Fundja, si të arrijë Kryeministri i një vendi të vogël, ende të varfër, por ‘rrush’ me milionerë, të bëhet i njohur globalisht? Recepti është i thjeshtë. Merre një problem global dhe do ta thyejë mbi gju, sikur një shkarpë të vjetër...
E kam fjalën për Edi Ramën, jo për Baba Edmondin. Por ta nisim mbarë. Jo me një dervish, por me një hoxhë. Përflitet si barsoletë, edhe pse thuhet se ka ndodhur vërtet. Një hoxhë, i lodhur nga agjërimi në një ditë të gjatë vere, e paska sharë një të ri, i cili po pinte birrë duke ecur rrugës.
“Turp duhet të të vijë,” e shante ai, “është ramazan e ti pi birrë. Dy mëkate, do digjesh në ferr.”
“Por unë jam katolik”, ia ktheu i riu i habitur dhe u largua duke e lënë hoxhën pa fjalë.
“I lumi ti”, vetëm kaq thuhet se arriti të belbëzojë hoxha.
Është barsoletë, kuptohet. Nuk ka hoxhë që lakmon të jetë katolik apo ortodoks. Të parët nuk martohen, ndërsa të dytët… martohen vetëm me një. Birra është çështje tjetër, por tani kemi edhe ato pa alkool, kështu që as atë s’kanë pse e lakmojnë më.
Por, hoxhallarët i shërbejnë komunitetit, nuk çojnë jetë shpirtërore. Të jesh mysliman e të bësh kokrrën e qejfit, duhet të jesh dervish, kështu sugjeron Edi. Shpallja e shtetit ngjan me promocion turistik apo me një guidë.
Tani e kuptuat përse socialistët e thërrisnin baba, Edin.
Çfarë mesazhi është ky për shtetin? Do konvertohet në dervish? Mund të jetë tunduese, mbase për një mysliman, por për një të krishterë? Ka mëkate që s’i bën dot si… socialist Edi?
Së paku nga mënyra se si e prezantoi ai këtë shtet, e rrjedhimisht edhe rendin e dervishëve, nuk bën të hidhet poshtë motivi për të ngritur një atraksion turistik.
E keni parë sa miliona njerëz e vizitojnë Romën? Për shkak të Vatikanit pra. Për të parë Papën dhe për të marrë bekimin e tij. Për t’ia falur mëkatet. Në Romë bëjnë mëkate, në Vatikan marrin faljen. Rrëfehen edhe u falen mëkatet.
Përndryshe, demokracia edhe pse e brishtë, ka dhëmbë dhe dikur i tregon patjetër. E nxjerr nga loja një politikan që do të “mbretërojë” gjatë. Edi po mbretëron gjatë. As veten nuk e rrëzon dot, ndërkaq opozita është e hutuar krejtësisht nga akrobacitë e tij ndërkombëtare e rajonale.
Sidoqoftë, Edi Rama është bërë i parashikueshëm. Njerëzit e kanë kuptuar se ai do të ndërrojë temë kurdo që nuk i përshtatet muhabeti. Nuk e parashikojmë dot se çfarë do të thotë, por tashmë e dimë se kur do të bëjë diçka për të zhvendosur vëmendjen apo për ta rimarrë atë. Ai pa vëmendje është sikur kalorësi që ecën në këmbë, apo marinari që ecën nëpër tokë. Kur mbetet pa fishekë, ai do të plasë një bombë. Bombë mediatike, kuptohet. Edhe fishekët, po ashtu. E ka këtë aftësi Edi, nuk ia konteston kush! Edi baba.
Është provokator global. Jo për të keq. Bën provokime të pranueshme. Fundja, si të arrijë Kryeministri i një vendi të vogël, ende të varfër, por ‘rrush’ me milionerë, të bëhet i njohur globalisht? Recepti është i thjeshtë. Merre një problem global dhe do ta thyejë mbi gju, sikur një shkarpë të vjetër. Thyeje ashtu që të kërcasë, të bëjë përshtypje. Edhe nëse nuk e zgjidh, e kuptojnë të gjithë se po përpiqet. Edi kapet me hallet e mëdha të njerëzimit, sjell rrota të mëdha. Sikur buburreci që sillte rrotën e mullirit.
Është çështje interpretimi gjithçka. Dikush thoshte po e sjell buburreci rrotën e mullirit, dikush thoshte po ecën buburreci mbi rrotën e mullirit. Debati lidhur me këtë metaforë vazhdon ende: po e sjell apo po ecën Edi? Edi do të reformojë islamin, do të bëjë një kompromis global, do të hapë një rrugë daljeje nga enklava islamike. Ka bërë edhe marrëveshjen për refugjatët. Vjen një grup, me synim Evropën, liritë dhe begatinë… dhe Edi i ndalon. Nuk keni nevojë të ikni tutje, edhe këtu jemi në Evropë. Pastaj në kamp përgatiten për… lëre fare. Askush nuk e di çfarë po mendon Edi. Ndoshta nuk po mendon fare… thjesht po e realizon edhe një projekt. Ose po i kthehet jetës artistike, shpirtërore… Baba Edi./Pamfleti
Lini një Përgjigje