolën e saj nën hetim, është gati të përmbysë kupën. E këtu SHBA i thotë ndal.

Pas SHBA edhe BE i përmend të njëjtën gjë: “Do të jetë thelbësore të arrihet një mbështetje ndërpartiake, është me rëndësi jetike që procesi parlamentar i propozuar të jetë i bazuar në prova, të jetë transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, duke përfshirë dhe shoqërinë civile”.

Edhe BE i bën të ditur Edi Ramës se nuk do të pranojë një Pazar me Rithemelimin, por një marrëveshje ndërpartiake me të gjithë, por më e rëndësishme me institucionet që preken nga reforma. Pra nëse flitet për SPAK, duhet konsensusi i tij, nëse flitet për Kodin Penal, duhen thirrur në skenë prokurorët, gjyqtarët, KLP, KLGJ e të gjithë shkallët e gjyqësorit. Por ka edhe më.

SHBA dhe BE i japin ultimatum Edi Ramës që nëse do prekë drejtësinë, duhet të prekë atë pjesë të saj që s’ka të bëjë me thelbin dhe lidhjen kushtetuese. Pra Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, SPAK, KLP, KLGJ dhe vettingu nuk duhet të preken.

Nisma duhet të bazohet në arritjet e mëparshme të reformës dhe të jetë në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit, me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit dhe me angazhimet në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Duhet të respektojë plotësisht marrëdhëniet ekzistuese mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura, siç garantohet nga Kushtetuta”. Kjo është pjesë e qartë dhe definitive i një dokumenti të BE që është e detyrueshme nga mazhoranca apo çdo aktor politik në Tiranë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje