TAGS-AT E JAVËS

Editorial26 Nëntor 2025, 10:54

Paqe me detyrim dhe përcaktim

Shkruar nga Gjergj Zefi

 Paqe me detyrim dhe përcaktim

Një marrëveshje që shitet si kompromis, por që në fakt i jep Moskës atë që nuk e mori dot me luftë...

Diplomacia ndërkombëtare është një skenë ku shpesh fjalët janë më të lehta se realiteti, dhe negociatat për paqen mes Ukrainës dhe Rusisë e vërtetojnë më mirë se çdo rast tjetër këtë absurditet të shekullit XXI. SHBA pretendon se po ndërton një arkitekturë të re sigurie, Rusia thotë se po mbron “interesat e veta historike”, dhe Ukraina duhet të gëlltisë idenë se paqja është diçka që bëhet pa të, mbi të dhe në kurriz të saj. Në pamje të parë duket sikur bota po sheh një hap drejt kompromisit; në të vërtetë, ajo që po ofrohet ngjan më shumë me një ‘formular’ dorëzimi të paketuar me fjalë të buta diplomatike.

Ndërsa delegacionet lëvizin midis Gjenevës dhe Abu Dhabit, raketat ruse hedhin poshtë çdo iluzion se jemi përballë një zgjidhjeje të qëndrueshme. Në një ironi të errët, sa herë që Uashingtoni i afrohet Kievi­t me presion për fleksibilitet, Moska i afrohet me eksploziv. Kjo është gjuha e vetme që Putini beson se kuptohet nga Perëndimi: “negociata” të shoqëruara me kraterë në asfalt. Dhe, për fat të keq, duket se po funksionon.

Plani amerikan me 28 pika, që filloi si një koncept i gjerë dhe tani po kthehet në një draft më të hollësishëm, kërkon nga Ukraina një sërë kompromisesh të cilat do të ishin të papranueshme në çdo vend tjetër që pretendon sovranitetin e vet. Reduktim të forcave të armatosura, garanci neutraliteti, distancim nga NATO dhe pranim të realiteteve të reja territoriale; të gjitha këto prezantohen me buzëqeshjen e vakët të diplomatëve që e dinë shumë mirë se çfarë po kërkojnë. Dhe cinizmi më i madh është se ato kërkesa paraqiten si “hapat e nevojshëm drejt stabilitetit”.

Rusia, ndërkohë, luan një lojë të gjatë. Ajo e di që Perëndimi është i lodhur, i përçarë dhe i obsesionuar me stabilitetin më shumë sesa me drejtësinë. Sa herë që Uashingtoni përpiqet të shesë optimizëm, Kremlini kujton se lufta nuk ka mbaruar. Në këtë panoramë, Putini duket si i vetmi që nuk ka nevojë të fshihet pas eufemizmave: ai e thotë hapur atë që Perëndimi e përshkruan me rreshta të tërë raportesh: Rusia kërkon përfitime territoriale dhe njohje ndërkombëtare për agresionin e saj.

Dhe kështu, negociatat vazhdojnë. Jo sepse po formësohet paqja, por sepse palët kanë nevojë të ruajnë iluzionin se po punojnë për të. SHBA kërkon një sukses diplomatik të shpejtë, Rusia kërkon një fitore strategjike të qëndrueshme, ndërsa Ukraina përpiqet të ruajë fytyrën, territorin dhe identitetin nën presionin e dy fuqive që thonë se e duan paqen, por e lexojnë me përkthime të ndryshme.

Në fund të ditës, realiteti është i thjeshtë dhe brutal: marrëveshja që po përvijohet nuk është as triumf i diplomacisë, as armëpushim i qëndrueshëm. Është një marrëveshje që kërkon të mbyllë një dosje të lodhshme për Perëndimin, t’i japë Moskës mjaftueshëm për të shpallur fitore dhe ta lërë Ukrainën në një limbo ku as lufton, as fiton, as humbet; vetëm pret raundin e radhës.

Paqja, në këtë rast, është thjesht një fjalë që përdoret për të mbuluar një realitet të hidhur: askush në tryezë nuk po negocion për të; të gjithë po negociojnë për interesat e tyre. Dhe Ukraina, si zakonisht, paguan faturën./Pamfleti

 

paqe me detyrim dhe përcaktim gjergj zefi

1 Komente

  1. T
    Tony Qenukfal

    Na quajne hic ne Shqioptareve keta te medhenjte. Por po te dinin ate lojen e thjeshte 'dam' qe luanim ne e kur nuk kishte nga tia mbante kundershtari i beje "haje me detyrim percaktim". Po ta kishit mesuar kete nuk do perfundonit keshtu ju Ukrainasit se e kishit mendjen te luftonit krah ruseve e serbeve kunder Shqiptareve ne Kosove. Hajeni tani, se u ben mire.

    Lini një Përgjigje

    Editorial