TAGS-AT E JAVËS

Editorial20 Shtator 2024, 09:58

Si po i mashtron serbët Aleksandar Vuçiç

Shkruar nga Marija Stojanoviç

 

Si po i mashtron serbët Aleksandar Vuçiç
Aleksandar Vuçiç /

Vuçiç vazhdon të gënjejë serbët për të ruajtur pushtetin e tij, pse plani i tij nuk e zgjidh krizën në veriun e Kosovës...

Masat që ka propozuar së fundmi presidenti serb Aleksandar Vuçiç, si një mënyrë për t’u rikthyer në statuskuonë e vjetër në Kosovë, janë kryesisht një “mendim i dëshiruar”. Gjithsesi zbatimi i propozimit lidhur me kthimin e serbëve në sistemin gjyqësor dhe policinë e Kosovës, mund të jetë një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Është ky vlerësimi i analistëve që folën për EWB. Ata theksojnë se vendimi i serbëve të Kosovës për bojkotimin e institucioneve të Prishtinës, i marrë në vjeshtën e vitit 2022, i shkaktoi një dëm shumë të madh komunitetit serb.

Në fjalimin e tij të fundit publik, Vuçiç paraqiti veprimet e Serbisë në kundërpërgjigje të krizës së fundit në veri të Kosovës, e para ndër të cilat ishte kthimi në statuskuonë e vjetër, pra tek “gjithçka që është arritur gjatë procesit të dialogut”. Ndër të tjera, kjo përfshin shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në polici dhe gjyqësor, si dhe tërheqjen e forcave speciale policore nga veriu i vendit.

“Së pari, shpallja dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike në veri të Kosovës dhe Metohisë, me pjesëmarrjen e misionit të OSBE-së dhe nën kontrollin e BE-së. Së dyti, zbatimi i Nenit 9 të Marrëveshjes së Parë të Brukselit, përmes kthimit kolektiv të serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës Verore. Së treti, rikthimin në detyrë të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë.

Së katërti, tërheqjen e të ashtuquajturave forca speciale të policisë së Kosovës nga bazat dhe postblloqet e ndërtuara ilegalisht në veri të Kosovës, dhe tërheqjen e tyre nga të gjitha institucionet, të cilat nga viti 1999 e deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024, kanë ofruar për banorët e zonës shërbime administrative jetike”- deklaroi presidenti serb.

Pika e pestë ka të bëjë me themelimin “urgjent, të menjëhershëm dhe përfundimtar” të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, “pa ide dhe hile politike të mëtejshme”.Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, e përshëndeti deklaratën e Vuçiç mbi rikthimin e serbëve në institucionet e Prishtinës.

Si po i mashtron serbët Aleksandar Vuçiç

“Ne mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiç për të vazhduar pjesëmarrjen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Po ashtu, e shohim pozitivisht thirrjen e tij për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet në Kosovë dhe ri­-integrimin e tyre në të gjitha institucionet prej nga ku u larguan në vitin 2022”- tha Stano për Radion Evropa e Lirë .

Raundi i fundit i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në nivel teknik u mbajt më 17 shtator, ku delegacionet e udhëhequra nga Petar Petkoviç dhe Besnik Bislimi u takuan veçmas me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak dhe anëtarët e ekipit të tij.

Tensionet në Kosovën e Veriut u rritën sërish në fund të gushtit, pas operacionit të policisë së Kosovës që solli edhe mbylljen e institucioneve të mbetura serbe, përfshirë shërbimet komunale, fondin e pensioneve dhe selinë e autoritetit të përkohshëm komunal të Mitrovicës.

Duke komentuar kërkesat e Vuçiç ndaj Prishtinës, drejtori ekzekutiv i ojq-së Qendra për Veprime Afirmative Sociale, Miodrag Marinkoviç, thotë për EWB se përshtypja e tij parë ka të bëjë me “mospërputhjen e narrativave që vijnë nga Beogradi, dhe nevojën e vazhdueshme të Vuçiç për të manovruar me të vërtetën për hir të ruajtjes së popullaritetit”.

