Kjo është një situatë që Rama kërkon ta shesë si “sovranitet” por mund të sjellë jo thjesht një ngricë në marrëdhënie, por një rikthim të mozbesimit të agjencive ligjzbatuese botërore ndaj policisë shqiptare…
Ka një zhvillim të rëndësishëm në procesin që ka nisur qeveria për të zgjedhur kreun e ri të Policisë së Shtetit. Qoftë në procesin paraprak të mbledhjes së dosjeve, qoftë në kriteret, qoftë edhe në procedurat e intervistimit.
Në gjithë këtë proces, duhet të themi se si rrallë herë mungon prezenca e aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë, aleatëve të Shqipërisë.
Siç dihet, policia vetë ka një rrjet të tërë organizatash partnere që e asistojnë prej vitesh, duke nisur nga misionet italiane, ato të BE, Frontex, por edhe më e rëndësishmja partnerët amerikanë të ICITAP dhe OBDAT.
Deri më tani nuk kemi parë asnjë prezencë, madje duhet thënë se kemi të bëjmë me një distancim të qartë të aleatëve perëndimore në këtë proces. Gjë që po të ndjekësh traditën shumëvjecare, duket qartë se është një zhvillim i ri.
Një zhvillim i ri, i cili, ngjan hapur si një zgjedhje e Edi Ramës dhe e njerëzve të tij në ministrinë e Brendshme, sesa një qëndrim politik i Perëndimit. Pra me fjalë të tjera, Edi Rama ka dhënë një sinjal politik për t’i thënë SHBA se policia dhe shërbimi sekret nuk është i tyre, por i tij.
Histori që tashmë është konsoliduar si një qëndrim i qartë politik. i cili pati kulmin me Gledis Nanon, kur e shkarkoi me ceremoni, pas një takimi të këtij të fundit me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.
Ishte pikërisht ky rast që ngriu çdo marrëdhënie të oficerëve të lartë të policisë me diplomatët amerikanë dhe ata europianë.
Një zhvillim që më pas u thellua me largimin e Taulant Ballës pas dekorimit të tij nga Departamenti Amerikan i Shtetit, apo mos futjen në listë të një oficeri të lartë të interpolit, të cilit amerikanët i dhanë një certifikatë të lartë.
Kjo është një situatë që Rama kërkon ta shesë si “sovranitet” por mund të sjellë jo thjesht një ngricë në marrëdhënie, por një rikthim të mozbesimit të agjencive ligjzbatuese botërore ndaj policisë shqiptare.
Natyrisht, që kjo ka një synim electoral që bandat e policia të vijojë të jenë në ortakëri, dhe sipas të gjitha gjasave do të kemi raporte bombastike pas zgjedhjes së drejtorit të ri.
E nuk është çudi, nëse pikërisht nga kjo situatë mund të nisë përplasja e hapur e Uashingtonit me Edi Ramën. I cili po mundohet ta zgjidhë me pallavrën e shtetit bektashi, për të fshehur ngricën e bllokadën që i ka vënë SHBA./Pamfleti
Lini një Përgjigje