Arrestimi i Salianjit nga ana tjetër i shërben edhe Sali Berishës, për ta relativizuar akuzën ndaj tij, që është pastërtisht akuzë penale e nuk ka asnjë term politik. Por nga sot, doktori thotë: E shikoni, nuk jam vetëm unë, por edhe Salianji.
Reagimi i Edi Ramës, i cili ndodhej në Nju Jork, normalisht me një axhendë të pasur aktivitetesh, menjëherë pas vendimit të Apelit për dënimin e Ervin Salianjit, tregon gjithçka për këtë çështje.
Edi Rama ka reaguar ashpër, duke rrezikuar që të dëmtojë drejtësinë në Shqipëri, siç edhe ndodhi, pasi opozita e akuzoi si të kapur nga qeveria.
Por pikërisht këtë ka dashur të tregojë Edi Rama. Jo thjesht drejtësisë së re, që është një organizëm i brishtë e nën presion të përditshëm, por protektorit më të madh të saj, SHBA. Për t’i treguar se ai drejtësinë e do që të mos lejojë njerëzit e opozitës ta agresojnë atë, familjen e tij dhe mazhorancën.
Nuk është aspak rastësi që gjithë këto ngjarje të vrullshme po ndodhin si breshëri e pashuar përpara ardhjes në Shqipëri të ambasadorit të ri të SHBA.
Edi Rama kërkon që të ndalojë me çdo mënyrë një situatë ku SPAK të avancojë më lart drejt qeverisë. Atij, përkatësisht mazhorancës, i vyen një krizë e opozitës me SPAK, përkatësisht edhe me SHBA me rastin e hetimit të Sali Berishës. I cili nga ana e tij, po harxhon të gjithë energjitë dhe burimet financiare e njerëzore, që SPAK të mbesë, të paktën edhe për një farë kohe, ndoshta deri në zgjedhjet amerikane apo ato parlamentare, në dosjen Partizani.
Ndaj Sali Berisha firmosi me Edi Ramën një marrëveshje skandaloze, poshtëruese për opozitën. E cila nuk fiton asgjë, pasi humbi betejën morale ndaj korrupsionit, duke firmosur amnistinë, humbi frymën e ndryshimit duke vulosur listat e mbyllura, por fitoi vetëm vulën për Berishën e ndonjë gjë të vogël që i vyen atij, Ilir Metës apo ndonjë tjetri, por jo opozitës.
Dënimi i Salianjit është natyrisht një sinjal i Edi Ramës, pasi i thotë çdo denoncuesi se do pësoni fatin e tij. Por edhe një fitore e tij. Arrestimi i Salianjit nga ana tjetër i shërben edhe Sali Berishës, për ta relativizuar akuzën ndaj tij, që është pastërtisht akuzë penale e nuk ka asnjë term politik. Por nga sot, doktori thotë: E shikoni, nuk jam vetëm unë, por edhe Salianji.
Pra të dy palëve ju leverdis Ervin Saljanji si viktimë, por e keqja vjen më pas. Sepse nuk është burgu dënimi i Ervin Salianjit. Pasi për një politikan, burgu mund të jetë një kornizë e lavdisë së tij. Problemi këtu është se për së paku 5 vjet, Salianji nuk mund të kandidojë për deputet. Dhe ky është përfitimi i Sali Berishës, pasi ju thotë të rinjve se gjithkush që guxon të ecë në gjurmët “aventureske” do t’i bëjë dëm vetes. E vetmja rrugë, sipas Berishës është kalimi në zyrën, përkatësisht në ballkonin e tij.
Të tregohemi të ndershëm! Ervin Saljanji nuk është ndonjë mendimtar i qëlluar, orator i aftë apo intelektual për ta pasur zili. Ervini është një djalosh paksa mashtrues, siç e tregoi dhe rasti i ‘Babales’, por vetëm denoncimi i tij ndaj një personi aq të fuqishëm si Fatmir Xhafaj, meriton një medalje. E kjo do kurajo. Ervin Saljanji e ka të ardhmen përpara, e nëse zgjedh njerëzit e duhur për të punuar mund të ecë shumë përpara. Por Ervini duhet të ndahet nga e shkuara dhe personazhet që e kanë çuar si 'mish për top', si më 8 janar ashtu edhe sot. Për një politikan nuk është marrja e mandatit targeti apo qëllimi, por arritja e një fuqie politike për të përfaqësuar një komunitet.
Salianji, për 5 vjet nuk mund të zgjidhet deputet, por për 5 vjet mund të ndërtojë një opozitë nëse e ka mendjen dhe zemrën. Shansin ja ka dhënë Edi Rama dhe Sali Berisha. Për t'u bërë një protagonist i klasit të parë!/Pamfleti
Lini një Përgjigje