TAGS-AT E JAVËS

Editorial16 Maj 2023, 15:25

Shkodra, vota që e vë në krye të sofrës politike

Shkruar nga Pamfleti
Shkodra, vota që e vë në krye të sofrës politike
Benet Beci, Edi Rama dhe Elisa Spiropali

Ura e besimit apo e miqësisë që mund të ofrojë Edi Rama për këtë zonë që i dha besimin për herë të parë, duhet të jetë e fortë dhe e qartë. Jo lëmoshë, por përfaqësim politik dhe ekspertizë në territor.

Edi Rama në 10 vjet qeverisje, edhe pse gjithmonë ka deklaruar se i përket apo i takon Shkodrës si lidhje kulturore, ideologjike apo edhe fetare, asnjëherë nuk i ka dhënë kësaj treve një përfaqësim politik të nivelit të lartë.

Emri më i rëndësishëm nga Shkodra në qeverinë e Edi Ramës ka qenë Ditmir Bushati, ministri i Jashtëm në një mandate e gjysmë. Por që më pas Rama e Bushati i ndanë rrugët si pasojë i mërisë personale.

Në qeverinë e dytë, Edi Rama mori Senisa Mesin në postin e zv.kryeministres, si një shenjë të përfaqësimit politik të Shkodrës. Si Bushati ashtu edhe Mesi, ishin deputetë, por që nuk qëndruan gjatë. Megjithatë, asnjëherë Shkodra nuk ka pasur një përfaqësim politik të një niveli qeveritar, i cili ka në dorë zhvillimin ekonomik dhe shtyrjen e projekteve të këtyre fushave.

Vetëm një qark si Gjirokastra, trevë shumë e rëndësishme e vendit, por me një peshë politike më të vogël se qarqet e mëdha, ka pasur dy ministra kyç: atë të Brendshmin, si dhe të Turizmit e Mjedisit.

Në mandatin e parë gjithashtu ishin dy e kështu me radhë. Kështu mund të thuhet për zona të tjera, që ndoshta mund të kenë qenë “rastësi” pasi siç dihet Edi Rama nuk i zgjedh ministrat si përfaqësues, por si njerëz që i piketon  vetë.

Megjithatë nga 14 maji jemi në një fazë të re politike, që ka sjellë vota e qytetarëve, ku Shkodra është vula më e rëndësishme e këtij ndryshimi.

Fitorja e Benet Becit, është natyrisht një akt politik që për së pari ka meritën e profilit dhe fushatës thuajse perfekte që zhvilloi kandidati që u bë kryebashkiak. Por reealiteti politik që solli Shkodra si një sinjal që nuk e konsideron veten një peng politik, imponon një tjetër qasje. E cila lidhet direkt edhe me vizionin që Benet Beci, por edhe vetë Edi Rama e kanë shprehur, për të shtyrë përpara zhvillimin ekonomik të rajonit të Shkodrës. E pikërisht tani është koha që Shkodra të ketë përfaqësimin e duhur politik në krye të sofrës, në qeveri. Por jo siç kanë bërë qeveritë shqiptare në përgjithësi, që shkodranët i kanë përdorur si “diplomatë” meqë janë oratorë dhe fjalë-ëmbël. Apo edhe si fasadë, por roli politik që imponon vota, kërkon një përgjegjësi të nivelit të lartë.

Natyrisht duke kompensuar edhe vakuumin e akumuluar në vite në këtë aspekt. Nëse flitet për një zhvillim të turizmit në gjithë veriun, një ministër i Turizmit që të përfaqësojë Shkodrën e ka edhe besueshmërinë e konfidencialitetin që do të mbështesë projektet që do të rrisin ekonominë.

Natyrisht jo me politikanë të partive apo teknokratë zyrash, por me ekspertë që janë provuar në vite me know how-n e tyre në trashëgiminë kulturore, projektet zhvilluese në territor dhe në vizionin e zhvillimit.

Nga ana tjetër, Shkodra është zona më pjellore e Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë, e cila konsiderohet si ajka e potencialit bujqësor të vendit.

Që nga koha e themelimit të shtetit, tek monarkia e regjimi komunist, Shkodra ka qenë në krye të të dhënave kombëtare të prodhimeve bujqësore të nivelit të lartë të të gjitha kulturave, nga misri te orizi, nga perimet te frutikultura, apo blektoria. Pasi fusha e nënshkodrës, ajo e luginave të Kirit, Drinit e Bunës, konsiderohen si xhevahire të potencialit ekonomik bujqësor.

Në 33 vjet, Shkodra ka qenë larg projekteve të mëdha të infrastrukturës në agrikulturë, ka qenë larg edhe për faj të njerëzve që ka deleguar në pushtet. Por potencialet janë aty, që nga Malësia deri në Nënshkodër. Sot Shkodra i dha Partisë Socialiste tre nga bashkitë më të mëdha të vendit: atë të Malësisë së Madhe, Shkodrës dhe Vaut të Dejës, zonë e cila përfshin një nga territoret më të rëndësishme në vend.

Ura e besimit apo e miqësisë që mund të ofrojë Edi Rama për këtë zonë që i dha besimin për herë të parë, duhet të jetë e fortë dhe e qartë. Jo lëmoshë, por përfaqësim politik dhe ekspertizë në territor.

Dy dikastere kyç të qeverisë, për shembull ai i Turizmit e Bujqësisë, të cilat gjenerojnë dhe lehtësojnë edhe projekte të donatorëve në këto fusha, mund të jetë shansi i një bashkëpunimi të ri, për të sjellë me hapa të shpejtë një zhvillim pa ndërmjetës.

Pasi, sado Elisa Spiropali, si e kreu politik i PS në qark mund të jetë treguar korrekte, e madje shumë respektuese për njerëzit, Shkodra, Malësia e Madhe e Vau i Dejës, nuk mund të qeverisen me ndërmjetës. Kërkohet përfaqësim direkt për të lidhur një marrëdhënie të sinqertë dhe koherente.

E këtu, përfitimi nuk do të jetë vetëm për Shkodrën, por në radhë të parë për socialistët dhe Edi Ramën.

Besnikëria e gjatë e Shkodrës me Partinë Demokratike, nuk është gjë tjetër veçse një provë, se kur arrin një bindje kjo zonë nuk ndahet kollaj. Fiks si mentaliteti gjerman, që vështirë të bën mik, por kur ndodh, e ke për të gjithë jetën. Jo më kot, Austriakët jo vetëm e pushtuan të parën Shkodrën, por edhe e mbrojtën me pasion në Konferencën e Londrës. Panë një të dhënë tek ky komunitet që nuk e kishin hasur në asnjë trevë të Ballkanit verior që ata pushtuan…/Pamfleti

shkodra sofra politike vota benet beci

Lini një Përgjigje

Editorial