
Hipokrizia e nderimit postmortem dallohet qartë, pasi është e sforcuar. Nëse dikush vlerësohet, ai e merr vlerësimin për së gjalli, e nëse fatkeqësisht vdes, nderimi bëhet sipas traditës, pa pasur nevojë për gjeste aktoreske...
Avni Rustemi, ishte një personazh vullkanik. Një i ri nga Libohova, një liberal në Shqipërinë e bejlerëve që kërkonte të bashkonte aq sa mundej atë që kishte prishur Konferenca e Londrës. Kryetar i shoqërisë “Bashkimi”, një klub politik progresist për kohën, me qendër në Labëri, pranoi të kandidojë për deputet në qarkun e Kosovës.
Kukësi, Tropoja e Hasi. Një zonë e vështirë, ku fitoi falë edhe mbështetjes së një miku të fortë si Bajram Curri. Por ama fitoi edhe pse ishte një djalë jugu. Sado sot historianë proanadollakë thonë se Avniu ishte një hjekës, pra një vrasës me pagesë, askush nuk ia heq dot fuqinë politike dhe karizmën e tij. Ai kishte një kundërshtar; establishmentin e vjetër ottoman. Dhe, si Aleksandri i Madh vendosi ta këpusë me shpatë nyjen gordiane. Duke vrarë në mes të Parisit Esat Pashë Toptanin, mikun e ngushtë të sërbëve e rusëve. Njeriun që i dha strehë Mbretit të Serbisë Karagjorgjeviç për të shpëtuar nga ndjekja e trupave austriake.
Pas atij akti, Avni Rustemi kthehet në njeriun më të rëndësishëm të politikës shqiptare.
Avniu, përmes aksionit dhe oratorisë së tij po vinte drejt postit më të rëndësishëm të vendit. Kryeministrit të Shqipërisë. Duke qenë ‘dhëmbë për dhëmbë’ kundërshtari i Ahmet Zogut, djalit dinak që drejtonte ministrinë e Brendshme, falë edhe aleancës me Toptanët e Tiranës e Kryezinjtë e Gjakovës.
Vrasja e Avni Rustemit, siç dihet solli në pushtet Fan Nolin e Sulejman Delvinën, por ai pushtet sado i shkurtër u ngrit mbi një qivur ekselent. Nëse Avniu i shkretë nuk do ishte në qivur, do ia kishte ‘ngrënë arrat’ hirësisë së tij Nolit dhe beut të Delvinës.
Shumë vjet më vonë, një tjetër kufomë solli në pushtet dikë tjetër, edhe pse përfaqësonte një talent shumë të madh politik.
Bëhet fjalë për Qemal Stafën, një komunist të ri nga Elbasani që banonte në Shkodër, djalë i një familje intelektuale. i cili u kthye në një lider popullor në gjyqin kundër grupit komunist nga regjimi i Shkodrës.
Qemal Stafa, i cili mori drejtimin e Rinisë Komuniste Shqiptare, ishte më popullori dhe më karizmatiku ndër komunistët. Poet i ri dhe revolucionar tipik, Qemal Stafa u dënua dhe u përball me një proces politik të regjimit të Zogut si komunist. Në rezistencën ndaj Italisë, grupet e Rinisë Komuniste ishin më aktivët në Shqipëri, kryesisht në qytete dhe shumica ishin të arsimuar e të kulturuar.
Ata po ktheheshin në inteligjencën e re që sfidonte elitën e vjetër me trakte dhe pamflete në gazeta ilegale. Por Qemal Stafa vdiq shumë herët, u vra më 5 maj 1942. Edhe sot e kësaj dite ka akuza, dilema, dyshime e teori që ajo vrasje kishte një tradhti brenda. Enver Hoxha, ngriti kultin e Qemal Stafës për të përfituar nga ai, duke ngulitur ditën e dëshmorëve me datën e vrasjes së tij.
Familjarët e Qemal Stafës, asnjëherë nuk e kanë heqyr dyshimin se Enver Hoxha ka përfituar nga Qemali. Në 50 vitet e pushtetit të gjatë të tij.
Por edhe pas rrëzimit të komunizmit, nuk u nda ky fenomen, madje vijoi që në nisje të shtetit të ri demokratik.
Partia Demokratike e opozitës erdhi në pushtet falë vrasjeve të katër qytetarëve më 2 prill 1991, ku spikati intelektuali i ri, Arben Broci.
Funerali i të cilëve ishte podium që ngriti në pushtet Berishën, por edhe nga ana tjetër i shërbeu mjaft nga familjarëve të heronjve për tu ngritur në pozita.
Kështu ndodhi edhe me Azem Hajdarin në vitin 1998, kur Sali Berisha i rrëzuar nga 1997-a, tentoi të ringrihej duke përdorur arkivolin e Azemit, që u hodh në tokë sapo njerëzit pushtuan kryeministrinë.
Ndërkaq, as Edi Rama nuk mbeti mbrapa. Funeralet ekselente të tij ishin 4 viktimat e 21 janarit 2021, të cilat i nderonte me ceremoni pompoze, por më pas firmosi si pa të keq një marrëveshje me Ilir Metën, që ishte arsyeja e protestës së 21 janarit.
Dhe lista nuk mbaron këtu, vijon me Sokol Olldashin e së fundmi me Gerti Bogdanin, një nga politikanët më dinjitozë e qytetarë të Shqipërisë në të gjithë kohërat.
Hipokrizia e nderimit postmortem dallohet qartë, pasi është e sforcuar. Nëse dikush vlerësohet, ai e merr vlerësimin për së gjalli, e nëse fatkeqësisht vdes, nderimi bëhet sipas traditës, pa pasur nevojë për gjeste aktoreske. Siç i pamë me shumicë në funeralin e Gerti Bogdanit, ku fytyrat e polikanëve që i ngërdheshnin deri dje, qanin me lot krokodili./Pamfleti
Lini një Përgjigje