TAGS-AT E JAVËS

Editorial 1 Tetor 2024, 15:57

Pse zjarri në Parlament nuk djeg Edi Ramën?

Shkruar nga Gjergj Zefi

Pse zjarri në Parlament nuk djeg Edi Ramën?

Zjarri, nuk është aspak i ri si simbol i logjikës së Berishës për të bërë politikë, pasi nuk i ka sjellë asnjëherë një fitore apo të ketë përbashkuar opozitën në gjithë këto vite. Vetëm se ka negociuar me pushtetin për gjëra të vogla. Me fjalë të tjera, ai zjarr i karrigeve ka djegur demokratët por edhe opozitarët...

Një opozitë, e cila është e bindur se përfaqëson realisht zgjedhësit e saj, edhe kur reagon fort, synimin e ka për të ardhur në pushtet, në mënyrë që të shpëtojë vendin nga një qeverisje e keqe.

Sipas të gjithë historisë sonë, asaj ballkanike, evropiane, por edhe botërore, çdo reagim i ashpër ndaj pushtetit, edhe nëse ndodh përmbysja e tij, në fund do e çojë vendin në zgjedhje.

Zjarri që ndezën dje deputetët e PD-së në Kuvend, ishte një veprim i fortë, një aksion që i ka paraprirë asaj që Sali Berisha e ka quajtur “rruga pa kthim”. Pra një kontenstim i ashpër ndaj qeverisë dhe mazhorancës, deri në arritjen e objektivit që është një qeveri teknike. E cila vjen nëse vërtetë opozita aktuale e përfaqësuar nga Sali Berisha është shumicë morale dhe numerike e këtij vendi. Mbushja e shesheve dhe rrugëve për të manifestuar, demonstron një realitet që në sy të të gjithë publikut tregon se kush është protagonist, kush është shumicë dhe kush ka kauzën e duhur.

Këtë objektiv, pra mbledhjen e sa më shumë njerëzve në protesta, shpërfaqjen e kauzës së duhur dhe artikulimit të betejës së opozitës, PD mund ta bëjë edhe pa ndezur Parlamentin. I cili është një institucion që do të shërbejë edhe nesër kur opozita mund të marrë pushtetin nga populli. Me këtë zjarr krijon një precedent, por mbi të gjitha krijon një simbolikë që nuk është traditë, dok apo kanun në logjikën perëndimore të politikës dhe demokracisë.

Por zjarri, siç me të drejtë thotë Gazmend Bardhi është simbolik. Pasi ne nuk patëm djegien e Parlamentit, çka mund të sjellë një përmbysje ose një akt nga ata që realisht ndryshojnë logjikën e gjërave.

Djegia e karrigeve ishte me të vërtetë një akt simbolik. Por çfarë simboli mund të sjellë zjarri?

Literalisht atë që ai përfaqëson. Pasi nuk kemi të bëjmë me goma apo plastika në një shesh prej grupeve të aktivistëve. Por me djegien e ulëseve të Parlamentit të Shqipërisë. E ky simbol, së paku është shumë i fortë, e po të shkosh më tej është një simbol që flet për të djegur ekuilibrin politik të Kuvendit.

Pikërisht për këtë simbolikë, SHBA dhe BE, në kor e dënuan qartazi dhe pa ekuivok. Pasi, ai zjarr qoftë edhe simbolik, nuk djeg Edi Ramën, por është një sinjal i prishjes së stabilitetit të vendit dhe rajonit.

I vetmi sinjal i këtij simboli që shprehet Bardhi, është i drejtuar ndaj SPAK-ut, për të mos vijuar në hetimet e tij të nivelit të lartë.

Një simbolikë të duhur opozita duhet ta drejtojë ndaj Edi Ramës, por pa pasur kompleks ndaj procesit që SPAK po kryen ndaj Sali Berishës. Ndryshe, humbet si kauzën ashtu edhe kartën morale.

Zjarri, nuk është aspak i ri si simbol i logjikës së Berishës për të bërë politikë, pasi nuk i ka sjellë asnjëherë një fitore apo të ketë përbashkuar opozitën në gjithë këto vite. Vetëm se ka negociuar me pushtetin për gjëra të vogla. Me fjalë të tjera, ai zjarr i karrigeve ka djegur demokratët por edhe opozitarët, që do të konsiderohen nga Edi Rama si piromanë në zgjedhjet e ardhshme. Por si Berisha, ashtu edhe deputetët që e ndezën zjarrin, mund të zgjidhen në listat e mbyllura. Lista, të cilat përfaqësojnë realisht kauzën politike të PD-së së sotme që e drejton kryetari në arrest shtëpie. Një opozitë, e cila siç ndodhi edhe sot bën betejë më shumë me SHBA e BE-në sesa me Edi Ramën. Që, në mungesë të disponibilitetit të amerikanëve për të folur me doktorin, e bën vetë këtë punë, duke firmosur paktet që i leverdisin.

Po a nuk u sulmua edhe Lulzim Basha më 2020-n për këtë punë? Mosbindja civile që flet Berisha, konsiston në daljen nga sistemi dhe paraqitjen e një platforme për daljen nga kriza. Platformë, që më së pari duhet të bindet përveç publikut edhe SHBA e BE. Ndryshe me kë do flasësh? Me Edi Ramën! /Pamfleti

Lini një Përgjigje

Editorial