TAGS-AT E JAVËS

Editorial20 Nëntor 2025, 13:14

Mirela, “shtriji këmbët sa ke jorganin”!

Shkruar nga Pamfleti
Mirela, “shtriji këmbët sa ke jorganin”!
Mirela Bogdani /

Nga KLP-ja tek vettingu, jorgani i ligjit është shumë më i shkurtër sesa ambicia për ta bërë drejtësinë pronë personale dhe çdo tentativë intimidimi thjesht e nxjerr zbuluar…

Ka një talent të rrallë në institucionet e drejtësisë së re: aftësinë për të bërë sikur punon pa bërë asgjë. Dhe ky është talenti i paster i Mirela Bogdanit. E rreshtuar me plot vendosmëri në atë galerinë e fytyrave ‘ëngjëllore’, që duken sikur sapo dolën nga një kurs etike, por që në fakt dinë të përkulen saktë përpara atyre që duhen përkulur… dhe t’i kthejnë shpinën pikërisht ligjit që supozohet ta mbrojnë.

Mirela Bogdani, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është ajo lloj burokrate që sistemi e krijon për ta pasur tampon, filtër, amortizator, por kurrë motor. Një njeri që nuk i prish punë askujt nga lart dhe nuk i rregullon punë askujt nga poshtë. Dhe pikërisht për këtë ia dolën ta ngjisin deri aty.

Problemi me Bogdanin nuk është se bën shkelje, por që i bën duke buzëqeshur.

Sepse shkeljet që mbulon nuk janë prej atyre të ndrojturave administrative. Jo, janë prej atyre që e fusin drejtësinë në autoklavë dhe e sterilizojnë nga çdo fije integriteti.

Rasti i Elion Mustafajt është vetëm shembulli i radhës. Një prokuror me arsim të dyshimtë, me lidhje familjare që i japin ngjyrim nepotizmi, me pasuri që s’i dalin as nga qiriu i natës së ringjalljes. Dhe ç’bën zonja Bogdani nga maja e institucionit?

Bëhet pjesë e skemës që e lejon maskaradën të kalojë për ligjshmëri. Ajo guxon të dërgojë sinjale “intimidimi” ndaj Pamfletit, por nuk guxon t’i përmendë emrin. E si ta përmendë? E vërteta ka qenë gjithmonë territori ku Mirela nuk hyn dot pa helmetë.

Në fakt, tentativat e saj janë si rrahjet e krahëve të një pule të lagur që mendon se po bën rrebesh.

Pamfleti nuk trembet nga njerëz që kanë frikë nga emrat.
Dhe aq më pak nga njerëz që kanë frikë nga faktet.

Dhe këtu e kemi gjithë thelbin:
Mirela Bogdani nuk ka problem me gazetarinë; ka problem me pasqyrën.
Sepse ajo që e shpërqendron, që e prish qetësinë e zyrës së rehatshme, nuk është denoncimi, por reflektimi.

Sepse në Shqipëri drejtësia e re funksionon me një logjikë shumë të qartë: kush ka mik, ka vetting. Kush s’ka mik, ka vetullat e ngritura të Mirelës.

Dhe më pas vjen momenti i famshëm kur ajo del e flet jashtëzakonisht institucionalisht.

Fraza boshe. Etiketa të thata. Vendime që i ngjajnë parashikimeve të horoskopit; të përgjithshme, të mjegullta, të padëmshme për këdo që duhet të ruhet. Askush nuk guxon të thotë gjënë më të thjeshtë: që institucioni që ajo drejton po shpenzon oksigjen kot, ndërsa skandalet kalojnë poshtë si ujëra të ndotura nëpër kanalet e drejtësisë.

Në vend të marrjes së përgjegjësisë, Bogdani luan rolin e bilancit socialist: as shumë këtej, as shumë andej.

mjafton të mos tërheqë vëmendjen që nuk duhet.

Kjo është arsyeja pse rasti Mustafaj nuk u pa si thikë në zemër të KLP-së, por si një çështje e vogël që duhet qepur shpejt e pa zhurmë. Sepse aty fillon frika: te ideja se mos edhe ndonjë fije e përgjegjësisë prek kupolën që i mban karrigen të ngrohtë.

Në fakt, Bogdani është simboli i një sëmundjeje më të thellë të drejtësisë:

të gjithë flasin për reformë, të gjithë betohen për integritet, por në fund, vendimet i marrin njerëzit që kanë frikë nga e vërteta dhe guxim vetëm për të firmosur pa e lexuar.

Në një vend normal, rasti i një drejtuesi prokurorie me CV të manipuluar përbën krizë kombëtare.

Në Shqipëri, përbën vetëm një provë të re të aftësisë së Mirela Bogdanit për të mos bërë asgjë.

Mirela, mirë që e merr rrogën kot, por të paktën “shtriji këmbët sa ke jorganin”: E vërteta nuk është tagri yt Mirela. E vërteta është borxh i yti. Borxh që nuk shlyhet me heshtje. Nuk shlyhet me intimidim. Nuk shlyhet me frikë. /Kaq për sot, nga një mik i yti që ta do të mirën. /Pamfleti

mirela bogdani

4 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Kur jorgani është i shkurtër, këmbët nuk shtrihen se ftohesh. Por as durohet ashtu , pasi të mpihen gjunjët.Por edhe po i nxore jashtë jorganit do ti mbash për pak kohë. Shtrij- mblidh-shtrih-mblidh. Në 'intervalet' njeriu as vetë nuk e di si ndjehet. Dhe ndoshta në këto përçartje Mirela e ka bërë ndonji gabim. Dikur 'Mirela' shkroi emrin e vetë në një autobuz urban dhe ja përjetësuan 'gabimin' në një këngë. Mirela e sotme mendon se AI, Diella dhe 'Klasifikimi' do mbulojnë akraballëqet .

    1. M
      Maksi

      Se pari, ti "Pamfleti" shkuaje emrin, qe te kesh te drejte te flasesh per Mirelen. Mirelen e kam njohur qe kur ishte e vogel. Kur u zgjodh ne krye te KLP, m'u krijua bindja qe reforma ne drejtesi nuk ishte mashtrim. Mirela eshte nga njerezit me te ndershem qe kam njohur. Ajo eshte e zonja dhe shume punetore. Qe ne shkollen fillore deri ne fund te studimeve ne universitet, Mirela ka njohur vetem noten 10. Zotesia e saj, dhe vetem e saj, nga nje familje e thjeshte korçare, pa asnje mbeshtetje, e ka çuar deri ne nivelin ku eshte sot. Ajo nuk ka detyrim ndaj askujt dhe vendimet i merr vetem me bindjen e saj, pa influenca te jashtme. Ti qe sulmon Mirelen, me siguri je ne sherbim te ndonje klani qe kerkon te kape kreun SPAK-ut me te padrejte. Vazhdo punen Mirela, si deri sot e mos perfill presionet e batakçinjve.

      1. I
        Ish studente e saj.

        Respekt i merituar per petagoge Mirelen. Korrekte e zonja ne zanat dhe gjithmon me perkushtim maksimal . Gjarprinj dhe neperka ,do te kete perhere .

        1. E
          Eri

          të gjithë flasin për reformë, të gjithë betohen për integritet, por në fund, vendimet i marrin njerëzit që kanë frikë nga e vërteta dhe guxim vetëm për të firmosur pa e lexuar. Bravo!

          Lini një Përgjigje

          Editorial