Krimi këtu është vetëm sepse është mërzitur Fatmir Xhafaj? Po a nuk garantohet nga Kushtetuta e Republikës e drejta e fjalës, pra e çdo lloj fjale qoftë kjo edhe satirë, parodi, aliazh, ose edhe tallje...
Ervin Salianji është dënuar sot me vendim të formës së prerë, pasi ka sjellë një fabul për të denoncuar një gjë që është vërtetuar. Që vëllai i Fatmir Xhafajt ishte një trafikant lëndësh narkotike. Në realitet ky është fakt, e siç dihet Agron Xhafaj pas show-ut 'babale' shkoi të bëjë burgun në Itali. Pra e pranoi se ishte një personazh i dënuar.
Ku gaboi Salianji? Sepse bëri një montazh? I cili ka pasur aktorë në ngritjen e një parodie dokumentare për të treguar një fakt real.
A nuk bëjnë përditë këtë të gjithë emisionet investigative në televizionet kombëtare? Të cilët në të vërtetë nuk shoshitin faktet por sjellin me nota satirike dhe gallatë problematikat që ekzistojnë në një ngjarje apo rast të caktuar?
U dënua Salianji? Në fakt, Salianji edhe me Kushtetutë nuk mban përgjegjësi për çfarë bën si deputet, sepse e mbron Kushtetuta. Nëse duhet të dënohen, janë e gjithë radha e emisioneve të darkës që në kohën e 'Babale show' na tronditën me skandalin, që qënkësh prodhuar në laborator?
Po pse Eni Vasili, Blendi Fevziu, Arjan Çani e të tjerë showman të emisioneve politike nuk e verifikuan? Kur ka pasur edhe atëherë më shumë se një dyshim se kemi të bëjmë me një parodi alla fiks fare sesa një reality show?
Natyrisht nxjerrja e filmit babale si një kasetë origjinale kur në fakt ishte një lloj inteligjence artificiale pa u parë kjo gjëja, kemi të bëjmë me ekzagjerim. Por Agroni i Fatmirit, ishte i dënuar. Si do thoshte Brisida e ish-Ramës dhe e ish-Ilirit që sot nuk dihet ku është: ku është problemi këtu?
Problemi është se kemi të bëjmë me një parodi, me një montim, me një satirë, me një ekzagjerim për të shkuar te denoncimi i Agron Xhafës. E ku është krimi këtu?
Krimi këtu është vetëm sepse është mërzitur Fatmir Xhafaj? Po a nuk garantohet nga Kushtetuta e Republikës e drejta e fjalës, pra e çdo lloj fjale qoftë kjo edhe satirë, parodi, aliazh, ose edhe tallje. Është opinion. Në drejtësi ka një logjikë të qartë: shkaku e pasoja. Filmi i regjisorit Salianji mund të ketë mërzitur Fatmir Xhafajn e shkaktuar largimin e tij nga posti i ministrit të Brendshëm, si dhe burgosjen e vëllait, por në thelb të gjitha këto ishin të vërteta. Vetëm rruga për t’i shkuar të vërtetës ka qenë pak bixarre. Po a nuk bëri Konti de Sad shumë më rëndë se kaq në shekullin e 19, kur me romanet e tij të nxjerra nga burgu çorri maskën hipokrite të elitës parizjene të kohës?
Dakord, fakti është se Ervin Salianji ka mbështetur e ndoshta edhe financuar një montazh, por ka pasur një qëllim. Por në fund të fundit e gjitha kjo është një shprehje e lirë mendimi. Ai, pra Ervin Salianji po dënohet vetëm për mendimin, i cili në fund të fundit ishte efikas, sepse ju tha botës se kishim një ministër të Brendshëm që nuk duhet të ishte i tillë.
Ervini, si mjekër pa dirsur, mund të jetë axhami, mund të jetë paksa kokoroç, por në fund të fundit ka të drejtë të jetë i tillë sepse nuk i bie në qafë askujt. Është e drejta e tij të jetë ai që do të jetë, aq më shumë se është një personazh i votuar nga populli. Ndaj dënimi i tij është sepse ka prodhuar një parodi, e jo ka bërë krim. Krime bëjnë ditë përditë ministrat e bablokut e askush nuk ja vë në pullë. Madje krenohen me to në rrjetet sociale. /Pamfleti
Lini një Përgjigje