TAGS-AT E JAVËS

Editorial21 Maj 2023, 12:28

Purgatori i detyruar dhe catarsisi i munguar në shoqërinë serbe

Shkruar nga Fadil Lepaja
Purgatori i detyruar dhe catarsisi i munguar në shoqërinë serbe
Shqiptarët në Prishtinë ndezin qirinj për fëmijët e vrarë në Beograd

“As hasmit mos ja dëgjofsha këtë gjëmë”! Por, ja që ja dëgjuam. Falë mungesës së vullnetit dhe një katarsisi kolektiv tek serbët, Kosova dhe Serbia ende shihen si armiqësore, nga cilado anë e barrikadës...

Fëmijë të vrarë në Beograd, qirinj të ndezur në Prishtinë, në shkallët e Teatrit Kombëtar, kjo është paralelja e pabesueshme, e tërhequr këto ditë në mediat sociale, e cila i lidhë ngushtë dy ngjarje gjeografikisht dhe politikisht të shkëputura. Është teatër politik, mesazh publik apo dhimbje e sinqertë, solidarizim me familjet e viktimave apo është vetëm rikujtim i thënies së moçme se “Kush e ngre shpatën...”. Bie nga shpata e vet, apo si ishte fjala?

Sido që të jetë, secili niset nga vetja, kur komenton. Beson ti apo nuk beson, në të “pame” shkohet jo domosdoshmërish i pikëlluar sa edhe vet familjarët që humbën më të dashurit. Thuhet në këto raste “As hasmit mos ja dëgjofsha këtë gjëmë”! Por, ja që ja dëgjuam. Falë mungesës së vullnetit dhe një katarsisi kolektiv tek serbët, Kosova dhe Serbia ende shihen si armiqësore, nga cilado anë e barrikadës që të shikohet.

Por për dallim prej krimeve ndaj shqiptarëve, kriminelët që i vranë fëmijët në Beograd, tashmë dihen, janë serb dhe janë arrestuar. Edhe motivet janë zbardhur, por mbetën edhe mistere.

Tash, dihet kush, por është mister se çka po i shtyn fëmijët të vrasin?

Në këtë rast pyetja përse, nuk tingëllon aspak si filozofike, por  si diçka e mbetur pezull, si diçka që nuk ja gjen fillin, si diçka e ngatërruar, subjektive.

Arsyet janë edhe psiko-sociale. Pas dështimit të projektit të Serbisë së Madhe, me qindra kriminelë lufte, u tërhoqën në Serbi nga ish republikat e shkëputura jugosllave. U veshën në rroba civile, u shndërruan në heronj,  qytetarë dhe prindër shembullor, që e mësojnë mjedisin e tyre se si mund të bësh gjithçka në emër të kombit,  zotit, në emër të paraardhësve apo pasardhësve. Shoqëria serbe nuk gjeti fuqi për një katarsis, në vend të kësaj përqafoi idenë për Serbinë e rrethuar nga armiqtë. Në këto rrethana u shuan zërat disident, u arsyetua krimi, u fsheh, u bashkëjetua me kriminelët, i quajtën heronj.

Intelektualët serb, krijuesit e kësaj fryme, e dinë përgjigjen, por po heshtin.

Vetëm analistët e anshëm  dhe gazetarë mercenarë po e trajtojnë situatën me teori konspirative. Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, e deklaroi këtë si një sulm mbi shtetin. Kush po e sulmon shtetin serb? Agjenturat, shteti paralel?

Pak kush e kuptoi këtë deklaratë, e cila humbi në tmerrin e përgjithshëm qytetar që u krijua me krimin e dytë masiv që pasoi vetëm pas disa ditësh.

Presidenti serb, pikërisht para dhjetë vitesh, asokohe kryeministër, e kishte hutuar opinionin klero-nacionalist serb me një deklaratë që po thyente propagandën për shqiptarët si vrasës të fëmijëve serb.: “nuk e kanë bërë shqiptarët krimin në Pejë, më 1998” tha ai!

Atëherë, njerëz me maska kishin vrarë disa të rinj serb që po argëtoheshin, në  një kafe, në kohën kur Kosova po digjej. Shqiptarët ishin paragjykuar si vrasës.

Lokali “Panda”, në Pejë, është përfolur me mijëra herë si skenë krimi, ku “terroristët” shqiptarë vrasin fëmijët e pambrojtur serb. Në mediat serbe dhe në ato ndërkombëtare plasohej gënjeshtra e makinerisë “gebellsiane” të fajësimit kolektiv të shqiptarëve, për të arsyetuar gjenocidin që do të pasonte.

Në dhjetorin e vitit 1998, pikërisht në kohën kur kishte ndodhur kjo ngjarje e tmerrshme, serbët me ushtri, polici e paramilitarë po e mbanin në një rrethim të hekurt Kosovën. Pikërisht në atë kohë, me urdhër nga regjimi, specialët serb ngritën dorë mbi fëmijët e vet, për të fajësuar shqiptarët.

Po tash, ka urdhër apo thjesht janë çmendur fëmijët dhe po vrasin fëmijë?

Një çerek shekulli më vonë, ende nuk janë zbuluar, autorët e masakrës mbi fëmijët serb në Pejë, as mbi qindra e mijëra fëmijëve e civilëve shqiptarë të Kosovës. Shteti serb, kisha ortodokse dhe shoqëria i mbrojnë ata në emër të interesit nacional, në emër të zotit.

Pikërisht në kohën e konfrontimit me të gjithë, me dilemën lindje-perëndim që po e copëton nga jashtë, ndodhi ajo që po i bën serbët të përballen me veten, me të keqen e vet. Pa e fituar këtë luftë të brendshme,  Serbia nuk mund të ndërtojë marrëdhënie të mira me fqinjët, nuk mund ta vlerësoj të kaluarën drejtë, nuk mund të demokratizohet.

Serbia edhe mund ta blejë/kushtëzojë votën për të hyrë në Evropë, madje edhe vetë votën shqiptare, por pa kaluar nëpër purgator, nuk rehatohet as në shtëpi të vet, në Serbi./Pamfleti

catarsisi i munguar serbia purgatori i detyrueshëm

Lini një Përgjigje