Dështaku ka histori dhe historia e tij përsëritet. Çdo dy vjet ai flet gjysmë përçart për shifra, çertifikime, saktësi e vendime.
Me fytyrën e tkurrur dhe nerv të paralizuar prej përdorimit, mjafton shfaqja në ekran e Ilirjan Celibashit në këtë ditë zgjedhjesh për qeverisjen vendore për të kuptuar se Shqipëria është ende vendnumëro, si 30 vjet më parë dhe të njëjtët maskarenj u shërbejnë të njëjtëve maskarenjve.
Ky dështak që e ka vërtetuar paaftësinë e tij profesionale dhe personale në çdo fazë të jetës, ende del e flet për zgjedhje. I njëjti që edhe sivjet nuk zhgënjeu, por i luajti kartat siç ia thanë ata që ka mbi krye.
Ilirjanit i thonë "regjistroji partitë dhe kandidatët", ai i regjistron; i thonë "vonoje", e vonon; "dil e fol", ai del; "mbylle gojën", ai hesht.
Ky dështak shumëpërdorimsh i pushtetit ende përdoret.
Krye komisioneri famëkeq dështoi në identifikimin dhe numërimin elektronik, por ende vazhdon të flasë në publik si asgjë të mos kish ndodhur. I jep të drejtë vetes edhe të krekoset në media, edhe të debatojë me gazetarët madje. Tipiku i shërbëtorit të mafies ka guximin të shfaqet faqe miletit.
U zhdukën në drejtim të "paditur" 37 milion dollarë, por dështakut kjo qeverisje ia do të ndenjurat, prandaj vazhdon e quhet kryekomisioner. Iu mohua në këto zgjedhje njerëzve e drejta për të votuar, por dështaku nuk ndihet.
Parakalojnë në këtë fushatë - siç edhe në të tjera para saj - herë si kandidatë e herë si eksponentë fushate, kriminelë me firmë e vulë, por dështaku nuk luan as gishtin. Ligji fle në sirtarin e zyrës së tij dhe dështaku vazhdon të quhet kryekomisioner. Shënohen rekorde kriminale plot, por dështaku nuk ndihet, me atë fytyrën e vrerosur dhe pa nerv, del faqe miletit e raporton shifra.
A e mbani mend Dushkun? Dështaku ishte komisioner edhe atëherë kur u shënua ky precedent i jashtëzakonshëm i manipulimit të zgjedhjeve në formën e transferimit të votave dhe të rezultatit nga një parti tek tjetra.
Dushku i 2001 u përsërit edhe në 2021, do të përsëritet edhe sot dhe sa kohë që Dështaku të jetë kryekomisioner, do të qëndrojë në themel të manipulimit.
Sepse kemi Dështakun. Këtë specien që shfaqet në ekran e flet për shifra votimesh. Ose thënë ndryshe "rojtarin" e Kodit Zgjedhur, këtë mjeran që kurrë nuk qe i zoti të mbrojë as veten, as familjen e aq më pak të drejtën dhe votën e shqiptarëve./Pamfleti
Lini një Përgjigje