TAGS-AT E JAVËS

Editorial15 Nëntor 2025, 09:47

Jepuni qenve një kockë*

Shkruar nga Gjergj Zefi

 Jepuni qenve një kockë*

/Ballkani nuk po trajtohet më si çështje sigurie, por si monedhë këmbimi në tryezat globale...

Më 29 tetor 2025, Shtetet e Bashkuara hoqën sanksionet ndaj Milorad Dodik. Pa njoftim. Pa arsyetim. Pa asnjë paralajmërim për aleatët. Ky akt, që zhbën dekada politike të qëndrueshme amerikane në Ballkan, ka veç një përkufizim: kapitullim strategjik përballë Rusisë. Dhe jo një kapitullim i detyruar, por një dorëzim i qëllimshëm.

Dodik, mohues i gjenocidit dhe mik i ngushtë i Vladimir Putinit, po lobonte prej vitesh në Uashington. Nga 30 milionë dollarë në vitin 2017, deri në trefishin e kësaj shume në 2025. Dhe ja rezultati: heqje sanksionesh, legalizim i linjës secesioniste dhe përvetësim de facto i gjysmës së Bosnjës nga Rusia.

Pyetja që shtrohet është: çfarë fitoi Amerika? Disa përmendin litiumin. Vetë Dodik, në maj 2025, i ofroi Uashingtonit pasuritë minerare të entitetit serb si “shkëmbim” për njohjen e sovranitetit të Republika Srpska. Por kjo është një përrallë naive. Nëse SHBA do donte litium, sanksionet do ishin mjeti për ta kontrolluar, jo për ta falur.

Vendimi ka pasoja të shumëfishta:

-Së pari, legalizon narrativën e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë.

-Së dyti, lehtëson përpjekjet për shpërbërjen e Bosnjës.

-Së treti, i jep Rusisë një trampolinë gjeopolitike në zemër të Europës.

-Së katërti, poshtëron Beogradin, që deri tani ishte “babai politik” i serbëve të Bosnjës.

Moska dhe Banja Luka flasin sot një gjuhë. Dodik përqafon Lavrovin në Minsk, vetëm një ditë para se SHBA të njoftonte heqjen e sanksioneve. Mesazhi është i qartë: Rusia nuk ka më nevojë për Serbinë si ndërmjetës. Republika Srpska është kthyer në një zgjatim të drejtpërdrejtë të Kremlinit. Aleksandar Vuçiç, që për vite ndërtonte modelin “Srpski svet” si replikë të “Ruski mir”, tani shikon se ai projekt i është vjedhur nga vetë Moska.

Shqipëria dhe Kosova duhet ta shohin këtë si kambanë alarmi. Nëse SHBA është e gatshme të heqë dorë nga gjysma e një shteti europian për interesa të paqarta, çfarë garancie mbetet për Prishtinën? A është siguria e shqiptarëve më e vlefshme se një kontratë minerare apo një pazar në heshtje me Moskën?

Në këtë tablo cinike, mungesa e një reagimi të prerë nga Tirana dhe Prishtina është shqetësuese. Asnjë deklaratë zyrtare nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Asnjë protestë publike nga Qeveria e Kosovës. Qasja “mos e ngacmo Uashingtonin” mund të duket e kujdesshme, por në realitet është kapitulluese. Nëse shqiptarët heshtin për Bosnjën, nesër do t’u kërkohet të heshtin edhe për Kosovën.

Kjo nuk është një gafë diplomatike. Është strategji. Është shenjë që Ballkani nuk po trajtohet më si çështje sigurie, por si monedhë këmbimi në tryezat globale. Heqja e sanksioneve ndaj Dodik nuk është lëshim, është sinjal. Një sinjal që thotë: “Nëse di si të luash lojën, edhe gjenocidi mund të fshihet.”/Pamfleti

Shënim:
*Titulli “Jepuni qenve një kockë” është marrë nga një poezi e Vladimir Vysotsky, poet dhe kantautor rus i viteve ’70, i njohur për kritikën e fshehtë dhe të mprehtë ndaj hipokrizisë së sistemit sovjetik. Në vargjet e tij, “qentë” simbolizonin të bindurit, të përdorurit dhe ata që ngushëllohen me thërrime pushteti. Në këtë editorial, metafora i përshtatet një realiteti ballkanik ku kriminelët trajtohen si partnerë dhe viktimat lihen në heshtje. 

jepuni qenve një kockë gjergj zefi ballkani usa rusia

1 Komente

  1. Çyryku

    Artikulli me i bukur i dites.

    Lini një Përgjigje

    Editorial