TAGS-AT E JAVËS

Editorial29 Shtator 2024, 10:48

Amani more, mos u sakrifikoni kaq shumë!

Shkruar nga Pamfleti

 

Amani more, mos u sakrifikoni kaq shumë!
Salianji /

Sado qesharak të duket ky teatër, precedenti që krijoi, është akoma më shumë i rrezikshëm se disa të tjerë para tij.

Komedi e zezë u bë kjo punë. Një tjetër precedent prej rekordmenësh u shënua këto dy ditë në Tiranën zyrtare. Në Tiranën e politikës, të medias dhe asaj të personazheve publikë që kanë shumë kohë tashmë që kanë mbirë si bar i keq në çdo arenë debati të porositur.

Një politikan i djathtë u dënua me burg. Ervin Salianji u dënua me një vit burg dhe dje, nën lumin e komenteve e thirrjeve nga të vetët dhe jo vetëm, njësoj sikur po shkonte me këmbët e veta drejt komandës së pushkatimit, Salianji iu dorëzua burgut.

Për ata që nuk e mbajnë mend, akuza ndaj tij është se publikoi një përgjim ku implikohej vëllai i ish ministrit të brendshëm Xhafaj, Agroni, se jo vetëm i fshihej një dënimi të mëparshëm në Itali, por edhe vazhdonte trafikun nën mbrojtjen e pushtetit.

Gjerësisht u quajt si dosja ‘Babale’,  dhe kur Rama e Xhafaj nuk arritën të provonin në laboratorët evropiane se zëri në përgjim ishte i gënjeshtërt, shpikën një dëshmitar të penduar, ca policë që më vonë u graduan dhe çështja përfundoi kështu: Salianji me këmbët që i dridheshin e vajtimin e Grida Dumes nga pas, shkoi e u mbyll në qeli.

Se si e qysh u krye ky gjykim, kjo vlen të diskutohet në një tjetër analizë, por ajo që mbetet nga kjo histori janë dy anë të së njëjtës medalje: hipokrizia me të cilën u trajtua çështja e Salianjit dhe standardi që ajo vendosi.

Lotët dhe qyrret dhe tendenca për ta bërë hero e kaluan masën e zakonshme duke arritur nivelet e llakanosjes së zorrëve. Kishte ndodhur që një politikan i dënuar të qante studiove me thirrje për pafajësi, por që të qurraviteshin prezantues emisionesh, gazetarë e politikanë të të dyja krahëve, kjo nuk ish parë.

Nga dhoma e gjumit, Sali Berisha thërriste me dhimbjen e prindit që i marrin fëmijën. Salianji u shpall hero i demokracisë, shembull, kryeministri i ardhshëm, sakrifica për së gjalli e politikës.

Të vinte ti shkoje poshtë pallatit, për ti thënë: mbahu Berishë se burgu për burrat është.

Sado qesharak të duket ky teatër, precedenti që krijoi, është akoma më shumë i rrezikshëm se disa të tjerë para tij.

Sepse Edi Rama ka në radhë disa ministra e zyrtarë të lartë që kanë kullufitur miliarda,  për të cilat duhet të kalbeshin në burg, por drejtësia e re u fërkon kurrizin duke luajtur prokurorësh.

Salianji deputet, u bë skemë e makinacionit e shkoi në burg. Për shpifje. Ai u dogj përfundimisht si figurë politike dhe publike. Policët që punuan me mish e me shpirt për t'ia arritur kësaj dite, janë graduar e ndjekin karriera të suksesshme. E nëse Salianji hëngri një vit burg çfarë duhet të presin të tjerë, me më pak imunitet se ai?

Çfarë duhet të thonë ata gazetarë që publikojnë çdo ditë skandale, 4-cipërisht të provuara që Edi Rama bërtet se janë shpifje? Çfarë mund të bëjë një njeri i thjeshtë nëse, rastësisht makina e pushtetit e vë përpara?

Shqetësimi vlente edhe dje e pardje, por sot ka shënuar një precedent të rrezikshëm. Që i trazuar me komedinë e zezë të këtyre ditëve, me lot e qyrre nga të gjitha anët, të bën për të vjellë.

Nuk po shkojmë me thellë për të komentuar atë çfarë përflitet lart e poshtë, që edhe kjo ishte një marrëveshje e pushtetit dhe opozitës, e Ramës dhe Berishës, që ky i fundit të dalë me sa më pak dëme nga halli që ka me drejtësinë. Në qoftë kështu, nuk do të ishte me pak skandaloze, edhe pse nuk është hera e parë që ndodh.

Ngado që ta rrotullosh,  kjo puna e Salianjit mban erë të qelbur. Që me thirrjet për "sakrificë sublime për demokracinë" vetëm sa e ktheu në një moçal të ndyrë e të neveritshëm./Pamfleti

 

salianji mos sakrifikoni kaq shumë

Lini një Përgjigje

Editorial