TAGS-AT E JAVËS

Editorial12 Gusht 2025, 12:50

Përtej kufijve: kur e vërteta paguan me jetë!

Shkruar nga Pamfleti

Përtej kufijve: kur e vërteta paguan me jetë!

Heshtja nuk është neutralitet; është ftesë për censurë…

Liria e gazetarëve po shkatërrohet me metoda gjithnjë e më të sofistikuara dhe shpesh të mbuluara nga petku i “ligjshmërisë”. Nga Gaza, ku reporterë si Anas al-Sharif dhe kolegët e tij u vranë në bombardime të drejtpërdrejta, te Ballkani ku politikanë dhe oligarkë e kanë kthyer median në instrument të interesave të tyre; situata globale është në pikën më kritik të dekadave të fundit.

Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit 2025, mbi gjysma e popullsisë së botës jeton në vende ku media është në “zonë të kuqe”, nën censurë, presion financiar ose dhunë fizike.

Në rajon, Shqipëria renditet mes vendeve me probleme serioze: grupime të fuqishme mediatike si ato të lidhura me biznesmenë përmes marrëdhënieve të ngushta me qeverinë e Edi Ramës, përfitojnë reklama publike dhe privilegje ekonomike në këmbim të heshtjes ose promovimit të agjendave të pushtetit.

Gazetarë kritikë përballen me padi të tipit SLAPP, kërcënime të hapura dhe fshirje të materialeve nga platformat online me urdhra të heshtur.

Në Kosovë, raportimet që prekin korrupsionin në nivele të larta shpesh etiketohen nga politikanët si “propagandë armike” ose “dezinformim serb”, duke krijuar klimë frike për median kritike. Në Maqedoninë e Veriut, pronësia e mediave është e përqendruar në duar të pakta, shpesh të lidhura me qeverinë e BDI-së dhe LSDM-së, ndërsa presioni mbi gazetarët që hetojnë aferat e infrastrukturës është i vazhdueshëm.

Serbia mbetet shembulli më ekstrem në rajon: Aleksandar Vuçiç ka shndërruar televizionet kryesore kombëtare në megafonë propagandistikë, ndërsa gazetarë të pavarur si ata të “KRIK” e “BIRN” janë targetuar me hetime të fabrikuara dhe sulme mediatike nga mediat proqeveritare.

Kërcënimi nuk vjen vetëm nga shteti; krimi i organizuar është bërë aktor direkt në shantazhimin e reporterëve, si në rastin e Malit të Zi ku gazetarë të Vijesti dhe Dan janë kërcënuar nga grupe të lidhura me trafik droge.

Të gjitha këto ndodhin në një kohë kur rrjetet sociale janë shndërruar në mjet linçimi, sidomos ndaj gazetareve femra, ku fushata të orkestruara shpërndajnë gjuhë urrejtjeje dhe kërcënime me jetë, shpesh pa asnjë reagim nga organet e drejtësisë. Pa një media të lirë, qytetarët humbin mjetin e vetëm për të kontrolluar pushtetin.

Në Ballkan, kjo po ndodh në heshtje dhe me ndihmën e një publiku që është mësuar të marrë informacion vetëm nga burime të kapura. Sot, heshtja nuk është neutralitet, është bashkëpunim me censurën. Dhe nëse ky trend nuk ndalet, shumë shpejt fjala e lirë në rajon do të jetë një kujtim i largët, i përcjellë vetëm në dosjet e historisë dhe arkivat e gjykatave ndërkombëtare./Pamfleti

përtej kufijve liria e mediave

Lini një Përgjigje

Editorial