“Për shembull, në arsyetimin e pranimit të Marrëveshjes së Ohrit, presidenti Vuçiç ka thënë vazhdimisht se status quo-ja, pra “konflikti i ngrirë” është një zgjidhje e paqëndrueshme. E njëjta gjë ishte edhe me moton “Jo dorëzim të targave serbe!”, e kështu me radhë.

Për vite me radhë, narrativat populiste e kanë fshehur thelbin e zgjidhjeve të arritura, dhe kanë forcuar në mënyrë jorealiste pritshmëritë e serbëve në Kosovë. Pra ata janë të mashtruar dhe të papërgatitur për atë që i pret. E njëjta ndjenjë mbizotëron edhe kur sheh 5 pikat, një formë pa esencë”- shprehet Miodrag Marinkoviç.

Analisti serb thekson se ndonëse kërkesat e Vuçiç i “shënjestrojnë” në parim problemet themelore me të cilat ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë, ato janë të formuluara si një qëndrim politik, pa elementet bazë të platformës politike dhe planit për zbatim.

“Këto qasje nuk shoqërohen me një plan realist për t’i përmbushur. Një sjellje e tillë nuk është e re, dhe ndoshta e vetmja gjë që mund të nënkuptojë një përparim në raport me pozitën aktuale shumë e vështirë në të cilën ndodhen serbët e Kosovës, është njoftimi për kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Në rast se kjo do të lexohet si shpallje e përfundimit të politikës së bojkotit, e cila i ka shkaktuar shumë dëme komunitetit serb në Kosovë, atëherë mund të presim që ata të shkojnë në zgjedhje, të rikthehen në administratën lokale dhe më vonë edhe në forcën policore të Kosovës. Kjo mund të ketë një efekt pozitiv tek aftësia e komunitetit serb për të përballuar qëndrimin si pjesë e Kosovës”- nënvizon Marinkoviç.

Edhe Franz-Lothar Altmann, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bukureshtit, Rumani, është dakord me të mbi nevojën që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës dhe të organizohen zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.

Por ai vë në dukje se, kur bëhet fjalë për forcat speciale policore të Prishtinës në veri, “një tërheqje mund të ndodhë vetëm nëse policia lokale, e përzier me serbë dhe shqiptarë, mund të garantojë sigurinë dhe sundimin e ligjit për të dyja palët, pakicën shqiptare në veri si dhe shumicë serbe”.

“Përveç kësaj, nevojitet një bashkëpunim më efektiv me KFOR-in. Vetëm atëherë Prishtina mund dhe do të tërheqë forcat speciale të policisë”- thekson ai. Presidenti serb njoftoi gjithashtu se Serbia do ta shpallë Kosovën një “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”, që të rrisë mbështetjen financiare për serbët që jetojnë atje.

“Ne do t’u japim menjëherë nga 20 mijë dinarë në muaj (170 euro) për rreth 5000 persona që humbën punën e tyre kur Prishtina mbylli institucionet që funksiononin sipas sistemit të Serbisë”- theksoi Vuçiç. Duke e komentuar këtë deklaratë të presidentit serb, analisti Marinkoviç thotë se “në përgjithësi, përgjigja e Beogradit ndaj lëvizjeve të njëanshme nga Prishtina është e kufizuar dhe e papërshtatshme”.

“Në thelb, problemi i natyrës politike zgjidhet me masa sociale, dhe këto masa janë të pamjaftueshme. Unë nuk mendoj se 20 mijë dinarë të ardhura mujore, do t‘i motivojnë të rinjtë e papunë që të qëndrojnë në Kosovë. Një stimul shumë më i madh do të ishte lufta ndaj korrupsionit dhe nepotizmit endemik në sistemin qeveritar serb të Kosovës, i krijuar nën kontrollin e Beogradit, pasi ajo kjo ka qenë arsyeja kryesore e largimit të të rinjve nga Kosova prej më shumë se një dekade”- thekson Marinkoviç./Përshtati Pamfleti nga “European Western Balkans”

po mashtron serbët aleksandar vuçiç kosova

Lini një Përgjigje