Kryeministri hyn në ciklonin që mund ta përmbysë
Sulmi i Ramës ndaj ministres britanike Mahmood duket si nervozizëm i paradhënies, ndërsa burimet diplomatike flasin për vendime të rënda që priten nga Britania dhe SHBA për lidhje me narkotrafikun dhe pastrimin e parave. Sanksionet e paralajmëruara mund të godasin kapitalet kryesore në Shqipëri dhe të shkaktojnë krizën më të fortë politike të dekadës.
Shpërthimi i Edi Ramës ndaj Ministres së Brendshme të Britanisë së Madhe, Shabana Mahmood, në dukje dukej i pakuptimtë. Ministrja britanike nuk bëri asgjë më shumë sesa artikuloi një standard normal të shtetit të saj: kush nuk e meriton azilin, nuk mund të qëndrojë në Britani.
Në fakt, kjo linjë politike i shërben edhe qeverisë së Shqipërisë, sepse e largon vendin nga lista e shteteve problematike ku qytetarët ikin nga frika, persekutimi apo pasiguria. Qeveria shqiptare duhej ta kishte përshëndetur këtë qasje dhe ta përdorte si argument politik për të treguar se emigrimi i paligjshëm nuk lidhet me represionin, por me kërkimin e avantazheve ekonomike apo mundësive të paligjshme që në Shqipëri nuk mund të funksionojnë dot.
Megjithatë, Rama u vërsul në mbrojtje të të larguarve, duke marrë një risk të panevojshëm politik dhe diplomatik, jo vetëm përballë qeverisë britanike, por edhe përballë mediave të Londrës, të cilat prej kohësh e kanë trajtuar me skepticizëm qeverinë shqiptare për çështjet e emigracionit dhe krimit të organizuar. Ajo që bie në sy është heshtja e Londrës zyrtare pas reagimeve të tij. Nuk u duk asnjë kundërreplikë, asnjë shigjetim, asnjë reagim i profilit publik. Qetësia duket më shumë e qëllimshme sesa shpërfillëse. Mesa duket, britanikët e prisnin këtë reagim dhe po e përdorin heshtjen për ta lënë Ramën të konsumojë nervat e tij, duke rritur ankthin mbi atë që mund të vijë më tej.
Në prapaskenë flitet prej ditësh në qarqet diplomatike të Tiranës se Londra dhe Uashingtoni po përgatisin vendime të rëndësishme që do të shpallen afër Krishtlindjeve. Vendime që mund të shkaktojnë një tronditje të madhe në Tiranën zyrtare dhe që lidhen me persona të lartë të pushtetit, përfshirë figura në majën e piramidës qeverisëse.
Raportohet se fillimisht do të lëvizë Londra, e cila po merret prej kohësh me raste të lidhura me narkotrafikun dhe pastrimin e parave në Shqipëri. Nëse ata vendosin të shpallin një “non grata” të shumëpërfolur, atëherë goditja do të jetë më e fortë sesa ajo që SHBA ndërmori ndaj Sali Berishës.
Ndërkohë, flitet se Uashingtoni pritet ta ndjekë këtë hap me një zinxhir sanksionesh që do të godasin drejtpërdrejt kapitalet e investuara në sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, duke prekur rreth 60% të flukseve financiare që qarkullojnë përmes skemave të dyshuara të pastrimit të parave. Një lëvizje e tillë do të krijojë një flluskë ekonomike të rrezikshme, e aftë të shembë stabilitetin financiar të vendit me të njëjtën shpejtësi që është ndërtuar.
Rasti i parë që SHBA goditi publikisht ishte ai i Luftar Hysës, një emër i njohur me investime të mëdha, i cili u shpall kërcënim për sigurinë e SHBA dhe u përfshi në listën e sanksioneve. Bllokimi i kapitaleve të tij rrezikon të krijojë pakënaqësi të madhe në jug të vendit dhe mund të shkaktojë trazira të vogla sociale. Nëse vijnë edhe vendimet e tjera të paralajmëruara, atëherë kjo valë goditjesh mund ta kthejë Tiranën në një terren presioni të jashtëzakonshëm ndaj qeverisë, deri në kufijtë e një krize të vërtetë politike./Pamfleti
Po a ka nenshkruar marreveshje pranimi? Po. Atehere cka? I lexojne kto marreveshje kta apo cfare tu vene ne taboline?